1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të studiosh në Gjermani - në rritje interesimi i të rinjve në Shqipëri

20 Shkurt 2010

Për t’u dhënë të gjithë të interesuarve të dhëna të plota mbi mënyrën e kërkimit dhe të procedurave të regjistrimit në to, u zhvillua të premten (19.2.) dhe një panair informacioni mbi studimin në Gjermani.

Nxënës dhe studentë në Tiranë në panairin e organizuar nga Deutschzentrum.
Nxënës dhe studentë në Tiranë në panairin e organizuar nga Deutschzentrum.Fotografi: DW/Arben Muka

Të gjitha ambjentet e Qendrës Gjermane në Tiranë (Deutschzentrum) janë të mbushura plot me të rinj të cilët krejt të shpenguar pyesin, klikojnë në internet, apo marrin broshura për ti shfletuar më vonë. Bashkë me ta janë dhe prindër ose të afërm, edhe ata po kaq kureshtarë për ofertat gjermane. Organizimi është i tillë që cilido që pyet e merr përgjigjen drejtpërdrejt nga punonjësit e Shërbimit të Shkëmbimit Akademik Gjerman (DAAD), apo dhe nga pedagogët e Deutschzentrum - Tirana. Ata që duken më të interesuar në panair janë maturantët, kryesisht ata që kanë nivel shumë të mirë të gjuhës gjermane, por nuk mungojnë dhe ata që njohin shumë mirë gjuhën angleze.

Të rinjtë: Gjermania ofron mundësi shumë të mira studimi

Sonja është maturante në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja, dega gjermanisht. Ajo është e përzgjedhur nga DAAD –i për të aplikuar për bursë studimi në Gjermani, për specialitetin ekonomi. Ajo ndjehet si në ethe deri sa të marrë përgjigjen përfundimtare, pas rreth 2 muajsh: “Mendoj se Gjermania më ofron kushtet, mirëqënia është e lartë shkollat janë të mira”, shpjegon ajo për Deutsche Welle-n, arsyet pse ka dëshirë të ndjekë studimet atje.

Kurse Xhentila ka një argument tjetër për këmbënguljen që ka për të vazhduar studimet në një universitet në Gjermani. Pak kohë më parë ajo si fituese e olimpiadës së gjuhës gjermane në Shqipëri, bëri një udhëtim njëmujor në Gjermani, nga ku ka ende mbresa të jashtëzkonshme: “Vizituam një universitet në Berlin dhe atje lexova disa revista dhe infromacione rreth DAAD-it. Nuk është se e kam patur në mendje më parë, por pas atij informacioni që mora pashë se kushtet e universitetit ishin shumë të mira, të ofronte shumë, profesorët ishin shumë miqësorë”.

Traditë disavjeçare - organizimi i veprimtarive informuese për të rinjtë që duan të studiojnë në Gjermani

Jürgen Rohling, përfaqësues e DAAD-it në Shqipëri, thotë për Deutsche Welle-n, se një veprimtari e tillë është kthyer tashmë në traditë në Shqipëri, pasi organizohet prej vitesh.

Jürgen Rohling, përfaqësues i DAAD-it në Shqipëri.Fotografi: DW/Arben Muka

Janë shumë organizata gjermane që operojnë këtu dhe ky është një rast i mirë që të bashkëbisedojmë dhe të bashkërendojmë punën me të gjithë të interesuarit. Kryesisht ata që kanë dëshirën që të njohin infrastrukturën arsimore gjermane. Të njohin nga afër çdo procedurë që i regjistron ata në një universitet, dokumentat e nevojshme, çertifikatat gjuhësore, gjithçka duhet.

Rohling thotë se takimi kësaj rradhe zhvillohet për herë të parë në mjediset e Deutschzentrum - Tirana, një nga pikat më të njohura për shqiptarët që mësojnë gjermanisht ose kërkojnë të thellojnë njohuritë në këtë gjuhë.

Brigitte Günther, drejtore e Qendrës Gjermane në Tiranë.Fotografi: DW/Arben Muka

Flavia 16 vjeçarë, sapo ka përfunduar kontaktet me orientuesit për mundësitë e studimit në Gjermani. Ajo thotë se u interesua më shumë për dy degë, diplomaci dhe anglisht: “I kam pasion gjuhët. Kam qenë një javë në Gjermani dhe kam përshtypje shumë të mira. Studimi jashtë vendit do të ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua”, thotë ajo për Deutsche Welle-n.

Kurse shoku i saj i shkollës, Krati, ka treguar vëmendje për degën e studimeve europiane: “Kam parë për disa shkolla. Unë kam bërë një vit studimesh në Gjermani. Kur isha në vitin e dytë në shkollë të mesme vazhdova një vit në Jena. Atje mësova më mirë gjuhën. Në Gjermani ka shkolla të mira dhe mundësi të mira për studimet ”.

Synohet kontakti i drejtpërdrejtë me të rinjtë

Njëra nga bashkëorganizatoret e panairit është dhe e dërguara në Shqipëri e Institutit “Gëte”, Brigitte Günther, njëkohësisht drejtore e Deutschzentrum -Tirana:

Si mund të studiojmë në Gjermani - nxënësit dhe studentët në panair tregojnë mjaft interes.Fotografi: DW/Arben Muka

“Për ne kontakti i drejtpërdrejtë me të interesuarit ka rëndësi të veçantë pasi mund të sqarohen shumë më tepër pyetje se sa mund të bëhet nëpërmjet broshurave ose faqeve të internetit”, thotë ajo për Deutsche Welle-n. Günther sapo ka marrë detyrën e drejtimit të Deutschzentrum –Tirana dhe paralajmëron gjallërim të informacionit dhe për të gjitha nivelet e mësimit dhe të provimeve të gjuhes gjermane në qendër, si dhe së shpejti ofertën e përkthimit dhe në gjuhën shqipe të faqes së internetit të Institutit “Gëte”.

Organizatorët e panairit të informacionit mbi studimin, hulumtimin dhe bursat në Gjermani kishin përgatitur dhe shfaqje filmash e dokumentarësh në funksion të ndihmës për të gjithë vizitorët. Panairi u mbështet nga Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD, nga Ambasada Gjermane në Shqipëri dhe Deutschzentrum-Tirana.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani