250811 GB Randalierer
27 Gusht 2011
17 vjeçari Jamil ishte pjesë e të rinjve protestuesve që dolën në Mançester nëpër rrugë. "Sapo dëgjova për trazirat unë dola. Kishte shumë njerëz, edhe policë kishte me shumicë. Pati dhunë kundër policisë, por mendoj se ajo ishte e dyanshme."
Jamil, një djalë plot temperament dhe kaçurrels, bir i një somalezi dhe irlandezeje e refuzon dhunën. Por ai ka simpati me ata që dolën në rrugë. "Shumë të rinj janë të revoltuar. Ata kanë ndjesinë se nuk kanë aspak të ardhme." Ka pasur shumë frustrim të grumbulluar, thotë Jamil që jeton në banesat sociale, pa luks, por në një gjendje pak a shumë të mirë. Ai mendon se ka pasur edhe një arsye tjetër për trazirat e mëdha. "Shumica nuk donin thjesht të nxirrnin zemërimin, por kapën shansin për të dalë në rrugë, për të qenë pjesë - tingëllon e fortë kjo- e komunitetit, ku ata zakonisht janë të përjashtuar."
Ata janë pa perspektivë në jetë
Ndërsa Jordana, një vajzë me ngjyrë, 17 vjeçare nga Londra ka jetuar në kushte shumë të vështira. Në shkollë ka pasur kontakte me grupe kriminele dhe banda. Shpëtimi i saj ishin organizatat private që kujdesen për fëmijët që vijnë nga shtresat e varfra. Ajo ndërroi shkollë dhe shkoi të jetojë tek gjyshja. Jordana i mirëkupton protestuesit:
"Ata nuk mund ta shprehin veten si duhet. Janë shumë të zemëruar, sepse ndoshta babai nuk i do, sepse nuk kanë para, apo nëna është e varur nga droga, ose ndoshta sepse ata përballen me situata të tilla që kur janë pesë vjeç. Ata nuk kanë perspektivë në jetë.
Të jesh pa shanse
"Është revoltuese kur shikon se vjen në një moshë, kur ti duhet t'i kishe të gjitha mundësitë. Kur je 15, 16, 17 vjeç, atëherë duhet t'i kesh të gjitha mundësitë për ta bërë jetën tënde sa më të mirë. Por thjesht nuk ke mundësi. Të mbetet të përsërisësh jetën e babait apo të nënës. E kuptoj këtë lloj zemërimi."
Situata bëhet më kritike, atëherë kur të rinjtë përjashtohen nga shkolla, gjë që prek sidomos djemtë. "Po qe se përjashtohen nga shkolla, atëherë ata kurrë nuk mund të bëhen juristë, nuk mund të fitojnë kurrë para për të jetuar mirë, për t'u ushqyer, për të ngrohur."
Pse protestat mund të përsëriten
Jordana aktualisht bën maturën dhe do të studiojë. Ajo vetë ia ka dalë mbanë të shkëputet nga shtresa e ulët e shoqërisë. Ndërsa Jamil beson se trazira të tilla do të ketë gjithmonë për sa kohë ka padrejtësi. "Mendoj se për sa kohë nuk ndryshon asgjë, për sa kohë qeveria nuk ndërmerr gjë kundër pabarazisë në vend, do të ketë trazira sërish, për pesë, apo dhjetë vjet." Dhe në këtë pikë ka shumë sociologë dhe politologë që i japin të drejtë.
Autor: Torsten Huhn/Lindita Arapi
Redaktoi: Bahri Cani