1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të harruar dhe të braktisur - Fëmijët e pastrehë të Ukrainës

Volodimir Mediani9 Nëntor 2006

Në Ukrainë numri i fëmijëve të pastrehë po rritet në mënyrë alarmuese. Shumica prej tyre janë fëmijë që ikin nga familjet e tyre apo që nuk mund të kthehen më në shtëpitë e tyre. Meqënëse sistemi social nuk funksionon siç duhet në Ukrainë, këta fëmijë nuk mund të presin ndihmë nga iniciativat qytetare

Fotografi: AP

Një ndër sallat më të bukura të koncerteve në Odesa - Filarmonia shtetërore. Këtu mblidhen me kënaqësi të pasurit e qytetit për të dëgjuar muzikantë me famë. Biletat tepër të shtrenjta të hyrjes shiten menjëherë. Për qytetarët e pasur të qytetit, kjo sallë është një vend i rëndësishëm, për të parë dhe për t´u parë nga të tjerët.

Por përveç kësaj pjese tepër xixëlluese në Odesa ekziston edhe një realitet tjetër: kanale të bllokuara, qilare dhe shtëpi të braktisura përdoren nga fëmijët e rrugëve si banesa. Edhe ata mblidhen në qendër të qytetit, por jo për të degjuar muzikantët e famshëm, por për të pritur bukën e ngrohtë.

"Ne po nisemi tani. Po bëjmë si të thuash një "xhiro sociale". Po u çojmë fëmijëve ushqime dhe ilaçe. Po shkojmë në një zonë që ndodhet në qendër të qytetit, aty ku mblidhen normalisht shumë fëmijë. Ata e dinë që ne vijmë gjithmonë në ditë dhe orare të caktuara."

Vitalij Demeshin i organizatës "Rruga për në shtëpi" merr rregullisht pjesë në misione të tilla, për t´u ardhur në ndihmë fëmijëve që jetojnë në rrugë. Askush nuk mund të thotë me saktësi se sa fëmijë të tillë jetojnë në Ukrainë. Statistikat zyrtare mungojnë dhe zyrat përkatëse e injorojnë ku të munden këtë problem. Sipas burimeve jozyrtare të iniciativave qytetare, vetëm në Odesa jetojnë rreth 3.000 fëmijë të pastrehë. Ata rrjedhin nga rajone të ndryshme të Ukrainës, por edhe nga vende fqinje si Rusia, Moldavia apo Bjellorusia. Kryetari i organizatës "Rruga për në shtëpi", Sergij Kostin tregon:

"Disa prej tyre largohen nga shtëpitë, sepse nuk e durojnë dot më dhunën në familje apo abuzimet seksuale. Nganjëherë prindërit nuk kanë kohë për fëmijët e tyre. Shumë fëmijë ikin edhe për shkak të varfërisë. Shpesh prindërit e këtyre fëmijëve janë të varur nga droga apo kanë probelme serioze me alkoholin."

Organizata "Rruga për në shtëpi" nuk përqëdrohet vetëm në ndarjen e ushqimit dhe ilaçeve. Bashkëpunëtorët e saj i ndihmojnë fëmijët edhe për t´u pajisur sërish me letërnjoftime. Ata përpiqen të gjejnë për fëmijët familjet apo të afërm, në mënyrë që fëmijët të kenë një shans për t´u pajtuar sërish me familjet e tyre. Kjo organizatë ka hapur që prej 10 vitesh një qendër edukuese dhe çlodhëse, ku fëmijët mund të vijnë dhe të harrojnë për disa orë vështirësitë e jetës së rrugës.

Drejtoresha e kësaj qendre, Svitlana Vanik tregon: "Fëmijët vijnë tek ne për të ngrënë, për t´u larë apo për të parë TV. Shpesh ata sjellin edhe shokë me vete, që janë duke vdekur, sepse ambulancat shtetërore nuk vijnë edhe në rast se fëmijët i marrin ata në telefon. Mjekët vijnë vetëm në rast se merren në telefon nga një organizatë, si e jonë për shembull."

Fëmijët e rrugëve ndajnë me njëri-tjetrin gjithçka që kanë - ushqim, cigare, drogë, seksin dhe sëmundjet. Sipas rezultateve të një studimi të qendrës për luftimin e Sidës në Odesa, rreth 40 përqind e fëmijëve që jetojnë në rrugë janë të infektuar me HIV dhe kanë nevojë akute për terapi.

Por pikërisht këtu fillon problemi tjetër, shpjegon Svitlana Vanik:"Në rast se fëmija i sëmurë nuk ka letërnjoftim, ai nuk trajtohet nga mjekët. Kështu është situata në vendin tonë. Ne kemi biseduar me UNICEF-in mbi këtë problem dhe na kanë premtuar se do të na ndihmojnë."

Ndërkohë "xhiroja sociale" është kthyer nga misioni i saj. Kjo xhiro do të bëhet përditë, për t´u dhënë fëmijëve të Odesës ushqim dhe ilaçe. Bashkëpunëtorët e organizatës "Rruga për në shtëpi" e dinë se përveç tyre, askush nuk kujdeset për këta fëmijë.