1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të vegjëlit varen ndërsa të mëdhenjtë lihen të lirë

Karl Zawadzky29 Nëntor 2006

Proçesi gjyqësor më spektakolar ekonomik në Gjermani përfundon pa dënuar kërkënd

Mbyllet proçesi Mannesmann
Mbyllet proçesi MannesmannFotografi: AP

I ashtuquajturi proçesi Mannesmann i ngritur kundër shefit të bankës Deutsche Bank, Josef Ackermann, dhe pesë të akuzuarve të tjerë është pezulluar sot më 29 nëntor nga gjykata e landit në Dyseldorf. Mbrojtja dhe prokuroria u morën vesh javën e shkuar që proçesi të pezullohej pa dënim me heqje lirie por me vendosjen e një gjobe në para. Këtë marëveshje e miratoi edhe trupi gjykues. Të paditurit duhet të paguajnë vërtet 5,8 milionë euro por nuk do të konsiderohen të dënuar.

Të vegjëlit varen ndërsa të mëdhenjtë lihen të lirë. Kështu duket se po ndodh përsëri. Dhe vërtet: Josef Ackermann, shefi i Deutsche Bank është një nga menaxherët më me influencë, më të paguar dhe më të njohur në Gjermani.

Edhe pesë të paditurit e tjerë i përkisnin kastës së menaxherëve në ekonominë gjermanë. Dhe fjala ishte për shumë para të cilat u derdhën në një nga betejat më të shtrenja për marrjen e kontrollit të një kompanie që njeh ekonomia europiane. Kur kompania britanike e telefonisë mobile Vodafone bëri të vetin shtatë vjet më parë koncernin e madh Mannesmann me aktivitete në telefoninë mobile dhe industrinë e çelikut, manaxherëve të Mannesmann-it humbja e betejës dhe e punës ju zhdëmtua me gati 60 milionë euro.

Në proçesin gjyqësor u shqyrtua për këtë arsye akuza për keqadministrin dhe ofrim ndihme kompanisë blerëse. Pafajësia u pasua nga rishikimi i çështjes përpara Gjykatës Federale dhe më pas nga një proçes i ri i cili tani u mbyll pa dhënie dënimi.

Të paditurit shfrytëzuan rastin të blejnë pafajësinë e tyre. Ata do të paguajnë shuma të konsiderueshme, vetëm Ackermann duhet të derdhë 3,2 milionë euro në arkën e shtetit dhe të organizatave bamirëse. Por me kaq çështja është mbyllur.

Vërtet në mënyrë të tillë janë mbyllur edhe proçese kundër ish kancelarit Helmut Kohl dhe yllit gjerman të tenisit Stefi Graf, por nuk është e vërtetë se kështu të pasurit, të fuqishmit dhe të shquarit i shpëtojnë drejtësisë tokësore. Sipas paragrafit 153 a të kodit penal në Gjermani kështu mbyllen çdo vit rreth 300.000 raste të vogla nëse në këtë mënyrë, kur faji është i vogël, "interesi publik për ndjekjen e çështjes nuk ekziston më".

Në rastin konkret për shefin e bankës më të madhe të Gjermanisë flet fakti se ai si anëtar i këshilli administrativ të Mannesmann ka miratuar shpërblimet por vetë nuk ka përfituar para. Dhe shefi i atëhershëm i Mannesmann Klaus Esser, përfituesi kryesor mund të mbrohet duke thënë se nuk e ka kërkuar ai shpërblimin.

Në proçesin e revizionit të Gjykatës së Kasacionit është shkruar në regjistër se të paditurit si menaxherë të lartë të punësuar nuk janë pronarë por vetëm administrues. Ata kanë vepruar pa përgjegjësi me paratë e të tjerëve pra me paratë e aksionerëve të cilët janë pronarët e vërtetë të koncernit Mannesmann. Por prova për shkelje të qëllimshme të ligjit dhe ndërgjegjes për faj nuk mundi të vërtetohej. Kështu forma moderne e shitjes së pafajësisë është një rrugë e përshtatshme për të përfunduar proçesin. Të paditurit kanë avantazhin se nuk konsiderohen si të dënuar njëherë, gjë që për Josef Ackermann është kusht i domosdoshëm për postin e lartë pranë Deutsche Bank. 3,2 milionë eurot që duhet të paguajë i kushtojnë atij vetëm dy rroga mujore pra nuk përbëjnë një dhimbje të madhe për të.

Proçesi ka përfunduar pa pranim faji dhe pa dënim. Megjithatë ai nuk u bë më kot. Revizioni i Kasacioni hodhi dritë në një zonë gri thuasje të panjohur dhe ka caktuar parime të rëndësishme themelore për shpërblimet e manaxherëve. Veç kësaj manaxherët që marrin shuma të konsiderueshme janë sensibilizuar sa i takon shërbimit në financat e kompanive dhe vetëshërbimit. Sidoqoftë në të ardhmen askush nuk do të arrijë më t'i shmanget përgjegjësisë me justifikimin e një gabimi. Proçesi ishte një kontribut në sigurinë juridike. Por përballë shitjes së pafajësisë të sanksionuar me marrëveshjen mes mbrojtjes dhe prokurorisë, mbetet një shije e hidhur edhe në këtë rast.