1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tërheqje nga Rripi i Gazës dhe ndërtime në Bregun Perëndimor

Carsten Kühntopp16 Qershor 2004

Izraeli zgjeron ngulimet ekzistuese dhe planifikon të ndërtojë të reja

Shkollë në një ngulim izraelit në Bregun Perëndimor
Shkollë në një ngulim izraelit në Bregun PerëndimorFotografi: AP

Deri në shtator 2005 duhet të zbrazen të gjitha ngulimet në Rripin e Gazës. Fakti që për të parën herë Izraeli duket të jetë i gatshëm të heqë dorë nga tokë e pushtuar palestineze po bën bujë në rrafshin ndërkombëtar, por nën mbrojtjen e këtij lajmi Izraeli po krijon realitete të reja në Bregun Perëndimor të lumit Jordan duke i vënë palestinezët atje përpara fakteve të kryera.

Kështu ministri i mbrojtjes Shaul Mofas i ka dhënë urdhër administratës civile për zonat e pushtuara që të hartojë tre muajt e ardshëm një plan për projekte ndërtimi "të përmasave të gjera" në bllokun e ngulimeve Gush Etzion. Gush Etzion shtrihet në jug të Jeruzalemit në Bregun Perëndimor. Gazeta izraelite Maariv njofton se gjatë një vizite atje ministri Mofas ka thënë që fjala është për ngritjen e një kundërpeshe ndaj të ashtuquajturit plan të ndarjes, të miratuar një javë e gjysmë më parë nga qeveria. Ky parashikon zbrazjen e të gjitha ngulimeve në Rripin e Gazës dhe të katër ngulimeve në Bregun Perëndimor. Mofas urdhëroi gjithashtu që administrata civile të miratojë më shpejt projektet e ndërtimit që janë në përgatitje.

Mofas planifikon të vizitojë së shpejti blloqe të tjera ngulimesh dhe të shtyjë përpara zgjerimin e tyre. Për shembull planifikohet një zgjerim i konsiderueshëm i ngulimeve Ariel në veri dhe Maale Adumin në lindje të Jeruzalemit. Zyra e kryeministrit Ariel Sharon i konfirmoi njoftimet e shtypit. Kreu i qeverisë ka deklaruar tashmë që zbrazja e Rripit të Gazës do të shoqërohet nga fuqizimi i blloqeve të ngulimeve në Bregun Perëndimor. Ka mundësi që në jug të Jeruzalemit të ndërtohet një ngulim krejtësisht i ri.

Pak kohë më parë u bë e ditur që sipërmarrës izraelitë kanë blerë për këtë qëllim tokë në fshatin palestinez Wallajeh. Ngulimi 55 mijë banorësh do të quhet Givat Yael. Në rast se ai ndërtohet, atëherë mbyllet ndërprerja midis Jeruzalemit dhe ngulimit Gush Etzion.

Punimet për pengesën izraelite në Bregun Perëndimor po vazhdojnë me ritme të larta. Pjesa e ndërtimit e radhës do të jetë gardhi përreth ngulimit Ariel dhe disa ngulimeve të tjera në afërsi. Dy javë më parë palestinezët, të cilëve u takon toka, morrën urdhërat e shpronësimit. Kjo u pasqyrua me kryetituj në shtypin izraelit, pasi në fakt qeveria u pati premtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës se hë për hë nuk do të bënte shpronësime të tjera dhe nuk do ta ndërtonte fillimisht pengesën në këtë pjesë. Pra dalja kundër vullnetit të aleatit më të ngushtë pranohet hapur në qarqet qeveritare, por siç thuhet, aktualisht nuk duhet pritur ndonjë rezistencë e fortë nga bota e jashtme.

Shumë tregues flasin për bërjen realitet të paralajmërimeve palestineze që kur kryeministri Sharon shpalli disa muaj më parë nismën e planit të ndarjes. Zbrazja e Rripit të Gazës shihet nga Sharoni vetëm si rregullim të vijës së frontit, dhe kjo do të çojë në ngritjen e ngulimeve të reja në Bregun Perëndimor, në zgjerimin e atyre ekzistuese dhe në edhe më shumë ngulime në tokat e pushtuara. Në fund të fundit vetë Sharoni pati thënë në intervista, se plani i ndarjes nuk është i mirë për palestinezët dhe do ti detyrojë ata të ndahen nga ëndërrat e tyre.