190410 Städte Nachhaltigkeit
20 Prill 2010Ndryshimi i klimës, rritja e popullsisë, shkatërimi i ambientit, mungesa e ujit për të gjitha këto japin kontributin e tyre edhe qytetet gjithnjë në rritje. 80 përqind e emisioneve të gazrave që shkaktojnë efektin serë dhe që kërcënojnë ndryshimet klimatike e kanë burimin tek qytetet e krijuara përrreth qendrave industriale dhe ekonomike.
Ruud Schuthof, përfaqësues i Këshillit Ndërkombëtar të Nismave Ambientaliste Lokale (International Council for Local Environmental Initiatives) sqaron: "Ne jetojmë sot në një botë ku nëpër qytete jeton më tepër se gjysma e popullsisë, 70 përqind e energjisë që shpenzohet në botë shpenzohet në qytete. Po ashtu edhe 80 përqind e emisioneve të CO2 në botë shkaktohen nëpër qytete që janë vërtet një faktor shumë i madh.“
Se mund ta përballojmë rritjen e qyteteve?
Këshilli Ndërkombëtar i Nismave Ambientaliste Lokale është themeluar në vitin 1990 dhe ka përfaqësues nga të gjitha kontinentet. Anëtarë të tij janë mbi 1.100 qytete, qarqe dhe komuna, të cilat përpiqen në të gjithë botën për një zhvillim ekologjik dhe të qëndrueshëm. "Ne duhet të shohim se si ta përballojmë rritjen e qyteteve. Rritja e tyre ka edhe aspekte pozitive: qytetet janë qendra të ekonomisë globale dhe ato mund të bëhen edhe qendra të një ekonomie të gjelbër. Ky është të paktën vizioni ynë: një ekonomi ekologjike, që kursen burimet dhe resurset, dhe punon sipas parimeve të drejtësisë sociale dhe mbrojtjes së ambientit.“
Që kjo ide nuk është utopi e ka treguar kryeqyteti i Suedisë Stokholmi. Ndërsa në Gjermani shkaktohen thuajse 10 tonë CO2 për banor, në SHBA dhe Australi thuajse dyfishi - rajoni Hammarby Sjwstad i Stokholmit shkakton vetëm 2,5 - 3 tonë CO2 për banor në vit.
Stokholmi shembull pozitiv
Falë infrastrukturës ekologjike, e cila ka mundësuar edhe hapjen e vendeve të reja të punës, ne riciklojmë si plehërat edhe ujërat e zeza duke reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit, thekson Jens Bjëërn, zëdhënës i sipërmarrjes energjetikeFortum: "Në Hëgdalen ne djegim në një termocentral mbeturinat e Stokholmit dhe disa komunave fqinje. Ne përdorim 500.000 ton plehëra që shkaktojnë banorët për të energji për disktriktin si dhe për të siguruar ngrohjen e tij. Shkaku kryesor pse Stokholm u shpall në vitin 2010 kryeqyteti ekologjik i Evropës është, se ne kemi gjetur një zgjidhje për plehërat pra për t'i përdorur ato me efektivitet dhe në mënyrë ekologjike për të prodhuar energji.“
Fakti që Stokholmi është një qytet që është rritur dhe zhvilluar nëpër shekuj, tregon se modernizimi i infrastrukturës mbi baza të qëndrueshme ekologjike nuk është i mundshëm vetëm për qytetet e reja dhe se ai mund të realizohet pa prishur standardin e jetës së qytetarëve.
Për këtë Ruud Schuthof kërkon që shembullin e Stokholmit ta ndjekin edhe qytetet e tjera: "Ne duhet të gjejmë zgjidhje që qytetet të ofrojnë më tepër cilësi për të jetuar, në kuptimin e sigurisë dhe të shëndetit. Lagjet e varfra dhe slamet e ngushta në shumë vende në zhvillim janë edhe vatra epidemish dhe pandemish, sikurse e tregoi edhe gripi i derrit.“
Sfida të mëdha jo vetëm për kryetarët e bashkive por edhe për urbanistët.
Autor: Helle Jeppesen/ Dr. Pandeli Pani
Redaktoi: Aida Cama