1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut në pritje të rezultateve të zgjedhjeve

16 Korrik 2020

Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja duket se prin në zgjedhjet në Maqedoni. Por edhe VMRO-DPMNE pretendon fitoren.

Nord-Mazedonien Skopje | Parlamentwahlen
Fotografi: DW/P. Stojanovski

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njofton se nga përpunimi i rezultateve të 93.96% të votave, koalicioni "Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja prin me 36.13 për qind, VMRO-DPMNE me 34.65 për qind, BDI me 11.57 për qind, dhe koalicioni ASH- Alternativa me 8.79 për qind. Partia e Majtë ka 3,96 për qind, PDSH 1.48 për qind dhe Integra 1.33 për qind. Rezultatet përfundimtare të shndërruara në numër deputetësh pritet të shpallen gjatë ditës së enjte. Në bazë të këtyre rezultateve deri tani duket se LSDM do të fitojë mandatin për të formuar një qeveri të re.

 Zaev: Fituam në zgjedhje evropiane dhe demokratike

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev tha pas zgjedhjeve: "Me një avantazh bindës dhe të qëndrueshëm me mbi tre mandate para VMRO-DPMNE-së, me mundësi për një ose dy mandate më tepër, koalicioni "Mundemi” është fitues në këto zgjedhje parlamentare.”

Zoran ZaevFotografi: Reuters/O. Teofilovski

Ai i vlerësoi zgjedhjet si evropiane, të sigurta dhe bashkëkohore si dhe falënderoi të gjithë ata që dolën për të votuar.

"Sot fitoi e ardhmja, fitoi përparimi. "Koncepti -një shoqëri për të gjithë i mundi përçarjet,” është shpreh Zaev.

Ahmeti: BDI fituese absolute tek blloku politik shqiptar

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se BDI është fitues absolut në kampin politik shqiptar me mbi 100 mijë vota.

Ali AhmetiFotografi: DW/P. Stojanovski

"Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që në këto rrethana paksa të vështira iu përgjigjen thirrjes për dalje në zgjedhje. Me këtë fitore të BDI-së kanë fituar shqiptarët, nuk ka humb askush sepse ne këtu jemi dalëzotës të vërtetë ashtu siç kemi qenë 18 vite me rradhë”, ka deklaruar Ahmeti.

Sela: Do të ankimojmë se ka pasur mbushje të kutive

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela ka deklaruar se ASH dhe koalicioni ka dalë fitues në disa komuna por janë duke pritur rezultate finale në gjithë vendin. Ai ka bërë të ditur se do të ankimojë disa vendvotime në Saraj ku sipas tij ka pasur mbushje të kutive të votimit.

"Uroj të gjithë aktivistët për betejën që e kanë bërë. Rezultatet që i kemi si shtab flasin që koalicioni në njësinë 6 është duke fituar. Jemi përpara në Bërvenicë, Gostivarë, Tearcë, jemi duke pritur rezultate nga Tetova ku jemi të balancuar. Kemi fituar në Haraçinë dhe është kthyer bastioni i shqiptarëve. Në Saraj do ti ankimojmë disa vendvotime për shkak të mbushjes së kutive. Unë ju lutem për durim në mënyrë që ti shohim edhe rezultatet finale”, ka deklaruar Ziadin Sela.

VMRO-DPMNE thotë se ka fituar opozita maqedonase

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së Igor Janushev ka vlerësuar se qytetarët kanë dënuar politikat e dëmshme të qeverisë së LSDM-së. Sipas tij nga rezultatet e deritanishme të përpunuara VMRO-DPMNE prin me 10 mijë vota ndaj LSDM-së.

Fotografi: DW/P. Stojanovski

"Maqedonia sot vendosi për ndryshim dhe ripërtritje. Qytetarët dolën masovikisht për të dënuar këtë politikë të dëmshme të qeverisë. Pason fitorja e madhe e qytetarëve ndaj qeverisë. Ka pasur edhe shumë parregullësi nga frika e LSDM-së dhe Zoran Zaevit.Janë evidentuar shumë parregullësi dhe presione ndaj administratorëve”, ka deklaruar Janushev.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka thënë përmes rrjetit social Facebook se zgjedhjet ishin të qeta.

"Pavarësisht se kush do të fitojë, pres që të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor t'i urojnë njëri-tjetrit, siç i takon një vendi demokratik”, ka shkruar Pendarovski.

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut