1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Synet pas 14 vjeçësh?

Aida Cama23 Nëntor 2012

Qeveria federale kërkon t'u kthejë myslimanëve dhe hebrejëve sigurinë juridike për të ushtruar traditën. Synetllëku u quajt i paligjshëm nga një gjykatë gjermane.

Synetllëku u quajt i paligjshëm nga një gjykatë gjermane.Fotografi: AP

Në muajin maj 2012 Gjykata e Landit në Këln, e pati quajtur bërjen synet për motive fetare si dëmtim të paligjshëm të trupit duke shkaktuar kështu një valë të gjerë indinjimi. Jo pak hebrej dhe myslimanë e panë këtë vendim si vënie në pikëpyetje të akceptimit të tyre në Gjermani. Vendimi u pasua me debate të gjata mbi traditën kulturoro- fetare të bërjes synet të të rinjve në Gjermani. Këto debate, kritikon presidenti i Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani Dieter Graumann, "nuk janë bërë në asnjë vend tjetër me këtë ashpërsi, ftohtësi dhe intolerancë ndonjëherë brutale, sa në Gjermani".

Nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Këlnit u shkaktua një pasiguri e madhe ligjore në Gjermani. Sepse deri në ato momente në praktikat ligjore ka qenë e padiskutueshme që prindërit mund të aprovojnë edhe bërjen synet për arsye që nuk janë mjekësore. Me këtë situatë të vështirë u morr në muajin korrik Parlamenti gjerman. Parlamentarët e të gjitha partive morën një vendim që të vazhdojë të mundësojë edhe në të ardhmen jetën e hebrejve dhe jetën fetare. Qeverisë federale iu kërkua që të përpilonte një ligj.

Në muajin gusht me këtë tematikë u morr Këshilli gjerman i etikës. Ky organizëm këshilloi njëzëri që të krijohen standartet juridike dhe të zbatohen kërkesat minimale si deklaratën, trajtimin e dhimbjes dhe ekzekutim profesional.

"Sipas rregullave të artit mjekësor"

Kabineti federal përpiloi në muajin tetor projektligjin përkatës. Ministrja e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger (FDP) premtoi se siguria juridike do të rivendoset sërish. Vendet e tjera i ndjekin me kujdes debatet, theksoi ministrja duke treguar për rëndësinë e detyrës

Ceremoni synetllekuFotografi: picture-alliance/dpa

Sipas saj planet ishin që të plotësohej Kodi Civil nëpërmjet paragrafit 1631d. Ky i dedikohet vetëm synetit të fëmijëve të gjinisë mashkullore. Ndërhyrja duhet të vazhdojë të jetë e lejueshme, nëse bëhet "sipas rregullave të mjekësisë" dhe në raste kur nuk rrezikon shëndetin e fëmijës, për shembull në rastet e sëmundjeve të gjakut. Përveç kësaj në gjashtë muajt e para pas lindjes, nuk duhet të ushtrohet synetllëk nga jo mjekët, pra për shembull nga të ashtuquajturit mohels, të cilët bëjnë synetet tradicionale në komunitetin hebre. Në Gjermani jetojnë katër të tillë dhe sipas informacioneve të Këshillit Qendror hebre, ata janë pjesërisht mjekë dhe rabinë të shkolluar. Këshilli hebre ka njoftuar se do të hapë mundësitë e veta për specializim.

Edhe tek myslimanët ka mjeshtra tradicionalë të synetit. Në këtë traditë nuk ka rregulla fikse të moshës së fëmijës së gjinisë mashkullore. Edhe fëmijët që janë në gji të nënës dhe ata që ndodhen në bankat e shkollës mund të bëhen synet.

Lëndim trupor?

Këshilli Federal aprovoi në muajin nëntor projektligjin. Si Këshilli Qendror i Hebrejve ashtu edhe myslimanët e përshëndetën parimisht atë.

Ditën e enjte (22.11.2012) filluan këshillimet e projektligjit në pleniumin e Parlamentit gjerman. Në rend të ditës ndodhet edhe një projektligj alternativ, i cili është sjellë nga partitë e opozitës, Partia Socialdemokrate, Të majtët dhe Të gjelbërit. Ky parashikon që syneti të lejohet në përgjithësi mbas moshës 14 vjeçare. Vetë të prekurit dhe jo prindërit e tyre mund të marrin vendimin. Në fund të fundit bëhet fjalë për një ndërhyrje mjekësore.

Demostratë kundër vendimit të gjykatësFotografi: picture-alliance/dpa

Ky projekt alternativë bazohet tek kritikat e organizatave në mbrojtje të fëmijëve dhe shoqatave profesionale të mjekëve për fëmijë dhe të rinj. Kështu synetllëku sipas traditës hebreje, pak pas lindjes, përjashtohet si mundësi.

Rreziqet mjekësore të ndërhyrjes do të jenë edhe temë e dëgjimit të ekspertëve pas 26 nëntorit, në komisionin parlamentar të ligjeve.

Në botë nuk ka ndalim të synetit

Kemi të bëjmë në këtë rast në një traditë mijëra vjeçare që është futur në kultura dhe rrethe të ndryshme besimi në vende të ndryshme. Në besimn hebre syneti i foshnjave të gjinisë mashkullore në ditën e tetë të lindjes, është një rregull i detyrueshëm me rëndësi shumë të madhe dhe e krahasueshme me pagëzimin që bëhet në fenë kristiane. Baza e saj gjendet tek Tora, shkrimi i shenjtë i hebrejve, sipas të cilit Zoti e kërkon synetllëkun si shenjë simbolike të lidhjes së tij me popullin hebre.

Në fenë myslimane synetllëku tek sunitët dhe shiitët është i detyrueshëm dhe është pjesë e besimit mysliman. Nuk ka asnjë shtet në botë, thotë qeveria gjermane, që të ndalojë synetllëkun e djemve me motive fetare. Suedia është i vetmi vend që ka rregulluar me ligj që në vitin 2001 synetllëkun. Në SHBA synetllëku është pjesë e kujdesit bazë mjekësor dhe praktikohet çdo vit nga qindramijëra vetë.