Kosovë - të zhdukurit nga lufta: “Duhet një vend përkujtimi"
8 Shkurt 2026
Në fshatin Tërnje, në jug të Kosovës, Bekim Gashi jeton me një boshllëk që do të donte ta mbushte. Ai nuk ka varre të familjarëve të zhdukur. Ka vetëm fotografitë e nënës së tij Hyra dhe katër motrave të tij, të cilat u zhdukën pas një masakre në fshatin e tij, të kryer nga ushtria serbe më 25 mars 1999.
"Nëna ime dhe motrat e mia u vranë atë ditë. Prej 26 vitesh nuk e di se ku janë varrosur trupat e tyre. Sa herë që shoh një gropë, mendoj se ndoshta janë aty”, thotë Bekim Gashi.
Ndjenja se e vërteta mund të jetë pikërisht nën këmbët e tij, por mbetet e paarritshme, e shoqëron prej më shumë se dy dekadash.
Lufta e Kosovës përfundoi zyrtarisht në qershor të vitit 1999. Në atë kohë, në territorin e Kosovës kishte rreth 4600 persona të zhdukur. Një pjesë e madhe e rasteve janë zbardhur. Por për rreth 1600 familje, lufta ende nuk ka përfunduar. Në mendimet e tyre ajo vazhdon çdo ditë në pritje, në heshtje, në fotografi të zverdhura dhe në varre që nuk ekzistojnë.
Shumica e të zhdukurve janë shqiptarë të Kosovës, rreth 1100, ndërsa rreth 500 janë serbë, romë ose pjesëtarë të pakicave të tjera. Çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të thella të pasluftës, një tragjedi njerëzore, politike dhe morale, që deri më sot asnjë marrëveshje nuk ka arritur ta shërojë.
Familja Gashi fillimisht kishte gjithsej 22 anëtarë të zhdukur. Fati i 14 prej tyre mbetet ende i panjohur. Bekim Gashi dhe anëtarë të tjerë të familjes kanë marrë pjesë në zhvarrosje dhe kanë ndjekur për vite me radhë procese gjyqësore në Beograd pa rezultate konkrete.
"Shkuam në Beograd me shpresën për të marrë informacione. Procesi zgjati gjashtë vjet. Në fund nuk pati asnjë rezultat”, tregon ai.
Takimi në Shkodër
Tani ka shpresë të re për familjen dhe për të gjithë të afërmit e të zhdukurve. Të mërkurën (04.02.2026), në qytetin verior shqiptar të Shkodrës, u takuan për herë të parë përfaqësuesit e komisioneve shtetërore të Serbisë dhe Kosovës për personat e zhdukur, për të diskutuar hapa konkretë për zbardhjen e fatit të tyre. Pak më herët, më 22 janar, në Bruksel ishte arritur një marrëveshje parimore për krijimin e një komisioni trilateral me përfaqësues nga Kosova, Serbia dhe BE-ja.
Në një shkallë është një poster i madh ku në disa gjuhë shkruhet: "Të jetosh me kujtimet e të zhdukurve”
Takimi në Shkodër u mbajt gati tre vjet pas deklaratës parimore kosovaro-serbe për çështjen e të zhdukurve. Në fillim të majit 2023, kryeministri i Kosovës Albin Kurtidhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiçkishin deklaruar se të dy shtetet do ta zbardhnin së bashku fatin e të zhdukurve. Kjo ishte pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Atmosferë e mirë
Në takimin e së mërkurës në Shkodër morën pjesë, ndër të tjerë, përfaqësues të Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, të udhëhequr nga Andin Hoti dhe Kushtrim Gara, si dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar të Serbisë, të udhëhequr nga Veljko Odalovic. Gjithashtu mori pjesë edhe një përfaqësuese e organizatës joqeveritare kosovare "Zëri i Prindërve”, e cila ndihmon në kërkimin e personave të zhdukur dhe mbështet familjarët, Xhyle Haziri. Ajo i tha DW-së se takimi u zhvillua në një atmosferë të mirë dhe "pa fjalë negative”.
Haziri thekson, se pengesa më e madhe për zbardhjen e fatit të të zhdukurve ka qenë gjithmonë pala serbe. Serbia ka vonuar vazhdimisht takimet dhe proceset. Tani, megjithatë, palët janë ndarë të paktën në mënyrë pozitive.
"Ka premtime që tashmë në mars do të punohet më intensivisht dhe do të mbahet një takim i ri”, thotë Haziri. Më e rëndësishmja është që pas tre vitesh ka ndodhur një takim i përbashkët. "Sot kam më shumë shpresë se më parë”, thotë ajo. "Sepse të gjithë u pajtuan se çështja e të zhdukurve duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.”
Përveç shpresës, edhe skepticizëm
Më i rezervuar e komenton takimin Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës. "Që nga miratimi i deklaratës për personat e zhdukur në maj 2023, përparimi ka qenë minimal, kryesisht për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të bashkëpunuar në mënyrë substanciale”, i thotë ai DW-së.
Sipas tij, pa vullnet politik nuk mund të ketë zgjidhje. "Mangësitë më të mëdha janë mungesa e vullnetit politik, mungesa e transparencës dhe refuzimi për të hapur arkivat shtetërore”, thotë Kadiu. "Këto vonesa e kanë zgjatur padrejtësisht vuajtjen e familjeve të prekura.”
Në shpresën që ka tani Bekim Gashi përzihet edhe shumë skepticizëm. Për të, ekziston vetëm një adresë e së vërtetës: Serbia.
"Serbia i ka marrë trupat. Serbia e di se ku janë. Ne nuk kërkojmë mrekulli. Duam vetëm eshtrat dhe një vend ku të mund të shkojmë për të vendosur një lule.”
Gjatë procesit gjyqësor në Serbi, në të cilin kishte marrë pjesë, ishte përmendur vazhdimisht Brigada e 549-të e ish-Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila mbante raporte ditore dhe mujore të operacioneve.
"Nëse do të hapeshin arkivat e kësaj brigade, gjithçka do të ishte aty”, thotë Bekim Gashi. "Në Kosovë këto informacione nuk ekzistojnë.”
Ai kritikon gjithashtu mungesën e mbështetjes institucionale dhe përçarjet brenda organizatave të familjarëve të të zhdukurve në Kosovë.
"Ne nuk ndihemi të përfaqësuar mirë. Na ftojnë në takime, por rrallë. Nuk jemi pjesë e proceseve vendimmarrëse”, thotë ai.
Pastaj e përsërit edhe një herë: "Ne duam vetëm një vend ku të mund të shkojmë për të kujtuar dhe për të vendosur një lule.”