1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Përkujtimi i viktimave, luftë për demokraci"

1 Shkurt 2019

86-vjeçari Saul Friedländer, i cili ka mbijetuar Holokaustin i kthehet mbrapsht gjuhës së fëmijërisë, gjermanishtes. Fjalimi i tij në kujtim të viktimave të nacionalsocializmit është emocionues.

Deutschland Holocaust Gedenkstunde im Bundestag Saul Friedländer
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

"Ne të gjithë shpresojmë që të kemi stabilitet morali, që të vazhdojmë të luftojmë për tolerancë dhe inklusivitet, humanizëm dhe liri, shkur për demokracinë e vërtet." Një shpresë si detyrë. Gati 30 minuta foli Saul Friedländer para parlamentit gjerman, Bundestag, në përkujtim të viktimave të Holokaustit. 86 vjeçari tregon për ikjen e tij, si gjashtëvjeçar së bashku me prindërit, ai tregon për momentet kur prindërit u ndanë nga i biri. "Ai ka qenë takimi ynë i fundit". Kur ai tha këto fjalë, salla plenare u pushtua nga heshtja.

Që prej vitit 1996, ekziston "Dita e përkujtimit të viktimave të nacionalsocializmit", të cilën presidenti i atëhershëm gjerman Roman Herzog e vendosi për 27 janar, ditën e çlirimit të kampit gjerman të përqëndrimit Aushvic, nga Ushtria e Kuqe. Përkujtimi është moment përqëndrimi në bërjen e politikës. Gjysmështize në Rajhshtag, atmosferë e qetë në sallë, muzikë e qetë. Gjermania zyrtare kujton viktimat e nacionalsocializmit, gjashtë milionë hebrejve të vrarë, si dhe romëve dhe sinti, dhe njerzëve me aftësi të kufizuara.

Saul Friedländer, duke folur para parlamentit gjermanFotografi: Reuters/H. Hanschke

Një fat, që ndahet prej shumë vetëve

Dhe si shpesh nëpër këto përkujtime, një i mbijetuar, një dëshmitar i kohës, një viktimë i dhuron deputetëve dhe të tashmes historinë e tij personale, që flet gjithnjë për shumë fate të tjerë. Ai pati lindur më 1932 në Pragë, dhe morri emrin Pavel. Ai i mbijetoi periudhës naziste me emrin Paul- Henri, në një internat katolik në Francë, më 1948 ai shkoi në Izrael dhe morrin emrin Shaul, i cili u kthye në Saul. Kur flet Friedländer i thotë dëgjuesve, "që do flasë në gjuhën e fëmijërisë. Një gjuhë që e kisha harruar për shumë vjet." Që është një gjermanishte e pastër.

Pleniumi është me shumë vende bosh. Bluja bie në sy në radhët e mbrapme të të gjitha fraksioneve. Sigurisht që edhe deputetët mund t'i ketë zënë gripi. Dhe politika ka shumë detyrime. Por sot, kur ata që mbajnë fjalën shohin përpara, ndeshin me 40 karrige bosh, vetëm në fraksionin kristiandemokrat-kristiansocial. Do ishin edhe më shumë vende bosh nëse rradhët e fundit nuk do të ishin mbushur me nxënës. Ata bëjnë zhurmë dhe tërheqin vëmendjen.
Presidenti Frank-Walter Steinmeier, përcjell të ftuarin në sallë, me kancelaren, presidentin e Gjykatës Kushtetuese, presidentin e Këshillit Federal. Disa prej lëvizjeve duken si ritual. Mund të thuash. Por gjithnjë kemi të bëjmë me një fjalim të madh, që i lë të gjithë pa frymë. Këta dëshmitarë që japin dëshimi. Dhuratë, paralajmërim, detyrim.

