040711 Senioren Deutschland
5 Korrik 2011
"Plak dhe që hiqet zvarrë" është një formulim i zakonshëm në gjermanisht - por ky formulim përputhet gjithnjë e më rrallë me realitetin. Të paktën kur bëhet fjalë për shumicën e 60 deri 80 vjeçarëve. Dieter Hackler, drejtor në Ministrinë Federale për Familjen, të Moshuarit, Gratë dhe Rininë sqaron:
" Ne vazhdojmë të kemi ende një përfytyrim për të moshuarit, që nuk i përgjigjet faktit që të moshuarit janë kryesisht mirë me shëndet dhe të arsimuar mirë. Përfytyrimi ynë për të moshuarit vazhdon të karakterizohet nga sëmundjet, nevoja për përkujdesje. Dhe prandaj ne hedhim dëm shumë shanse, që të moshuarit ofrojnë për shoqërinë tonë."
Ambjenti ku rritesh ndikon jetëgjatësinë
Dieter Hackleri është për një përfytyrim të diferencuar të të moshuarve, që t'i përgjigjet realitetit ku jetojnë të moshuarit. Kjo veçanërisht edhe sepse rendimenti i secilit është i ndryshëm. Ai varet edhe nga ambjenti social, thekson profesori Gerhard Wegner. Ai është drejtor i Institutit të Shkencave sociale të Kishës Evangjelike në Gjermani:
"Fakti nëse dikush ka jetuar që fëmi në kushte veçanërisht të përshtatshme jetësore, apo nëse ai vjen nga varfëria, luan rol. Nga kjo varet shumë se në ç'gjendje fizike është dikush në pleqëri. Prandaj, në qendër të vëmendjes duhet çuar e gjithë jeta, deri në jetëgjatësinë, e cila varion në përputhje me këtë. Njerëz që rriten në rrethana të mira jetësore kanë një jetëgjatësi deri dhjetë vjet më të lartë se njerëz që rriten në varfëri."
Angazhim social dhe kontakte
Këtu bëhet e qartë se sa relative është plakja. Prandaj duhet menduar në parim për kufijtë moshorë. Dhe pse nuk duhet të kenë mundësi të gjithë të punojnë aq gjatë sa duan, pyet profesori Wegner. Sepse të moshuarit e rinj merren jo vetëm me pushimet e ardhshme, por duan të marrin pjesë në jetën sociale. Shumë duan të angazhohen për punë honorifike, duan që t'i dëgjojnë dhe të kenë nevojë për ta - thjesht të jenë të pranishëm dhe të mos humbasin kontaktin me shoqërinë. Si mund të nxitet kjo, për këtë e vret mendjen edhe Dieter Hackler nga Ministria Federale e Familjes:
"Një variant është për shembull një pjesëmarrje më e lartë e të moshuarve në internet. Nga ana tjetër bëhet fjalë edhe për një pjesëmarrje në jetën shoqërore. Dhe këtu, institucionet janë shumë të rëndësishme. Këtu bëjnë pjesë kishat, partitë, sindikatat."
Të moshuarit nuk bartin vetëm dije profesionale nga profesioni që kanë kryer, por edhe përvojë të pasur jetësore. Këtë mund ta quash edhe mençuri jetësore.
Autor: Petra Niklis/ Auron Dodi
Redaktoi: Elert Ajazaj