Libyen UN Flugverbot
15 Mars 2011Përderisa e tërë bota me brengosje të mëdha po shikon drejt Japonisë dhe katastrofës më të madhe natyrore, që ka goditur këtë vend, trupat e Gaddafit kanë vazhduar luftën e tyre brutale kundër kryengritësve. Forcat e diktatorit po i kthejnë nën kontroll një nga një qytetet e humbura gjatë muajit shkurt në lindje të Libisë. Dhe gjatë këtyre ndërhyrjeve nuk po hezitojnë aspak të përdorin edhe avionët luftarakë.
Për këtë shkak duket si e qëlluar dëshira e Ligës Arabe që në këtë vend të vendoset një zonë e ndalim-fluturimit. Megjithatë përbajtja e deritanishme e bashkësisë ndërkombëtare është me vend. Zbatimi i ndalim-fluturimit mbi këtë vend të madh në shkretëtirë është shumë më i komplikuar se sa në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 90-të, apo në veriun e Irakut. Pasoja e kësaj mase mund të jetë një luftë e gjatë me një dinamikë dhe me pasoja të paparashikueshme për sigurinë në mbarë rajonin. Sa e brishtë është gjendja e sigurisë atje, shihet edhe nga rasti i ndërhyrjes së trupave saudite në Emiratin Bahrejn.
Kërkesa kontradiktore
As kërkesat e Ligës Arabe nuk janë tepër të qarta: në njërën anë kërkohet vendosja e një zone të ndalim-fluturimit, ndërsa në anën tjetër refuzohet ndërhyrja e mundshme ushtarake. Kjo nuk është bazë e mirë për një mandat të qartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në veçanti kur dihet se vendet fqinje të Libisë deri tani nuk kanë dhënë asnjë sinjal se janë të gatshme që të ndihmojnë zbatimin e vendimit për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit. Hedhja e përgjegjësisë vetëm mbi vendet perëndimore mund të çojë ujë në mullirin e atyre, për të cilët dyshohet se me këtë ndërhyrje duan të realizojnë vetëm interesat e tyre.
Para shpjegimit të plotë të modaliteteve dhe përmasave të një mandati për ndërhyrje ushtarake duhet treguar kujdes dhe përmbajtje. Pritja është shumë e hidhur për popullatën, që gjendet në zonat e çliruara. Por as populli i Libisë nuk mund të përfitojë asgjë nga përshkallëzimi i një lufte. Ndërhyrja mund të jetë legjitime, vetëm në qoftë se bashkësia ndërkombëtare është unike dhe ka një mandat të qartë. Deri atëherë shpresat e kryengritësve duhet të bazohen tek pasojat e izolimit të regjimit dhe fakti që një diktator nuk mund të mbetet përgjithmonë në pushtet kundër vullnetit të popullit.
Autor: Daniel Scheshkewitz
Redaktoi: Angjelina Verbica