1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të Gjelbrit theksojnë profilin në politikën e jashtme

14 Qershor 2021

Të Gjelbrit kundërshtojnë gazsjellësin Nordstream 2. Ndaj sistemeve autoritare ata duan "dialog dhe ashpërsi".

Deutschland | Bundesparteitag der Grünen | Baerbock und Habeck
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Pas debateve mbi çështjet sociale, ekologjinë dhe ndërveprimin shoqëror, të Gjelbrit përfunduan të dielën (13.06.) kongresin treditor të partisë. Në rendin e ditës: diskutime mbi politikën e jashtme dhe të mbrojtjes dhe një votim përfundimtar për programin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare në Gjermani.

Kandidatja për kancelare Annalena Baerbock,e  cila u kurorëzua si kandidate në këtë kongres, theksoi që në fjalimin e saj në kongres se në këtë fushë, të drejtat e njeriut si parim i përgjithshëm duhet të kenë më shumë peshë, se sa interesat ekonomike.

Të Gjelbrit refuzojnë gazsjellësin gjermano-rus Nord Stream 2, i cili mbështetet nga koalicioni qeveritar konservator unionist dhe nga socialdemokratët, për arsye gjeopolitike dhe të mbrojtjes së klimës. Përsa u përket regjimeve autoritare, nga këndvështrimi i Baerbock-ut, një kombinim i "dialogut dhe ashpërsisë" është rruga e duhur.

Kurs kritik ndaj Kinës dhe Rusisë

Të Gjelbrit kërkojnë që Kina "t'u japë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut prej saj, për shembull në Xinjiang dhe Tibet dhe gjithnjë e më shumë në Hong Kong", kështu vendosën delegatët në kongresin virtual të partisë të dielën. Një dialog konstruktiv është i nevojshëm kur është e mundur, por gjithashtu edhe "kundërstrategji të qarta", nëse Kina përpiqet të dobësojë standardet ndërkombëtare, u tha në kongresin e Të Gjelbërve.

Annalena BaerbockFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Të Gjelbrit dëshirojnë bashkëpunim në politikën e klimës. Rusia është kthyer "gjithnjë e më shumë në një shtet autoritar dhe po dëmton gjithnjë e më shumë demokracinë dhe stabilitetin në BE dhe në fqinjësinë e përbashkët", shkruhet në programin e Të Gjelbërve. E rëndësishme është të mbështetet shoqëria civile. Sanksionet kundër udhëheqjes ruse duhet të ashpërsohen, nëse është e nevojshme. Kërkesat në kongres për qëndrime më pak kritike ndaj Kinës dhe Rusisë, u refuzuan me shumicë të qartë.

Jo parimisht kundër përdorimit të dronëve luftarake

Të Gjelbrit nuk e refuzojnë më kategorikisht prokurimin e dronëve të armatosur për ushtrinë gjermane, kur ato ofrojnë mbrojtje më të mirë për ushtarët në zona operacionale në situata të caktuara. Ky formulim u votua me 347 vota pro dhe 343 kundër.

"Prandaj duhet të bëhet e qartë që përpara se të merret një vendim në lidhje me këtë prokurim, se për cilët skenarë misionesh të ushtrisë gjermane bëhet fjalë."

Një përdorim i dronëve për "vrasje pa gjyq dhe veprime të tjera në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar" nuk është në përputhje me kushtetutën gjermane dhe me të drejtën ushtarake gjermane, u deklarua.

Gjatë diskutimeve të mëparshme mbi programin zgjedhor, delegatët të premten dhe të shtunën ndoqën linjën e kryesisë federale për të gjitha temat. Kongresi i partisë i hodhi poshtë shumicën e mocioneve për programin e partisë.

 

 

aud (dpa, rtr, zdf)