Takim krize në Bruksel mbi gjendjen në Mali dhe pengjet në Algjeri
17 Janar 2013Pengmarrësit islamistë në Algjeri kërkojnë, sipas një agjencie lajmesh, nga Mauritania që t'i jepet fund operacionit ushtarak francez në Mali. Raportohet se bëhet fjalë për një grup, i cili llogaritet si pjesë e rrjetit terrorist Al-Kaida. Sipas versionit të Ministrisë së Brendshme algjeriane, 20 burrat ia dolën të hynin të mërkurën (16.01.2013) në një kompleks industrial. Po sipas saj, ndërkohë forcat e sigurisë e kanë rrethuar fushën gazmbajtëse në Amenas në afërsi të kufirit me Libinë. Derisa një grupim rajonal i Al-Kaidës bën fjalë për 41 të huaj të marrë peng, burimet algjeriane përmendën një numër prej më shumë se 20 pengjesh. Qeveritë e SHBA-së, të Norvegjisë, të Britanisë së Madhe, të Irlandës dhe të Japonisë konfirmuan se ndër pengjet gjenden shtetas të vendeve të tyre. Algjeria i refuzon negociatat me terroristët.
Konsultime krize në Bruksel
Në Bruksel këshillohen të enjten (17.01.2013) në një mbledhje urgjente mbi krizën në Mali ministrat e jashtëm të shteteve të BE-së. Në këtë kuadër ministrat e jashtëm janë marrë vesh për një mision për aftësimin e ushtrisë së Malit. Këshilli i ministrave të BE-së bëri të ditur se 200 këshilltarë ushtarakë evropianë do të përgatisin ushtarë të Malit për luftën kundër kryengritësve islamistë. Mandati i misionit është përcaktuar fillimisht për 15 muaj. Edhe qeveria gjermane ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në këtë mision. BE-ja duhet të përballojë kosto prej më shumë se 12 milionë eurosh. Përveç kësaj vendet pjesëmarrëse marrin përsipër kostot për pjesën që kontribuojnë. Gati një javë pas fillimit të ndërhyrjes ushtarake në Mali po merr trajtë konkrete edhe angazhimi i ushtarëve afrikanë. Trupa nga Nigeria do të mbërrijnë të enjten (18.01.2013) në Mali, bëri të ditur bashkësia ekonomike afrikanoperëndimore ECOWAS. Gjithashtu do të zënë pozicione në kufirin me Malin ushtarë nga Nigeri.
Deri tani është parashikuar që rreth 200 instruktorë ushtarakë dhe 250 ekspertë për siguri dhe logjistikë të jenë me mision atje për 15 muaj. Përeveç kësaj Gjermania do të dërgojë dy avionë "Transall", për të mbështetur angazhimin ushtarak ndërkombëtar kundër kryengritësve islamistë. Të mërkurën (16.01.2013) Franca ka angazhuar për herë të parë në operacion trupa këmbësorie kundër rebelëve. Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë hapi tashmë hetime për shkak të krimeve të munndshme të luftës, ekzekutimeve në masë dhe përdhunimeve. Mizoritë e kryera në Mali trondisin ndërgjegjen e njerëzimit, tha kryeprokurorja Bensouda.