Friedländer është një nga historianët më të mëdhenj në studimin e Holokaustit. Ai bën punë të rëndësishme sqaruese mbi të përditshmen e vrasjes industriale dhe indiferencën e popullsisë, që e dinte shumë mirë që po ndodhte një genocid. Këtë ai e tregon shkurtimisht. Por shumë emocionuese fjalimi i tij ishte kur ai siç tha, shkëputet nga "njohuritë e përgjithshme" për t'iu përkushtuar fatit të prindërve të tij. Prindërit e tij u vranë në Aushvic. "Unë pyes veten shpesh, çfarë kanë folur prindërit e mi gjatë tre ditëve rrugë." Njeriu e kupton, se pyetja sa e vështirë ka qenë rruga me tren për në Aushvic, është për të një pyetje që nuk e harron dot.

Në këtë përkujtim të 24 në Bundestag, flasin edhe deputetët për eskalimin e situatës në përkujtimet e zhvilluara në parlamentin e Landit të Bavarisë, një javë më parë. Aty foli dëshmitarja, Charlotte Knobloch (86), në moshë pak ditë më e re se Friedländer. Dhe ish presidentja e Këshillit Qëndror të hebrejve në Gjermani foli për frikën që ka në Gjermaninë e 2019-ës, e quajti AfD populiste të djathtë si armike të kushtetutës dhe e akuzoi atë se shkel vlerat demokratike. Pjesa më e madhe e anëtarëve të AfD u larguan nga salla.

Rrezik për demokracinë

Knobloch është ulur këtë të martë në tribunën e miqve të parlamentit, krah pasardhësit të saj, Josef Schuster, krah disa të mbijetuarve të tjerë, miqve, klerikëve hebrej dhe të kishës, si dhe sekretarit të përgjithshëm të Këshillit qendror të myslimanëve. Disa metra më tej pasojnë ambasadorët e ndryshëm, mes të cilëve ai i Izraelit, SHBA dhe Vatikanit.
Edhe Friedländer, i cili jeton në Izrael flet për rreziqet e reja për demokracinë. Ai nuk e përmend AfD. Por, ai akuzon antisemitizmin, dhe "urrejtjen ndaj të huajve dhe praktikat e sundimit autoritar", dhe "nacionalizmin që po ashpërsohet gjithnjë e më shumë". Ato "janë në një marrshim që krijon shqetësim". Dhe ai kritikon të djathtën ekstreme po ashtu si të majtën ekstreme, të cilët venë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së shtetit të Izraelit. Sot antisemitizmi ka veshje të re dhe veshje të vjetër. Në duartrokitjen marrin pjesë madje edhe disa anëtarë të AfD dhe të Të majtës.

Bundestagu gjerman kujton HolokaustinFotografi: Reuters/H. Hanschke

Duartrokitje në këmbë

Kur Friedländer i jep fund fjalimit të tij dhe çohet ngadalë nga karrigia në pultin e fjalimeve, fillojnë duartrokitjet. Në të gjithë fraksionet deputetët çohen në këmbë, edhe të AfD dhe të Majtët. E gjithë salla çohet në këmbë dhe nuk pushon së duartrokituri. Ky nuk është ritual.

Në fund një kuartet harqesh nga Praga, vendlinjda e Friedländerit luan muzikë nga Viktor Ullmann. Një komponist i talentuar austriak që vdiq në Aushvic. Adagio e shkurtër pasqyron dramatikën e kujtimit. Duket e lehtë për tu dëgjuar, por është gjithë tension.

Pastaj qetësa merr fund. Atmosfera mbetet e njëjtë. Shihen fytyra të menduara. Josef Schuster, president i Këshillit Qendror të hebrejve, vlerëson para kamerave fjalimin e Friedländerit. Një fjalim, i cili aprovohet prej çdo njeriu që merret me politikë. Schuster flet edhe për sjelljen e AfD për fjalimin e Knobloch, në Mynih. "Qeni i trazuar leh. Pikërisht këtë përjetuam atë ditë në parlamentin bavarez."

Presidenti Steinmeier kthehet në Kështjellën Bellevue. Sepse të nesërmen ai do të flasë me nxënësit dhe nxënëset që ndodheshin në Bundestag për përgjegjësinë e kujtesës. Përjashta koha hapet. Ditë dimri me qiell blu. Flamujtë mbi parlament valëviten në gjysmështizë nga era e ftohë.