1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të Gjelbrit gjermanë me kryetarë të rinj

30 Janar 2022

Në kongresin digjital Të Gjelbrit gjermanë zgjodhën Ricarda Lang dhe Omid Nouripour si kryetarë të rinj të partisë. Rezultati duhet të konfirmohet me votimin me letër.

Kombobild Omid Nouripour und Ricarda Lang
Fotografi: Kay Nietfeld/Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Të Gjelbrit kanë tanimë dy kryetarët e rinj. Në një kongres digjital të shtunën (29.01.) 28 vjeçarja, Ricarda Lang mori 552 vota dhe me këtë arriti 76% të votave. Lang është kryetarja më e re e partisë në historinë 40-vjeçare të Të Gjelbërve, ajo nuk kishte një kundërkandidate. Kurse deputeti i Bundestagut, Omid Nouripour mori 621 vota nga 752 vota të dorëzuara, që i përgjigjet një votimi 82%. 46 vjeçari arriti të fitojë kundër dy kandidatëve. Rezultati zgjedhor duhet të konfirmohet nga vota me letër. Të Gjelbrit kanë kohë që drejtohen nga një kryesi e dyfishtë.

Ricarda LangFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Klima dhe shoqëria e drejtë

Kryetarja e re e partisë, Ricarda Lang zëvendëson kështu Annalena Baerbock, që në koalicionin e ri qeveritar mban postin e ministres së Jashtme. Baerbock së bashku me Habeck drejtuan për katër vjet partinë. Habeck është tani ministër i Ekonomisë dhe Klimës në qeverinë e re. Kryetarja e re e partisë, Ricarda Lang ka qenë zëvendëskryetare dhe zëdhënëse e Të Gjelbërve për gruan, dhe pjesë e kryesisë së Të Gjelbërve nga viti 2019. Me këtë ajo ka qenë pjesë edhe e vendimit të kontestuar në dhjetor 2020, me të cilin kryesia miratoi një bonus prej 1500 eurosh për të gjithë punonjësit e qendrës federale të partisë duke përfshirë edhe veten. Prokuroria e Berlinin po heton në këtë çështje për keqpërdorim fondesh.

Omid NouripourFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Lang ka hyrë në Bundestag për herë të parë në zgjedhjet e shtatorit vitin e kaluar. Ajo bëri thirrje në fjalimin e saj që Të Gjelbrit të lidhin mbrojtjen e klimës me një shoqëri të drejtë, e ta bëjnë këtë bazë të politikës së tyre. Së bashku me Ricarda Lang, kryetari tjetër i partisë, Nouripour kërkon të arrijë që Të Gjelbrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kenë një shans real për zgjedhur kancelaren/in e ardhshëm të Gjermanisë. Me kandidaturën e tij, Nouripour kërkon të motivojë njerëzit me sfond migrimi të angazhohen politikisht, tha Nouripour që ka lindur në Iran.

la/uh/qu (dpa, afp, rtr)