1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të burgosurit e liruar mbërrijnë në Gjermani

2 Gusht 2024

Orët e para të lirisë: dy aeroplanë me të burgosur të liruar kanë zbritur në mëngjes në aeroportin e Këlnit/Bonnit. Kancelari Scholz i priti atje. Gjithsej pesë gjermanë ishin pjesë e marrëveshjes.

"Një moment i veçantë për mua”, kancelari federal Scholz, pas kthimit të të burgosurve politikë
"Një moment i veçantë për mua”, kancelari federal Scholz, pas kthimit të të burgosurve politikëFotografi: Christoph Reichwein/dpa-Pool/picture alliance

Pas shkëmbimit të të burgosurve mes Rusisë, Bjellorusisë dhe vendeve perëndimore, dy aeroplanë me të burgosur të liruar janë ulur në aeroportin e Këlnit/Bonnit, sipas agjencisë së lajmeve dpa. Kancelari Federal Olaf Scholz priti ish të burgosurit.

Të gjithë kanë mbërritur shëndoshë e mirë këtu”, tha kancelari. Ai foli gjatë me të ardhurit. "Ka qenë shumë emocionuese," tha Scholz. "Shumë nuk prisnin që kjo të ndodhte tani." Shumë kishin frikë për shëndetin dhe madje edhe jetën e tyre.

Scholz e quajti shkëmbimin një vendim të mençur. "Edhe kur ke ndonjë dyshim, atë e humbet atë pasi flet me ata që tani janë të lirë." Scholzi theksoi gjithashtu "se ata që duhet të kenë frikë për jetën e tyre, sepse kanë mbrojtur demokracinë dhe lirinë" mund të llogarisin se do të mbrohen. "Kjo është pjesë e imazhit tonë për veten si një shoqëri demokratike humaniste," tha kancelari.

Fotografi: Marvin Ibo Güngör/Bundesregierung/Getty Images

Lirimi i të burgosurve, vendim i vështirë

Scholz e përshkroi shkëmbimin e të burgosurve me Rusinë dhe partnerin e saj Bjellorusi si një vendim të vështirë, veçanërisht përballë lirimit të të ashtuquajturit vrasës të Tiergarten-it, Vadim Krassikov, i burgosur më parë në Gjermani. Presidenti rus Putin ishte veçanërisht i interesuar për Krassikov-in. Rusi u dënua në dhjetor 2021 për vrasjen e një gjeorgjiani në parkun Kleiner Tiergarten të Berlinit. Krasikov besohet se e ka kryer krimin i ngarkuar nga agjenci shtetërore ruse. "Askush nuk e mori me lehtësi këtë vendim," tha Scholz. Pas një diskutimi dhe shqyrtimi të kujdesshëm, koalicioni qeveritar e mori së bashku vendimin.

Zhgënjim për lirimin e Krassikov-it

Të afërmit e gjeorgjianit të vrarë shprehën zhgënjimin e tyre. As pesë vjet pas vrasjes, atentatori i punësuar nga kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, është sërish i lirë, kanë deklaruar familjarët e viktimës që jetojnë në Gjermani, sipas avokates së tyre Inga Schulz. Lirimi ishte një lajm dërrmues, shtuan ata.

"Nga njëra anë na vjen mirë që shpëtohet jeta e dikujt, në të njëjtën kohë jemi shumë të zhgënjyer, sepse duket se nuk ka ligj në botë, madje as në vendet ku ligji është autoriteti më i lartë”.

Putin: nderime për të burgosurit e liruar

Presidenti rus Putin i priti të burgosurit e liruar në aeroportin Vnukovo të Moskës. "Të gjithë ju do të propozoheni për nderime shtetërore”, tha ai në një fjalim. "Ne do të takohemi përsëri dhe do të flasim për të ardhmen tuaj. Tani dua t'ju përgëzoj për kthimin në vendin tuaj të origjinës."

