Tadiçi në Bruksel për integrimin e Serbisë apo për ndarjen e Kosovës?
17 Korrik 2010Serbia nga fillimi i vitit ka bërë shumë hapa në rrugën e integrimeve evropiane dhe bashkëpunimit rajonal, por papritmas ky proces ka ngecur, vlerëson për Dojçe Vellen Predrag Simiqi, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Pikërisht për këtë Brukseli vizitohet nga delegacioni i lartë serb i cili përpiqet të tërheqë vëmendjen se lodhja evropiane nga zgjerimi mund të ketë efekte negative në stabilitetin e Serbisë dhe të rajonit.
„Mendoj se këto efekte tashmë ndjehen në retorikën që dëgjohet, si për shembull midis Beogradit dhe Prishtinës ose nganjëherë në mes të Beogradit dhe Sarajevës si në rastin e Ejup Ganiqit dhe asaj që ndodh në Gjykatën e Londrës. Pastaj pritet edhe shpallja e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Kosovën, shpallje e cila është më shumë se e mjaftueshme për të prishur stabilitetin në Serbi, por edhe në vendet fqinje. Dhe kjo mund të shkaktojë një situatë shumë të pasigurt, në të cilën mund të dëgjohen fjalë nën vringëllimën e armëve“.
Fshehurazi shpresohet në ndarjen e Kosovës
Vizita në Bruksel vjen pas thirrjes që Parlamenti Evropian i bëri të gjitha shteteve anëtare që të njohin pavarësinë e Kosovës. Kryetari i Klubit të Progresit, Çedomir Antiq vlerëson se autoritetet serbe gjatë viteve të fundit kanë këmbëngulur më shumë formalisht gjë që nuk e ka përmirësuar pozitën e serbëve në Kosovë. Në të njëjtën kohë, nuk ka pasur asnjë program për integrimin e Kosovës në kuadër të Serbisë, vlerëson Antiq:
„Unë mendoj se qeveria jonë fshehurazi është duke shpresuar për një lloj korrigjimi të kufijve dhe një ndarje simbolike të Kosovës dhe Metohisë. Kjo vazhdon të refuzohet nga vendet evropiane. Çështja e ndarjes shfaqet pandërprerë në formë joformale edhe pse të gjithë ikin nga ajo. Unë nuk e di përse dikush duhet të mohojë diçka nga e cila vetë serbët zyrtarisht vazhdimisht heqin dorë? Kush e propozon atëherë një gjë të tillë që refuzohet nga vendet evropiane, dhe Serbia nuk e dëshiron, pyet Antiq.
Ne nuk do të arrijmë që në aspektin afatgjatë të zgjedhim problemin e Kosovës dhe Metohisë, mendon Antiq. Shteti serb siç duket pret momentin kur do të marrë kandidaturën për në BE, është mendimit Antiq, e pas kalimit të dhjetë viteve sa mesatarisht duhet pritur për kandidaturë, ose më gjatë, në prag të hyrjes në BE qytetarëve do t'u thuhet: Shikoni kjo është vetëm një njohje formale dhe nuk është asgjë në krahasim me hyrjen në BE. "Dhe, sigurisht, atëherë kësaj do t'i shtohet edhe ai mendimi i famshëm, i cili është tërësisht i papapërshtashëm dhe jo shumë i mençur, që ne do të parandalojmë hyrjen e Kosovës në BE“.
Serbia ende fleksbile rreth statusit?
Kreu i shtetit serb në Bruksel përballet edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Kohë më parë, ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç tha se Serbia pret pas këtij vendimi negociata të reja, në të cilat Serbia do të jetë më „fleksibël“. Profesor Simiqi thotë se ai mund ta marrë me mend se çfarë fshihet pas këtij fleksibiliteti të paralajmëruar. Në qarkullim janë teori të ndryshme nga ndarja e Kosovës dhe këmbimi i territoreve deri tek karrigia e Kosovës në OKB-së në këmbim të veriut të Kosovës dhe disa enklavave serbe:
„Mendoj se kjo është pjesë e tërë këtij mjedisi, i cili është mjaft i valë, në të cilin shfaqen shumë gjëra që nuk janë realiste dhe që mund të krijojnë pritjet të tepruara. Mosrealizimi i këtyre pritjeve mund përsëri të shkaktojë një frustrim të rrezikshëm dhe pakënaqësi të rrezikshme, të ulë shkallën e sigurisë ose të çojë në incidente të ndryshme“.
Autor: Ivica Petrović / Esat Ahmeti
Redaktoi: Lindita Arapi