1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të rritesh në shtetin e vëzhgimit RDGJ

14 Mars 2012

Puna e punonjësve të Stasit kushtëzonte gjithë jetën e tyre familjare. Veçanërisht fëmijët vuanin nën detyrimin për fshehtësi, nën klimën e mosbesimit dhe kontrollit.

Qendra e Stasit në Berlin, Lichtenberg
Qendra e Stasit në Berlin, LichtenbergFotografi: picture-alliance/Berliner_Kurier

Shpata dhe mburoja e partisë e quante veten shërbimi i fshehtë i shtetit në ish-RDGJ. I themeluar në vitin 1950 sipas modelit të policisë sekrete sovjetike "Çeka", ai u përdor që në fillim si aparat shtypës kundër gjoja armiqve të shtetit dhe të Partisë së Unitetit SED. Punonjësit kryesorë të këtij shërbimi formonin një shoqëri të mbyllur: ata jetonin në lagjet e tyre, kishin privilegje si rroga mbi mesataren, dyqane të posaçme, mjekë, klinika dhe kampe pushimesh. Edhe në dhënien e autoveturave ata trajtoheshin me prioritet. Punonjësit e Stasit vëzhgonin, kontrollonin dhe ushtronin presion - dhe ishin edhe vetë nën mbikqyrje të vazhdueshme. Në shumë biseda me të prekurit, gazetarja Ruth Hoffmann ka zbuluar se sa shumë kanë vuajtur fëmijët në këtë mënyrë të jetuari, e cila ka lënë tek ata gjurmë që ekzistojnë ende sot.

Deutsche Welle: Nga punonjësit kryesorë të sigurimit të shtetit pritej besnikëri absolute ndaj vijës së partisë. Çfarë nënkuptonte kjo për familjet, e veçanërisht për fëmijët në jetën e përditshme?

Ruth Hoffmann: Për fëmijët kjo do të thonte që edhe ata duhej ta mbështesnin pa pyetje këtë vijë, pasi çdo gabim i tyre mund të rëndonte edhe mbi prindërit. Ata duhej të funksiononin sipas vijës së përcaktuar nga prindërit, nga sistemi. Konkretisht kjo do të thotë se jashtë ata duhej të thonin: 'Babai im punon në Ministrinë e Punëve të Brendshme.' Një gënjeshtër, për të cilën shpesh nuk e dinin që ishte e tillë, pasi puna e babait ishte tabu në shtëpi, për atë nuk flitej. Pra, ishte një jetë e karakterizuar nga fshehtësia dhe gënjeshtra, si jashtë ashtu edhe brenda.

Shkrimtarja Ruth HoffmannFotografi: Ullstein

Baballarët jetonin në një sistem urdhërash dhe bindjeje. E kanë përcjellë ata këtë tek fëmijët?

Në shumicën e rasteve ka qenë kështu. Pjesa më e madhe e bashkëbiseduesve më kanë treguar se kishte rregulla për gjithçka. Ata natyrisht duhej të përmbushnin rregullat sociale, të bëheshin pionierë, të hynin në organizatën e rinisë në RDGJ, dhe më vonë duhej të bëheshin edhe anëtarë të partisë. Për punonjësit e shërbimit të fshehtë ishte e rëndësishme t'i mbanin fëmijët e tyre të lidhur pas vijës pasi në thelb për ta nuk kishte ndarje të vërtetë mes profesionit dhe jetës private. Ata kontrolloheshin plotësisht nga eprorët. (...)

A mund të jetë një familje në këto kushte një ambjent mbrojtës për fëmijët?

Fëmijët përjetonin se edhe në shtëpi duhej të ruheshin. Kjo ndjenjë u përcillej atyre nga prindërit dhe jeta e përditshme.

Në librin tuaj një dëshmitar ankohet se në familje kishte prioritet besnikëria ndaj sistemit. Në disa raste madje baballarët kanë denoncuar djemtë e tyre.

Unë kam gjetur shumë raste dhe dokumente ku baballarët janë thirrur nga eprorët për të dhënë shpjegime për fëmijët e tyre pasi kishin pasur kontakte me skenën 'punk' apo me lëvizjen për paqe. Dhe disa prej tyre janë treguar aq të zellshëm e të bindur ndaj sistemit sa kanë arritur të tradhëtojnë fëmijët e tyre duke dhënë informacione për ta.(...)

Kopertina e librit "Fëmijët e Stasit" i autores Ruth HoffmannFotografi: Ullstein

Gjatë leximit të librit tuaj kam pyetur veten nëse Stasi ishte një adresë për njerëz të përçudnuar moralisht dhe emocionalisht, apo ata janë bërë të tillë prej punës atje? Thënë ndryshe: a ishte kusht për të punuar në shërbimin e fshehtë një strukturë e caktuar personaliteti?

Për këtë nuk guxoj të jap një gjykim. Por edhe unë e kam pyetur veten nëse ka qenë puna që i kishte bërë të tillë këta prindër apo e kundërta? Për këtë arsye kam folur me profesor Harald J. Freyberger nga Universiteti Greifswald, i cili është marrë me këtë temë si psikiatër. Ai ka pasur në trajtim fëmijë të punonjësve të Stasit dhe madje edhe vetë punonjës të shërbimit të fshehtë. Dhe ai thotë 'po', duhej të ketë ekzistuar një strukturë e caktuar personaliteti. Për të bërë një punë të tillë duhet edhe të ishe i gatshëm. (...)

Libri juaj del më shumë se 20 vjet pas rënies së murit. A u duhej këtyre fëmijëve të kuptonin fillimisht vetë se çfarë kishte ndodhur?

Po, unë besoj se këto gjëra kërkojnë kohë. Ka qenë vërtet shumë e vështirë të shkruaje këtë libër. Ishte e vështirë të gjeje bashkëbisedues pasi bëhet fjalë për gjëra shumë personale. Dhe pavarësisht se çfarë marrëdhënie ke me prindërit, ata mbeten prindër!

Intervistoi: Gabriela Schaaf

Adaptoi: E. Xhani