1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmohen stacionet policore në veri të Kosovës

16 Qershor 2023

Tre policët kosovarë të arrestuar nga policia e Serbisë dalin para një gjykate në Kralevë të Serbisë. SHBA dhe Britania e Madhe kërkojnë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të policëve kosovarë.

Tensione në Kosovë
Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Dy stacione policore u sulmuan me shok-bomba gjatë natës të enjten në komunat veriore të Kosovës në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut. Sipas njoftimit të policisë, të lënduar  nga radhët e policisë nuk ka, por është dëmtuar një veturë e policisë. Rasti po hetohet, autorët nuk dihet. Njoftohet se shok-bombat janë hedhur nga vetura në lëvizje. Tensionet në veri të Kosovës mbeten të larta, sidomos pas arrestimit të tre policëve të Kosovës afër kufirit nga policia e Serbisë. Të tre policët kosovarë dalin të premten para një gjykate në Kralevë të Serbisë, ku do të vendoset nëse ata lirohen apo mbahen në paraburgim.

Stano: BE po e trajton si çështje urgjente situatën e krijuar në Kosovë

Autoritetet e Kosovës, thonë se "policët u kidnapuan thellë në brendësi të territorit të Kosovës”, ndërsa të kundërtën e pohojnë autoritet e Serbisë. Një zëdhënës i Bashkimi Evropian Peter Stano, tha se BE "po e trajton si çështje urgjente situatën e krijuar në Kosovë dhe është në kontakt me Prishtinën, Beogradin dhe me përfaqësuesit e KFOR-it, për të verifikuar ngjarjet në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë”. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga forcat serbe. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller, tha në një  konferencën për medie se "ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi". Zëdhënësi Miller, tha gjithashtu se të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja. "Si pjesë e kësaj, kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë", tha zëdhënësi Miller, duke dënuar gjithashtu dhunën e protestuesve serb ndaj forcave të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve.

Fotografi: Alastair Pike/AFP/Getty Images

Britania e Madhe kërkon vetëpërmbajtje

Lirimin pa kushte të tre policëve kosovarë që po mbahen nga autoritetet serbe, e kërkoi edhe qeveria e Britanisë së Madhe, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për përmbajtje. "Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë të arrestuar më 14 qershor. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen maksimalisht, të evitojnë masat e njëanshme dhe të marrin veprime të menjëhershme për shtensionim. Ne i përsërisim thirrjet ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij, që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë detyrat e tyre nga lokacione alternative jashtë objekteve të komunave dhe që njësitet speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave. Zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e qeverisë britanike, ku inkurajohen serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Britania e Madhe pret që Kosova dhe Serbia "të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillohet, pa vonesa të mëtutjeshme, me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Fotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP/dpa/picture alliance

Kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, nga ana e tij, tha se "do t'i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, në një takim urgjent për menaxhim të krizave”. Kurse i dërguari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, tha se "palët nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës në rrugën drejt normalizimit të raporteve”. "Të dyja palët na thonë, le të bëjë pala tjetër atë që ju dëshironi ta bëjë, dhe ne premtojmë që do ta bëjmë pjesën tonë. Por, nuk funksionon ashtu. Filozofia jonë është që ju duhet të bëni diçka, ashtu që të mund të merrni diçka, hap pas hapi, duke ndërtuar besimin”, theksoi Lajçak, duke folur në kuadër të "Forumit të Prespës për Dialog”, që u mbajt të enjten në Strugë të Maqedonisë së Veriut. Lajçak tha se "për të çuar përpara procesin, duhet të ketë pajtim, dialog, guxim dhe vizion”, nga liderët e Kosovës dhe Serbisë. Kosova dhe Serbia me ndërmjetësim të BE-së, janë përfshirë në dialog për normalizim raportesh që nga viti 2011. Janë  nënshkruar një sërë marrëveshjesh, por, jo të gjitha janë zbatuar nga palët.

Shkallëzim i ri?

01:44

This browser does not support the video element.