Të gjithë e duan Gjermaninë
27 Maj 2013Lista e paragjykimeve kundër gjermanëve është e gjatë. Krahas klisheve pa zarar, që prej shpërthimit të krizës së euros Gjermanisë i duhet të luftojë edhe kundër paragjykimeve të vjetra politike: gazetat e huaja e paraqesin kancelaren Merkel me mustaqe Hitleri ose me helmetë me majë prusiane, për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikës së kursimit të kancelares.
Kjo në një kohë kur imazhi i Republikës Federale Gjermane është shumë më i mirë se mendohej, siç tregon një studim i transmetuesit britanik BBC. Rreth 26.000 vetë në 25 vende në të gjithë botën u pyetën për mendimin e tyre për 16 vende dhe për BE. Rezultati: 59 përqind e të pyeturve e vlerësuan ndikimin e Gjermanisë si „kryesisht pozitiv“. Kështu, në bazë të këtij studimi, Gjermania zë vendin e parë, e ndjekur nga Kanadaja dhe Britania e Madhe. Vendet e fundit në studim i zënë Irani dhe Pakistani.
Stabiliteti në eurokrizë
Po pse janë kaq të mira rezultatet për Gjermaninë? Për shkaqet vetëm mund të spekullohet, thotë Sam Mountford, drejtor i GlobeScan, në bisedë me Deutsche Wellen. Instituti i studimit të opinionit e kreu studimin i ngarkuar nga BBC.
"Ajo që mund të themi, është se vendet, të cilat kanë arritur rezultate të mira në studim janë të pasura, stabile dhe demokratike.“ Nga anketimet e kaluara njihet se është para së gjithash ekonomia e fortë e Gjermanisë që i siguron Gjermanisë nota të mira. Veçanërisht e preferuar është Gjermania në Evropë. Kështu, 81 përqind e francezëve dhe 78 përqind e britanikëve kanë mendim të mirë për Gjermaninë. Vetëm Greqia e tronditur nga kriza bën vlerësim negativ. Edhe në Indi e në Pakistan, preferenca për Gjermaninë është mesatare.
Para së gjithash të tërheqin vëmendjen notat e mira nga Anglia, sepse edhe dekada pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania shihej si me dyshim në Mbretërinë e Bashkuar.
Por ndryshimi i qendrimit mund të vihet re edhe pavarësisht nga anketimi i BBC-së. Kështu, gazeta bulevardeske „Sun“ përmendte në fillim të vitit dhjetë shkaqe, se pse duhet të duhet Gjermania: krahas topmodeleve Claudia Schiffer dhe Heidi Klum, gazeta vlerësonte edhe markat gjermane të automobilave, Audi, VW dhe Mercedes, festën e birrës në tetor dhe Boris Beckerin, që ka fituar disa herë turneun e tenisit në Wimbledon. Për Mountford përmirësimi i imazhit është para së gjithash i natyrës ekonomike: “Britanikët shohin stabilitetin, që Gjermania mund t'i ofrojë Eurozonës. Dhe ai është edhe në interesin e Britanisë së Madhe.“
Ndryshimi i imazhit nga aktivitetet e mëdha
Aktivitetet e mëdha, si Expo 2000 në Hanover, Kampionati Botëror i Futbollit i meshkujve, më 2006, si dhe Kampionati Botëror i Futbollit i femrave, më 2011 i dhanë mundësi Gjermanisë që ta paraqesë veten për një kohë të gjatë pozitivisht. Këtu luajnë rol pra edhe faktorë emocionalë.
Para së gjithash Berlini me klubet e pafundme dhe me pijetoret ka statusin e një kulti te amerikanët e rinj, tek evropianët dhe tek izraelitët. Të tjerë vlerësojnë anën e rehatshme të Gjermanisë. Jo vetëm tregjet e mëdha të Krishtlindjeve në Dresden dhe në Nyrnberg janë të preferuara të turistët, edhe tregjet e qyteteve më të vogla si Esslingen apo Goslar po kthehen gjithnjë e më shumë në pika tërheqjeje për turistët.
Edhe fakti që gjermanët, përndryshe shumë kritikë për veten, kanë filluar ta pëlqejnë veten, luan një rol. Sepse ai që e pëlqen veten, u kujton edhe të tjerëve që është për t'u pëlqyer.