1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmi antisemit në Berlin: Dorasi i dorëzohet policisë

20 Prill 2018

Dy ditë pas një sulmi antisemit ndaj një izraeliti të ri arab dhe shoqëruesit të tij në Berlin, dorasi iu dorëzua policisë në Berlin.

Adami dhe shoku i tij
Adami dhe shoku i tij Fotografi: DW/D. Bellut

Dy ditë pas sulmit antisemit ndaj një izraeliti të ri dhe shoqëruesit të tij në Berlin, i dyshuari si doras i është dorëzuar policisë. Në mesditën e së enjtes, 19 vjeçari u paraqit në Zyrën e Policisë Kriminale të Landit i shoqëruar nga një avokate, bëri të ditur një zëdhënës i policisë. Bëhet e ditur se i dyshuari si doras është një refugjat nga Siria. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, atë e hetuan midis të tjerash në bazë të të dhënave të dëshmitarëve. Se prej sa kohësh ndodhet në Gjermani dhe ku jeton ai, këtë policia për momentin nuk e ka  bërë të ditur. Prokuroria e Berlinit kërkoi që të enjten që ai të paraqitet para gjykatësit, për t'i shqiptuar arrestin.

Izraeliti 21 vjeçar dhe shoku i tij po ecnin të martën pasdite në lagjen e Berlinit, Prenzlauer Berg duke mbajtur në kokë kapelen tradicionale të hebrenjve, kipan. Ata i sulmoi një grup meshkujsh që flisnin arabisht dhe i shau me sharje antisemite. Njëri nga të rinjtë e goditi 21 vjeçarin me rripin e pantallonave dhe u përpoq ta godiste edhe me shishe. Sulmuesi dhe dy shoqërues të tij morën arratinë. 21 vjeçari e filmoi sulmin dhe e nxorri videon në internet.

Në intervistë me DW, i riu me emrin Adam (mbiemrin ai nuk donte ta thoshte), tha se nuk është hebre dhe se është rritur në një familje arabe në Izrael. Ai e pati vënë në kokë kipan, pasi shokët i patën thënë se është e rrezikshme ta mbash atë hapur në rrugët e Gjermanisë. Me veprimin e tij ai kishte dashur të tregonte se nuk është e rrezikshme. "Ishte një përvojë e mbajtjes së kipas", i tha ai DW.