1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të verbërit në Bullgari kanë humbur nga ndryshimet politike

Dimiter Muftieff / Radio Bullgaria12 Dhjetor 2008

Pas përmbysjes së socializmit gjendja e të verbërve është keqësuar. Punishtet për të verbërit u mbyllën, ata përfunduan në rrugë ku luanin muzikë ose lypnin. 50 euro në muaj merr një i verbër nga shteti.

Sofje, Parafabrikate
Sofje, ParafabrikateFotografi: DW

Trafiku është i rënduar në Sofie. Një rrugë e vogël të ngushtë të shpie në një zonë industriale. Rreth një sheshi ndodhen tre blloqe banesash të vjetra. Këtu nën hijen e magazinave të mëdha jetojnë rreth 500 të verbër, një e katërta e të verbërve të Sofies. Në vitet shtatëdhjetë administrata e atëhershme e qytetit ngriti këtu disa shtëpi për të verbër. Administrimin e tyre e bën Shoqata e të verbërve. Zona këtu duket si e vdekur. Një qen ka futur turinjtë në plehra.

Qen rrugësh, SofjeFotografi: DW

Para hyrjes Petar Jossifow (Jossifof) pret gazetarët. Petar është një burrë i vogël me flokë të zeza. Ai mban syze dielli. Petari është i verbër. Në fund të viteve shtatëdhjetë ai erdhi nga fshati në Sofje për të shkuar në shkollën e të verbërve. Më vonë ai filloi të punonte në fabrikën e shoqatës për të verbër. Në atë kohë shoqatat e të verbërve kishin disa fabrika dhe punishte në mbarë vendin. Së bashku me rreth 1 mijë të verbër të tjerë Petari punonte në filtruesit industrialë që ndodheshin direkt pas shtëpive për të verbër. „Sot në fabrikë punojnë vetëm 10 deri 15 të verbër. Të tjerët përpiqen të gjejnë mjete të tjera për të jetuar. Ata luajnë muzikë në rrugë, lypin ndihma ose mbledhin letra. Me një kilogram letër fitohet një cent."

Muzikantë në rrugë, SofjeFotografi: DW

Fabrika i takon edhe sot Shoqatës Kombëtare të të verbërve. Por ndërkohë aty janë punësuar edhe punonjës të tjerë që nuk kanë probleme me shikimin, sepse pa ta fabrika rrezikonte të mbyllej. Shoqata nuk ka para të mjaftueshme për të subvencionuar vende pune për të verbërit. Petari është një prej të verbërve me fat, që mundi ta mbante vendin e punës. Ai merr 200 euro në muaj. Kështu ai është një nga të verbërit që ka të ardhura më të larta në geton e të verbërve, siç e quajnë banorët e këtushëm. Por, edhe ai jeton në varfëri. Dhoma e tij në shtëpinë e të verbërve është tetë metra katrorë dhe ai ndan banjën me një nga fqinjët. Në korridor tani në dhjetor është shumë ftohtë. Dritaret janë prishur, suvaja ka rënë nga muret.„Ai që ka ardhur një herë këtu e ka të vështirë të largohet prej këtej. Në fakt të gjithë duan të ikin prej këtu. Por nuk kanë asnjë shans për ta bërë këtë. Vetëm pak prej nesh kanë arritur të gjejnë një vend tjetër. Këto janë raste të rralla."

Muzikantë në rrugë, SofjeFotografi: DW

Banesat e vërteta janë të shtrenjta. Kurse Shoqata e të verbërve merr nga banorët e shtëpive vetëm një qera simbolike. Petar paguan në muaj 6 euro.

Asen Altanow (Assen Eutonof) i njeh si kërkush tjetër shqetësimet dhe nevojat e të verbërve në Sofje. Që prej një viti e gjysme ai drejton Shoqatën lokale të të verbërve. Ai vetë është i verbër dhe punon si „trajner mobiliteti". Që do të thotë se ai mëson të verbërit e tjerë si të përshtaten me jetën e përditshme.„Vetëm në Sofje humbasin shikimin 100 vetë në vit. Ata duhen ndihmuar për fillimin e jetës së re. Duhet të mësojnë nga e para si të vishen, si të gatuajnë. Duhet të mësojnë shkrimin e të verbërve. Shteti jep 200 mijë euro në vit. Gjysma shkon në Qendrat e rehabilitimit në Plowdiw. Pjesa tjetër mbetet për të verbërit. Pra 100 mijë euro për 20 mijë të verbërit që jetojnë në gjithë vendin?"

Pas përmbysjes së socializmit situata është keqësuar, thotë ai. Shumica e punishteve të Shoqatës së të Verbërve duhet të mbylleshin. Punonjësit përfunduan në rrugë. Ata u kthyen në lypsa, thotë ai. Ndihmat sociale janë shumë të vogla. 50 euro në muaj merr një i verbër si ndihmë nga shteti. Shumë prej tyre nuk kanë asnjë shanc në tregun e punës. „Ne luftojmë për integrimin e të verbërve. Ne flasim çdo ditë më punëdhënësit, ju lutemi të marrin në punë njerëzit tanë. Në 12 muajt e fundit kemi gjetur vende pune për 25 të verbër."

Kërkush nuk na ndihmon nëse nuk ndihmojmë njeri tjetrin, thotë ai. Më 10 nëntor disa qindra të verbër demostruan para Këshillit të Ministrave në Sofje. Por që prej asaj dite asgjë nuk ka ndryshuar.