Fotografi: Mikhail Voskresensky/ITAR-TASS/IMAGO

"Të afërmit reagojnë me lehtësim"

Familjarët e të dënuarve në Rusi reaguan me lehtësi për lirimin. "Ne nuk e besuam dhe nuk dinim asgjë deri në momentin e fundit," i tha Tatyana Jashina, nëna e aktivistit të opozitës ruse Ilya Jashin agjencisë së lajmeve AFP. Tani ajo ndihet e lodhur.

Jashini, 41 vjeç, ishte një i besuar i politikanit të opozitës Boris Nemtsov, i vrarë në vitin 2015 dhe një mik i Alexei Navalnyt, i cili vdiq në një kamp burgu rus.

Në fund të vitit 2022, atë e dënuan me tetë vjet e gjysmë burg për kritikimin e luftës ruse të agresionit në Ukrainë. Gruaja e aktivistit të liruar për të drejtat e njeriut Oleg Orlov, Tatyana Kasatkina, i tha AFP se nuk priste që shkëmbimi i të burgosurve të ishte kaq i madh. "Unë kam qenë në gjemba gjithë ditën," tha ajo. "Ai vetëm më mori në telefon dhe më tha: "A e di?", dhe unë i thashë "Po!"

Shkëmbimi më i madh i të burgosurve që nga fundi i Luftës së Ftohtë

Rusia liroi 16 të burgosur, pesë prej tyre me pasaporta gjermane. Mes tyre është edhe gjermani Rico K., i dënuar me vdekje në Bjellorusi dhe i falur. Shtetet e Bashkuara siguruan lirimin e gazetarit amerikan Evan Gershkovich dhe ish-marinsit Paul Whelan. Sipas zyrës presidenciale turke, shkëmbimi përfshin gjithsej 26 persona nga SHBA, Gjermania, Polonia, Sllovenia, Norvegjia, Rusia dhe Bjellorusia: është shkëmbimi më i madh i të burgosurve që nga fundi i Luftës së Ftohtë. 13 persona do të dërgoheshin në Gjermani dhe tre në Shtetet e Bashkuara. Në këmbim, dhjetë persona do të transferoheshin në Rusi. Sipas zyrës presidenciale turke, dy të mitur duket se janë në mesin e 26 personave të liruar.

Gershkovich perqafon te emen, Ella MilmanFotografi: Manuel Balce Ceneta/AP/dpa/picture alliance

Përqafime dhe falenderim për Gjermaninë

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris pritën mbrëmë (me orën lokale) gazetarin amerikan Evan Gershkovich dhe dy të burgosur të tjerë të liruar në Shtetet e Bashkuara.

Biden dhe Harris presin gazetarin Gershkovich pas shkëmbimit të të burgosurveFotografi: Manuel Balce Ceneta/AP/dpa/picture alliance

Gershkovich, ish-ushtari amerikan Paul Whelan dhe gazetarja Alsu Kurmasheva u pritën me brohoritje nga familja dhe miqtë që i prisnin në bazën e përbashkët Andrews, pranë Uashingtonit. "Është e mrekullueshme t'i mirëpresim ata në tokën amerikane”, deklaroi Biden.

Presidenti i SHBA theksoi gjithashtu një mirënjohje të veçantë për vendet si Gjermania dhe Sllovenia, bashkëpunimi i të cilave ka bërë të mundur shkëmbimin e të burgosurve.

Ai i detyrohet një falënderim të veçantë Kancelarit Federal Olaf Scholz, theksoi Biden. Scholz ishte treguar "i pabesueshëm". Gjatë negociatave me Rusinë, ishte bërë e qartë se shkëmbimi i të burgosurve nuk do të realizohej nëse nuk përfshinte lirimin e "vrasësit të Tiergarten"-it.

Gjermanisë iu desh të bënte lëshime të konsiderueshme, tha Biden-i, duke e ditur mirë se sa delikat ligjërisht është transferimi i terroristit shtetëror rus të dënuar për vrasje në Gjermani.

aud (dpa, tgsch)

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë