1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëFederata Ruse

"Sulmet në Krime janë një katastrofë e madhe për Rusinë"

27 Shtator 2023

Sulmet në Krime janë katastrofike për Rusinë, sipas ekspertit ushtarak Marcus Keupp. Pasojat për Rusinë mund të jenë tepër të rënda.

Sevastopoli pas sulmeve ukrainase ndaj qendrës së flotës ruse
Sevastopoli pas sulmeve ukrainase ndaj qendrës së flotës ruseFotografi: Sergei Malgavko/TASS/dpa/picture alliance

Sulmet e Ukrainës ndaj objektivave ushtarake në Sevastopol janë një goditje e rëndë për Rusinë. Ato tregojnë se mbrojtja ajrore ruse nuk është në gjendje të përgjojë dhe të kapë raketat perëndimore me rreze të mesme dhe të gjata.Krimea aktualisht është vetë shtëpia e radarëve dhe sistemeve më të avancuara të mbrojtjes ajrore që ka Rusia, siç është sistemi S-400 Triumf, thotë eksperti ushtarak gjerman Marcus Keupp.

Në këto sulme, siç thekson ai, Ukraina synon jo vetëm objektiva ushtarakë, por edhe objektiva simbolike, siç është selia e flotës ruse të Detit të Zi, një objekt ushtarak "i shenjtë” në të gjithë Krimenë. Skenat, të cilat mund të shiheshin në video, tregojnë qartë se kushdo që ishte atje, ndoshta nuk është më në mesin e të gjallëve. Është një fatkeqësi e plotë për Rusinë, thekson eksperti ushtarak gjerman.

Sulmet e fundit, thekson ai më tej, japin një ide për drejtimin në të cilin po zhvillohet lufta. Qëllimi i tyre është t'u bëjnë të qartë rusëve se pozicionet e tyre ushtarake janë të paqëndrueshme. Të gjitha sulmet ajrore në Ukrainë vijnë nga fushat ajrore në Krime. Shumë nga sulmet terroriste ndaj popullatës civile, siç është bombardimi i fundit i Khersonit, kryhen në mënyrë logjistike përmes Krimesë. Nëse ky zhvillim i ngjarjeve në Krime vazhdon, do të ketë një pikë kthese në luftë, më së voni deri në pranverë, beson Keupp.

Sulmet kundër bazës së flotës ruseFotografi: Sergei Malgavko/TASS/dpa/picture alliance

Krimea, shpjegon ai, nuk është vetëm një qendër logjistike, por është edhe baza ushtarake e të gjithë operacionit rus në Ukrainë. Për këtë arsye finalja e madhe e luftës do të zhvillohet atje, ndoshta më shpejt sesa është pritur.

"Lufta me vonesë"

"Ne e ndjekim luftën me një vonesë kohore, por e dimë saktësisht se çfarë po ndodh në terren. Vonesat ndodhin sepse videot shfaqen vetëm pasi komandantët lokalë në front e lejojnë shfaqjen e tyre. Lufta, sipas vlerësimeve, ka avancuar pesë deri në shtatë ditë më larg se sa shohim në media”.

Ukraina aktualisht po përparon në dy drejtime në zonën e Robotinit, shpjegon Marcus Keupp. Qëllimi është të shtyjë artilerinë aq larg sa të kontrollojë Tokmak, gjë që mund të ndërpresë furnizimin e ushtrisë ruse në të gjithë frontin jugor. Kjo mund të luajë një rol të madh në tetor. Nëse do të kishte sukses, Ukraina do të kishte sukses de facto në prerjen dhe ndarjen e frontit jugor rus.

"Unë kam thënë në mars se Rusia do ta humbë luftën strategjikisht deri në tetor. Nuk kam thënë se luftimet do të ndalen, por se Rusia do të gjendet në një situatë ku nga ana logjistike nuk mund të veprojë në mënyrë efektive dhe se do të përballet me dilemën: ose të tërheqë trupat e saj ose ato do të jenë në rrëmujë”, thotë eksperti gjerman.

Në Krime është baza e sistemeve më të mira ruse të radarëveFotografi: Crimean Telegram channel via AP Photo/picture alliance

Keupp beson se takimi dhe bisedimet e Putinit me presidentin e Koresë së Veriut Kim janë një manovër propagande e maskuar mirë. "Por luftën duhet ta shikoni nga një perspektivë logjistike. Deri sa Koreja e Veriut t'i japë municione Rusisë në një shkallë të gjerë, lufta do të ketë përfunduar deri atëherë."

Viktimizimi i popullatës civile

Shkatërrimi sistematik i rrjetit energjetik të Ukrainës nga Rusia nuk do të ketë sukses as këtë vit, beson Keupp: "Jo vetëm që Ukraina ka arritur të riparojë rrjetin e saj energjetik, por edhe mbrojtja ajrore e saj është bërë ndërkohë shumë më efektive". Qendrat e rëndësishme të rrjetit të energjisë tani mbulohen nga mbrojtja ajrore. Por, sigurisht që i gjithë vendi dhe çdo ndërtesë banimi nuk mund të mbrohet plotësisht. Prandaj, sulmet terroriste ndaj popullatës civile me shumë mundësi do të vazhdojnë”.

Në të gjitha këto, përfundon ai, roli i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë është veçanërisht i rëndësishëm, sepse lista e krimeve ruse të luftës, të cilat po regjistrohen me kujdes, po bëhet gjithnjë e më e gjatë.