1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të shtëna pranë njësive të NATO-s në veri të Kosovës

26 Dhjetor 2022

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse kanë konfirmuar të shtënat me armë zjarri afër një patrulle të KFOR-it në Zubin Potok në veri të Kosovës. Nuk ka të plagosur.

Nato-Patrouille | Schüsse im Nord-Kosovo
Fotografi: Marjan Vucetic/AP Photo/picture alliance

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan dhe janë parë afër një patrulle të forcave paqeruajtëse të NATO-s në veriun e Kosovës, konfirmuan zyrtarë të KFOR-it. Të shtënat e armëve ndodhën të dielën në mbrëmje afër një barrikade të vendosur nga serbët lokalë në komunën e Zubin Potokut, tha KFOR-i në një deklaratë për medie duke mos dhënë më shumë detaje, po tha se dëme në njerëz nuk ka patur.

Xhelal SveçlaFotografi: Ministry for Internal Affairs of Kosovo

"Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës"

Mediet në Serbi gjatë ditës së dielë kishin raportuar se në Zubin Potok ka pasur shkëmbim zjarri, pasi policia "ka dashur ta heqë njërën nga barrikadat”. Njoftimet u mohuan nga policia e Kosovës. "Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi”, tha në një njoftim policia e Kosovës. Këto njoftime Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cilësoi si "lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale”.

"Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vetë ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t'i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ministri Sveçla. Sipas tij, "barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.

KFOR pret bindjen e komunitetit për heqjen e barrikadave

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, u kërkoi forcave paqeruajtëse  heqjen e barrikadave në veri të Kosovës që po pengojnë lirinë e lëvizjes, por misioni i drejtuar nga NATO-ja, tha se preferon që kjo të ndodhë në rrugë paqësore. Kryeministri Albin Kurti, tha se "KFOR-i na kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave, por ne s'mund të tolerojmë deri në pafundësi”. Prishtina zyrtare thotë se autoritetet në Kosovë kanë kapacitete për largimin e barrikadave, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t'i largojë vetë ato.

Fotografi: Idro Seferi/DW

"Ato janë duke e penguar lirinë e lëvizjes. Ne i kemi dhënë kohë pikërisht për shkak se liria e lëvizjes është konsideruar vlera themelore në Republikën e Kosovës nga pikëpamja e KFOR-it. E tash lirinë e lëvizjes nuk e kemi, sepse kemi 11 barrikada që janë vendosur, të cilat siç e dini ju të gjithë nuk janë civile, por barrikada të njerëzve të uniformuar e të armatosur. Ato janë të pozicionuara në atë formë që më shumë kanë të bëjnë për ta mbrojtur personin e uniformuar për të shtënë drejt veturave që vijnë se sa të mos lejojnë tejkalimin e automjeteve në pjesën tjetër të barrikadës”, tha kryeministri në një konferencë për medie. Sipas tij, pas Krishtlindjeve do të zhvillojë takim me komandantin e KFOR-it, ku do të sqarohet gjithçka.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, nga ana e tij tha se misioni që ai udhëheqë vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. “Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palët për të ndihmuar në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, dhe për të parandaluar që narrativat mashtruese të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në një komunikatë pë medie të komandantit të KFOR-it.

Fotografi: Bojan Slavkovic/AP Photo/picture alliance

Kushtet e palës serbe në veri para heqjes së barrikadave

Serbët nga veriu i Kosovës në fund të javës zhvilluan një protestë ku paraqitën një sërë kushtesh për heqjen e barrikadave  nga rrugët. Protestuesit kërkuan siç thanë "lirimin e serbëve të arrestuar”, të tërhiqen listat sekrete të Prishtinës që janë sipas tyre, "për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe "Prishtina zyrtare të tërheqë njësitë speciale të Policisë nga veriu i Kosovës”. Kështu është shprehur Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe që e ka mbështetjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuҫiq. Ky i fundit ndërkaq, tashmë disa herë ka deklaruar se  barrikadat do të largohen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Prishtina zyrtare e kundërshton.

Që nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët kryesore që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto dy pika kufitare tashmë po mbahen të mbyllura. Barrikadat u ngritën sipas serbëve të veriut, pas arrestimit të një ish-polici serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.  

Jetë me barrikada në veriun e Kosovës

03:33

This browser does not support the video element.