1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të drejta vetëm në letër - Ç'do të thotë të jesh homoseksual në Tiranë?

2 Mars 2010

Homoseksualet shqiptarë jetojnë kohë të vështira: mospranimi në një shoqëri konservatore u hap rrugën diskriminimit, dhunës fizike dhe vetëvrasjeve.

Pamje nga parada e homoseksualve ne Varshave
Fotografi: AP

"Kam bezdi kur kam afër ndonjë homo, me thënë të drejtën nuk e duroj dot, më vjen t'i fus një dru të mirë. Dreqi e mori çfare meshkujsh janë ata. Ta shpifin, nuk i shoh dot me sy." Ky burrë tiranas nuk është i vetmi që mendon kështu.

Bezdia, neveria, mospranimi janë shfaqjet më të hasura të homofobisë se burrave në Tiranë. Kur në metropolin e vendit, që ka një mendësi më të hapur, ka një perceptim të tillë të burrave ndaj pjesës së tyre homoseksuale, kuptohet sesi ai radikalizohet në qytete të tjera dhe në provinca të mbyllura të Shqipërisë. Nga ana tjetër një qëndrim i tillë i vetë burrave ndaj homoseksualitetit është një barometër për gjithë shoqërinë, shigjeta e të cilit arrin ngjyrën e kuqe të alarmit.

Sekret dje, e fshehtë sot

Erioni, 48 vjeç, është një nga homoseksualët e Tiranës. Përvojat e tij kapin dy kohë: të shkuarën komuniste dhe këto 20 vjet të një shoqërie demokratike: "Para viteve 90-të, në kohën e regjimit komunist ka qenë një tmerr i vërtetë të mendoje vetëm të thoje 'unë jam homoseksual', sepse kjo dënohej jo vetëm moralisht por edhe me ligj. Ka qenë një tmerr i vërtetë, mund të të dënonin me burg 7-10 vjet. Duhet ta mbaje sekret."

Erioni u shpëtoi burgjeve komuniste por nuk u ka shpëtuar dot fshehjes, frikës, diskriminimit, me të cilat ndeshej dhe po ndeshet në shoqërinë postkomuniste të Shqipërisë.

"Nuk mund ta mendoja se pas 20 vitesh, homoseksualët do të ishin përsëri të fshehur, përsëri të frikësuar, njerëz që do të arrinin deri në vetëvrasje, Vitin e kaluar pati tre vetëvrasje për shkak të braktisjes nga shoqëria, nga familja. Kjo tregon qartë se cila është situata në Shqipëri." - tregon ai.

Diskriminim i hapur

Diskriminimi ndaj homoseksualëve në Tiranë nuk është as i sofistikuar, as i fshehtë. "Është i hapur në ambiente publike, në institucione pune, është i dhunshëm. Kam qenë i pranishëm kur meshkuj kanë keqtrajtuar homoseksualë në mjedise publike, i kanë rrahur dhe goditur në mënyrë shtazarake. Policia jo vetëm nuk i mbron homoseksualët por arrin deri atje sa i godet vetë." - thotë Erioni.

Prandaj ai e mban të fshehtë që është homoseksual, atij i duhet t'ia fshehë shoqërisë dhe familjes preferencën e tij seksuale, ndonëse për këtë ndihet krejt i pafajshëm. Megjithatë për homoseksualët shqiptarë, për këta 'mëkatarë pa faj' një ndryshim ka ndodhur. Ligji 'Kundër diskriminimit' hyri në fuqi në fillim të këtij muaji.

Një ligj jo funksional, i destinuar të mbetet në letër

Ligji erdhi si një nismë e shoqërisë civile dhe u hartua në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë. Për Erionin ai është një hap pozitiv, por i pamjaftueshëm për të ndaluar diskriminimin dhe ndryshuar homofobinë e shoqërisë shqiptare. "Ai është një ligj i miratuar për të qenë në rregull me partnerët ndërkombëtarë dhe përmbushur kriteret për anëtarësimn së BE. Mendoj se ky ligj nuk do të jetë funksional, sepse shoqëria është agresive, vetë institucionet nuk kanë ende bindjen për të mbrojtur të drejtat e homoseksualit. Edhe institucionet që do ta zbatojnë këtë ligj vijnë po nga kjo shoqëri që është diskriminuese. Kjo fjalë më duket e butë, homoseksualët në Shqipëri janë të trembur, nuk ndodh që të dalin hapur, pra i parandjejnë të gjitha rreziqet që u kanosen," - thotë Erioni.

Shpresat dhe mbijetesa e homoseksualeve ne Shqiperi

Erioni po u mbijeton rreziqeve. Ai nuk ka ndër mend të largohet drejt një vendi të Evropës Perëndimore, ku homoseksualët si ai gëzojnë të drejtat që u garanton zbatimi i ligjit dhe mendësia e një shoqërie që e pranon atë që është ndryshe nga shumica. "Dua të kontriboj që edhe në Shqipëri të vijë një ndryshim jo ligjor por një ndryshim real, funksional për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve. Shpresoj që pas disa vitesh, nëse bisedojmë prapë, të mos e besoj që t'i kem thënë unë këto fjalë, sepse edhe ne meritojmë të kemi një vend në shoqëri."

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Esat Ahmeti