1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmet terroriste & Armstrong fiton sërish turin e Francës

VFB25 Korrik 2005

Pas atentateve të fundjavës në Sharm el Sheik të Egjiptit komentatorët dhe analistët i referohen sërish çështjes së terrorizmit. Kjo është edhe tema që dominon kryeartikujt e gazetave të sotme, por nuk mbetet jashtë vemendjes së komentatorëve fitorja për të shtatën herë e turit çiklistik të Francës nga amerikani Lance Armstrong.

Lance Armostrong, në garën e turit të Francës
Lance Armostrong, në garën e turit të FrancësFotografi: AP

Në të përditshmen "Westdeutsche Zeitung" komentohet: "Siç duket do të na duhet të ambjentohemi me faktin, se çdo ditë mund të hasim në terror. Atë mund ta hasim diku dhe dikur nëpërmjet akteve të shumta më të vogla. Një gjë e tillë të dërrmon dhe mund ta ndryshojë shumë jetën tonë, madje shumë më tepër nga ç´e kemi përfytyruar pas 11 shtatorit në Nju Jork", vëren "Westdeutsche Zeitung".

Me tone të ngjashme komenton edhe analisti i "Mittelbyerische Zeitung": "Njerëzit në qarqet e kulturës perëndimore duhet t´i nënshtrohen tani konstatimit deprimues, se ndodhemi sërish në luftë. Euforia pas fundit të sukseshëm të konfliktit mëse 40 vjeçar Lindje-Perëndim nuk e pati të gjatë. Më së voni qysh pas rëzimit të dy kullave binjake në Nju Jork po buçet një konflikt i përgjakshëm mes botëkuptimit të kirshter perëndimor dhe atij radikal islamik. Kjo pasi për fat të keq 11 shtatori nuk u dëshmua si një ngjarje e vetme. Qysh prej asaj kohe spiralja e terrorit po lëviz gjithnjë e më me shpejtësi: Nju Jorkun dhe Uashingtonin e pasoi Bali, Madridi, Tabaja, Londra e së fundi Sharm el Sheiku. Por vijat e demarkacionit të këtij konflikti kalojnë edhe nëpër shumë rajone të tjera: në Irak, në Afganistan, në Izrael, në Ballkan, në qytetet e mëdha perëndimore, ku jetojnë komunitete të mëdha myslimane si dhe në të gjitha rajonet turisitike, ku përplasen me njëri-tjetrin stili i jetës Coca Cola dhe nxënësit fanatikë të kuranit", thekson "Mittelbayerische Zeitung".

"Märkische Allgemeine Zeitung" nënvizon aspektin e globalizimit të terrorizmit: "Sulmet në Sharm el Sheik në detin e kuq dhe më parë ato në Londër nënvizojnë, se tashmë ka filluar koncepti i ndërkombëtarizimit të terrorizmit. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të diferencosh kërcënimet reale prej atyre të mundshme. Edhe tek u rëzua një avion privat përpara Rajshtagut në Berlin në kokë menjëherë na erdhi mendimi, se ndoshta kemi të bëjmë me një të çarë në sistemin e sigurisë! Ndërsa mendimi i dytë ishte, se si mund të mbrohet një kuartier qeveritar prej sulmeve nga ajri? Drama në Londër me vrasjen e një njeriu të pafajshëm, tregon, se terroristët gjithnjë e më shumë po ia dalin që të vënë në pikëpyetje vlerat dhe parimet e konsoliduara. Forcat e rendit ndodhen përballë nevojës ekstreme për vendimmarrje. Udhëzimi "shoot to kill", (qëllo për të vrarë) buron nga frika, se në çdo sekondë ngurrimi një kamikac i vendosur mund t´u shkaktojë vdekjen qindra të pafajshmëve. Në një klimë të kërcënimit të vazhdueshëm po i afrohemi gjithnjë e më shumë kufirit të histerisë. Ngjarja në Londër duhet të shërbejë si një paralajmërim për ne të gjithë", komenton "Märkische Allgemeine".

"Neue Westfälische" tërheq vëmendjen për forcimin e sigurisë së brendëshme: "Për çfarëdolloj kërcënimi vigjilenca është i vetmi shans për t´i bërë ballë rrezikut. Natyrisht vigjilenca e autoriteteve, por edhe e vet qytetarëve. Vëzhgimi intensiv i hapësirës ajrore është pjesë e vetëkuptueshme e këtyre masave ashtu si edhe kontrolli më i fortë i aeroporteve më të vogla, prej nga nisen avionët. Masa të tilla nuk duhen neglizhuar, pavarësisht nga acarimet elektorale që mbrizotërojnë në Gjermani, tek e fundit lufta elektorale nuk e ul rrezikun nga sulmet", nënvizon "Neue Westfälische".

"Hessische/Niedersächsische Allgemeine" i kushton një koment edhe turit çiklistik të Francës që u fitua sërish nga amerikani Lance Armstrong, i cili ka deklauar, se me këtë garë do ta mbyllë karrierën e tij: "Padyshim këtë mund ta quajmë si fundin e një epoke: Lance Armstrong arrin për të shtatën herë si fitues në Paris duke i dhënë fund karrierës së tij pa ia kaluar askush. Francezët i shprehin respektin më të madh kryesuesit të këtij turi. Ky respekt i dedikohet një atleti me etje të pashuar për fitore dhe me një zemër luftaraku të papmposhtur. Armstrong karakterizohet si një luftarak, duke u përshkruar madje edhe si një njeri me vullnet kanibali për fitoren. I rritur pa baba ai s´ka pranuar autoritet tjetër përveç vetes. I sëmurë me kanser ai doli i çeliktë prej kësaj beteje. Dueli që shpresohej me gjermanin Jan Ulrich përfundoi me një udhëtim madhështor solo", shkruan "Hessische/Niedersächsische Allgemeine".

"Frankfruter Allgemeine Zeitung" shtron pyetjen: "Çiklizmi në formë ekstreme si një burim energjie? E si mund të shpjegohet ndryshe entuziazmi gjithnjë në rritje, veçanërisht kohët e fundit, ndaj kësaj gare të madhe? Ky është një entuziazëm që u ka rezistuar pa u cënuar aspak të gjitha aferave trishtuese si dopingut, mashtrimeve, apo edhe aksidenteve që ndonjëherë kanë pasur pasojë edhe vdekjen. Asnjëherë nuk do të jetë e mundur të zbulohet sekreti i asaj që e tërheq kaq shumë publikun për të ndjekur turin e Francës në terren apo edhe nëpërmjet ekranit të televizorit. Ndoshta kjo ka të bëjë me një përzierje të djersës, gjakut, guximit, dëshpërimit, ekzagjerimit dhe mungesës së arësyes, për etapat që pjesërisht kanë një renditje absurde me ngjitje dhe disheza frikëndjellëse. Këtej e tutje do të mjaftojë kërkimi për një pasardhës të yllit nga Amerika që turi i Francës të vazhdojë të mbajë të gjallë energjinë", shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung".