1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të verbërve në Shqipëri nuk duhet "t'u hahet haku"

25 Mars 2010

4000 prej 10.500 të verbërve në Shqipëri janë me nivel zero të shikimit. Shoqata që mbron të drejtat e tyre pohon se problemi kryesor është autonomia në lëvizje dhe aksesi për informacion.

Blerina Shalari më së shumti shoqërohet me muzikënFotografi: DW

Për Blerina Shalarin piano në apartamentin e saj është një mik i ngushtë dhe i pazëvendësueshëm. Është një lidhje për profesionin e saj si kompozitore dhe këngëtare. Por dhe nga fakti se lëvizjet e saj janë tepër kufizuara gjatë ditës, për shkak të mungesës së shikimit që kur ajo ka lindur. Të qënit e verbër nuk e ka penguar Blerinën të vazhdojë krijimtarinë dhe studimet.

"Më duket se kam lindur me muzikën"

Pas përfundimit të Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë në vitin 2006, Blerina Shalari, është duke ndjekur aktualisht një master në fushën e etnologjisë dhe folklorit. Ajo kujton se muzika e ka sygjestionuar qysh në moshën 4-vjeçare.

“Më duket se muzika më ka zgjedhur mua dhe jo unë atë. E kam patur prirje që e vogël dhe nuk mund të shkëputem prej saj. Më duket sikur kam lindur bashkë me të. Nuk kam bërë një zgjedhje por më duket se kam qënë me të”, tregon ajo për Deutsche Wellen.

Aktiviteti i Blerinës është i pasur. Koncert recital me muzikë dhome, është pjesmarrëse në edicione të festivalit kombëtar të muzikës së lehtë në Radio Televizionin Publik, ka organizuar koncerte për shoqatën e të verbërve, madje ka dhe një turne muzikor në Kosovë. Duke mos u ndarë dhe nga pasioni tjetër për krjimitarinë poetike, ajo ka nxjerrë më herët në treg një vëllim të titulluar: “Mos e lëmë të shuhet dielli”.

Vështirësitë me lëvizjen

Por për Blerinën dinamika e aktivitetit të përditshëm limitohet nga vështirësia e lëvizjes, pasi gjithmonë ajo duhet të jetë e shoqëruar nga pjestarë të familjes, apo shokët e miqtë. “Tirana është urbanizuar shumë dhe lëvizja në të është një problem shumë i madh, por deri më tani nuk është se jam penguar pasi prindërit, pasja e sa më shumë shokëve na ka mbajtur ta azhornuar në jetën komunitare”, thotë ajo.

Autonomia në lëvizje dhe aksesi për informacion janë dy probleme thelbësore me të cilat hasen të verbërit në Shqipëri, thotë avokati Sinan Tafaj, i cili drejton shoqatën e të verbërve. Me seli qëndrore në Tiranë dhe degë është krijuar nga janari i vitit 1991. Në bazë të burimeve të shoqatës në vend janë rreth 10.500 persona të verbër, nga këta 4.000 janë të klasifikuar me nivel të shikimit zero. Tafaj shpjegon për DW se pa informacion dhe pa lëvizje ata janë të detyruar të mbetën brenda katër murreve.

Sinan TafajFotografi: DW

“Kanë probleme të mëdha në edukimin dhe në punësimin e tyre. Për pasojë ata janë të përjashtuar nga shoqëria. Janë të veçuar. Ky është problem i madh, i pari dhe i fundit që kanë njerëzit e verbër”, shpjegon Tafaj.

Sipas tij, nga kjo rrjedhin dhe probleme të tjera sociale, ekonomike e kulturore të tyre. Shoqata ka qënë mjaft aktive qysh në ditët e para duke këmbëngulur përsëpari të sigurojë mbijetesën e personave që kanë statusin e të verbërit. Kjo u arrit më ndihmën ekonomike që ata marrin, por dhe me disa përfitime sociale-ekonomike që ata i përfitojnë sipas ligjit.

Edukimi zgjidhë shumë probleme

Gjithashtu shoqata e të verbërve është e fokusuar aktualisht më shumë tek edukimi i anëtarëve. “Ka një parim në tiflologji - që është shkenca për të verbërit - që thotë se edukimi davarit, ose zbut a zgjidh 70 për qind të problemeve të të mosparit. Kjo ka bërë që ne të përqëndrohemi shumë tek edukimi”, thotë Tafaj.

Në dy dekadat e fundit janë më shumë se 230 të verbër që kanë mbarur shkollën e lartë. Në universitet e shkollat e larta të vendit aktualisht janë rreth 90 të rinj e të reja që ndjekin studimet, ndërkohë që 85 janë në shkollat e mesme. Jashtë sistemi arsimor publik e privat, shoqata organizon dhe kurse për mësimin e konsolidimin e njohurive në kompjuter. Deri më tani rreth 200 te rinj kanë kaluar nivelet bazikë ose të avancuar. Kjo sipas Tafajt i bënë ata të gatshëm në tregun e punës.

Ergys HysiFotografi: DW

Ergys Hysi ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Ai është 36 vjec dhe prej 7 viteve punon si avokat pranë gjykatës së faktit në Tiranë. Të qënit i verbër nuk e ka penguar Ergysin që të ndjekë çështje gjithëfarë qoftë nga fusha penale ose ajo civile. Nisur nga rezultatet që ka në punë, por dhe nevoja për të ndjekur karrierën njësoj si kolegët e tjerë, Ergysi ka nisur të hasë në pengesa që i konsideron si të panevojshme.

Pengesat e panvejshme

“Kam dashur të konkurojë dy vjet për magjistraturë, por nga bordi i kësaj shkolle nuk jam lejuar. Kjo sepse jam i verbër dhe sipas prononcimeve të vetë drejtuesve nëse e unë e fitoj të drejtën e studimit do të duhet më pas një sekretar më specifik se sa ajo e pjesmarrëve të tjerë”, thotë Hysi.

Ergys Hysi është duke u përpjekur që ta fitojë të drejtën e tij duke e ngritur problemin edhe pranë përfaqësive ndërkombëtare në Tiranë. Sinan Tafaj kryetar i shoqatës së të verbërve mendon se në Shqipëri konkurimi nuk e ka fituar qytetarinë dhe profesionalizmin.

“Dhe aq më tepër përjashtimi është më prezent se kjo e para. Kur themi për të pranuar një të verbër në punë ai direkt shihet në sytë e ballit dhe është i përçmuar, i përjashtuar, apo i pakëndshëm për t'u patur si koleg zyre në punë, në ministri a cilindo institucion qoftë”, pohon ai.

Ne presim nga autoritetet, nga politika, që ndaj të verbërve të ketë qëndrime më kurajoze dhe objektive, thotë Tafaj. “Të paktën të mos i hanë hakun, ose ta shvlerësojnë brenda vlerave e dimensioneve reale që ai ka”, pohon ai.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Bahri Cani