Takimi Ashton-Daçiç-Thaçi në Bruksel: Nuk ka zgjedhje të reja në veri
6 Nëntor 2013Pas trazirave të dhunshme në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në të gjithë veriun e Kosovës. Serbia gjatë bisedimeve mes kryeministrave Ivica Dadçiç dhe Hashim Thaçi me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel (06.11.2013) u tërhoq nga kërkesa e saj duke pranuar përsëritjen e votimeve vetëm në tre qendra votimi në Mitrovicë. Këtë e konfirmoi kryeministri serb Ivica Daçiç si dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi pas disa orës bisedimesh me ndërmjetësimin e së ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton.
Ashton i dënoi ashpër incidentet e dhunshme në qendrat e votimit në Mitrovicë: "Këto incidente duhet të hetohen menjëherë", bëri thirrje Ashton.
Një mision i vështitrë për BE në Kosovë
Serbia fillimisht pati kërkuar anullimin e votimeve të së dielës, për shkak të shumë parregullsive në të katër qendrat e votimit. Ekstremistët serbë sulmuan në qendrat e votimit duke rrahur votuesit dhe duke shkatërruar materialet e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i drejtuar nga shqiptarët udhëzoi të mrëkurën (06.11.2013) në Prishtinë përsëritjen e votimit vetëm në tre qendra votimi në Mitrovicë duke e refuzuar përsëritjen e zgjedhjeve në qytete të tjera.
Në Janar Serbia pret fillimin e bisedimeve të antarësimit me BE-në. Por kusht për këtë është përparimi në procesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Zgjedhjet lokale, organizimi i të cilave u arrit pas bisedimeve disa mujore me ndërmjetësimin e BE-së, kanë si qëllim integrimin e pakicës serbe në shtetin e Kosovës të banuar kryesisht prej popullsisë shqiptare. Shumica e minoritetit serb në Kosovë nuk e pranon këtë, ndaj deri më sot i ka bojkotuar zgjedhjet.