1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

061011 Rettungsplan Euro

7 Tetor 2011

Nëntë ekonomistë nga e tërë Evropa ndërhyjnë me sa kanë fuqi për një ndërrim shablloni në krizën evropiane të huave: Një brez i ri obligacionesh shtetërore duhet të kompensojë huat e sotme dhe të shpëtojë euron.

Euro në greminë!
Euro në greminë!Fotografi: Fotolia/ChaotiC_PhotographY

Koncepti tingëllon gati tepër i bukur për të qenë i vërtetë: një zyrë e re (Administrata Evropiane e Huave, EDA) do të blejë një pjesë të madhe të sasisë së mbetur të obligacioneve të të gjitha vendeve të eurozonës dhe do t'i rigrupojnë. “Ripaketim” (repackaging) quhet ky proces nga nëntë ekonomistë drejtues nga gjithë Evropa, të cilët shprehen pro „super-obligacioneve“ të reja (ndër ta gjermani Markus Brunnermeier, profesor për ekonomi në Universitetin Princeton në SHBA, si dhe greku Dimitri Vyanos, profesor për financa në London School of Economics.

"'Super-obligacionet“ nuk çojnë në hua të reja"

David Thesmar, profesor ekonomie në HEC Paris.Fotografi: Thesmar

Edhe David Thesmar i HEC Business School (Hautes Etudes Commerciales) në Paris bën pjesë në këtë grup të nderuar. Ai i kushton rëndësi konstatitimit se „super-obligacionet“ nuk kanë si rrjedhojë hua të reja. „Nuk është fjala për të mbledhur hua të reja, po ne duam të zhvillojmë një mekanizëm për t'i ripaketuar huat e sotme. Kjo është fare e thjeshtë: Blihen huat e vjetra të shteteve të ndryshme të euros deri në një përqindje të caktuar të prodhimit të brendshëm bruto dhe këto para mblidhen në një fond të përbashkët. Në vijim ky fond nxjerr obligacione të reja, të ashtuquajturat ‘obligacione të sigurta evropiane'. Ato bëhen të sigurta dhe tërheqëse për investuesit sepse do të përputhen me rrezikun mesatar në euroztonë.“

Dallimi nga eurobondet shumë të diskutuara aktualisht qëndron te ajo që super-obligacionet nuk mbulojnë në masë të plotë huat e të gjitha shteteve të euros dhe kësisoj nuk i bëjnë të përbashkëta të gjitha rreziqet e interesave. Në vend të kësaj ekonomistët duan t'i trajtojnë ndryshe ekonomitë e ndryshme (përveç obligacioneve shumë të sigurta Administrata Evropiane e Huave do të nxjerrë edhe letra me vlerë më të rrezikshme, me interesa më të larta, të ashtuquajturit „juniobonds“, në të cilët futen gjithë rreziqet e mundshme të vendeve të zhytura thellë në hua).

Investuesve në obligacione greke u duhet të heqin dorë nga një pjesë e parave

Fotografi: picture alliance/dpa

„Investuesit e rinj do të mbajnë njëfarë rreziku, por ky rrezik do të jetë i dallueshëm qartë. Në rastin e një ristrukturimi të huave të Greqisë mekanizmi i ri do të thotë dy gjëra: ajo pjesë e huave greke që paguhet plotësisht, u kalohet obligacioneve të sigurta evropiane, ndërsa huat për të cilat nuk shlyhen më interesa u kalohen „junior bond-eve“ të rrezikshme. Me fjalë të tjera, investuesve që kanë investuar obligacione greke do t'u duhet edhe në këtë rast të heqin dorë nga një pjesë e parave të tyre“, shpjegon ekonomisti francez.

Ekonomistët e të ashtuquajturit „Euro-nomics Group“nuk duan të bëjnë reklamë me premtimin se do ta përballojnë krizën e huave me të parën. Për ta ka rëndësi që të thyejnë rrethin vicioz të krizave buxhetore dhe bankare, të cilat sipas gjykimit të tyre janë përgjegjëse për gjendjen ekonomikisht të keqe të këtyre ditëve: marrja e huave duhet të bëhet më pak tërheqëse. „Ne mendojmë se në thelb kriza e sotme është rezultat i faktit që para 2007-ës gjithnjë e më shumë investues kanë kërkuar për vende të sigurta. Për shembull, shumë njerëz patën investuar në hua greke, duke besuar gabimisht se depozitat e tyre ishin të sigurta. Për këtë arsye në një kohë interesash të ulëta huatë në Greqi, por edhe në Portugali ose Irlandë dolën jashtë kontrolli.“ Modelin e tyre ekonomistët ia kanë paraqitur tashmë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Uashington. Profesor Thesmar shpjegon se ekspertët e FMN-së kanë treguar interes dhe se do t'i studiojnë propozimet e grupit ‚Euro-nomics' hollësisht.

Autor: Jannis Papadimitriou / Elert Ajazaj

Redaktoi: A Verbica