1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të papunë por të suksesshëm

Jannis Papadimitriou / Eliana Xhani29 Mars 2012

Kostas Binis dhe Antonis Goussis ishin ndër më të mirët në skenën greke të reklamave, por për shkak të krizës humbën punën. Sot ata prodhojnë serinë televizive më të suksesshme për internet në Greqi.

Seriali televiziv në internet "Sad Men"
Fotografi: sadmen.gr

Dialogë shumë të shpejtë, batuta të mprehta, polemikë rreth tryezës së mbledhjes. "Sad men" orientohet në mënyrë strikte në stil dhe mënyrën e rrëfimit tek seriali televiziv amerikan "Mad Men". Por me një ndryshim: ndërkohë që seriali amerikan, një pikturë e hollësishme e viteve '60, i tregon gratë vetëm si sekretare apo shtëpiake, athinaset në sektorin e reklamës në serialin "Sad Men" ku parodizohet industria greke e reklamës, godasin edhe me grusht në tavolinë, kur buxheti nuk është në rregull. Sot janë gratë ato që kanë në duar frenat e drejtimit në industrinë e reklamës.

Kostas Binis dhe Antonis Goussis producentë të serialit "Sad Men"Fotografi: DW

Ideja për një serial për internetin u erdhi spontanisht, pasi humbën vendet e punës në filialin grek të kompanisë franceze të reklamës "Leo Burnett". Firma me famë në Greqi shpalli falimentin. Ishte një nga pikat kulmore të një krize që nuk ishte parë ndonjëherë në tregun grek të reklamës, mendon drejtori artistik Antonis Goussis.

I papunë brenda natës

"Që para dy vjetësh mund të parashikoje se punët po merrnin të tatëpjetën: njerëzit nuk kishim më para për konsum, dhe kështu u shkrutuan tek ne vazhdimisht buxhetet e reklamave", kujton Goussis. Dhe sot tregu është fare i vdekur. Agjencitë e vogla të reklamave kanë falimentuar, firmat e mesme, që dikur kishin rreth 30 punonjës me kontratë sot punojnë me dhjetë vetë pasi librat e porosive janë bosh.

Antonis Goussis producent i serialit "Sad Man"Fotografi: DW

Seriali amerikan "Mad Men" i cili u shërbeu dy grekëve si model, u transmetua për herë të parë në vitin 2009 në një kanal privat. Në vitin 2011 i erdhi fundi si kanalit televiziv i cili nuk paguente më dot detyrimet e tij ashtu edhe agjencive të reklamave të cilat kishin punuar për të. Si pasojë shumë njerëz humbën punën, gjithçka ndodhi shumë shpejt, kujton Kostas Binis, autor i teksteve të reklamave.

"Ti shkon në punë në mëngjes herët dhe në drekë je i papunë. Apo shkon në mëngjes të punosh dhe shefi e ka mbyllur firmën pasi ka falimentuar. Atëherë ndodhesh papritur para derës së mbyllur dhe nuk e di si do shkojnë më tej punët", thotë Binis. Ai njeh shumë njerëz që kanë pasur përjetime të ngjashme. Më parë kjo nuk ishte e mundur në Greqi.

Asnjë përmirësim në horizont

Sektori shënonë një rënie të të ardhurave prej më shumë se 30 për qind në krahasim me 2009. Industria greke e reklamës vuan dyfish nga kriza, ankohet Kostas Binis. "Fillimisht la gjurmë kriza ndërkombëtare financiare pasi klientët jashtë vendit kufizuan buxhetet e tyre për reklamë. Më pas erdhi kriza greke e borxheve, dhe kështu u larguan edhe klientë të tjerë. Tani kërcënon një tjetër katastrofë: disa agjenci reklamash po i transferojnë filialet e tyre ballkanase nga Athina në Sofje apo gjetkë", ankohet Binis.

Kostas Binis producetn i serialit "Sad Man"Fotografi: DW

Nevoja të bën krijues

Në këtë situatë që dukej e pashpresë lindi ideja për një serial në internet e cila kritikon biznesin e reklamës. Kostas Binis dhe Antonis Goussis donin të shfrynin dufin për përjetimet e tyre por edhe të tërhiqnin vëmendjen për idetë e tyre novatore me shpresën se kështu mund të tërheqin në të ardhmen klientë dhe sponsorizues. Së bashku shkruan skenarin për 15 seritë e para dhe morën përsipër prodhimin. Xhirimet e para i financuan nga kursimet e tyre dhe kështu u kujdesën që kostot të mbeteshin të ulëta, shpjegon drejtori artistik Antonis Goussis.

"Aktorët deri tani nuk kanë marrë asnjë qindarkë dhe faqen e internetit e kemi ngritur vetë", thotë Goussis. Në këtë situatë prodhimi përparon ngadalë. Por pesë seritë e para kanë tërhequr vëmendje dhe ka pasur një raportim entuziast në mediet greke. Për herë të parë është lajmëruar edhe një sponsor: një kompani gjermane që shet aparate elektronike do të mbulojë kostot për pjesën e gjashtë dhe të shtatë të serialit. Vazhdimi është i mundur.