1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi europian në Granada: Shumë gjëra mbeten pa thënë

6 Tetor 2023

Shanset nuk shfrytëzohen në takimin e nivelit të lartë të Komunitetit Europian: Bisedime nuk zhvillohen midis palëve në konflikt, Armenisë dhe Azerbajxhanit apo Serbisë e Kosovës. Kurse Ukraina merr më shumë përkrahje.

Komuniteti Politik Europian – Krevët e shteteve dhe qeverive në mjediset e pallatit Alhambra
Komuniteti Politik Europian – speeddating dhe Pazar diplomatik i krerëve të shteteve dhe qeverive Fotografi: Manu Fernandez/AP/picture alliance

Takimi i tretë i Komunitetit Politik Europian (KPE), komunitet që u krijua një vit më parë në Pragë, u dominua nga një temë, të paktën sa u përket fjalimeve publike, luftës së Ukrainës për t‘u mbrojtur nga agresioni rus, luftë që ka 18 muaj që po zgjat. Partneri më i preferuar në bisedimet e zhvilluara në takimet e shkurtra bilaterale ishte edhe kësaj here si gjatë takimit të dytë të KPE-së mbajtur në Moldavi në muajin qershor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyj.

Komuniteti Politik Europian, nuk është krijuar për të marrë vendime zyrtare ose për të formuluar deklarata. Ai ka më shumë të bëjë me një lloj pazari diplomatik, ose me zhvillime takimesh të shpejta. Në kuadër të tij, kryetaret dhe kryetarët e shteteve dhe qeverive, që nuk takohen shpesh përndryshe, duhet të takohen për të bërë muhabete politike. Prandaj në këtë komunitet nuk marrin pjesë vetëm 27 vendet anëtare, por marrin pjesë edhe vendet kandidate për t´u pranuar në BE si dhe dhjetë shtetet, që nuk duan të futen në BE. Por edhe Rusia dhe Bjellorusia janë pothuajse vende europiane. Sinjali i qartë që del nga ky forum është: Ky është koalicion anti-rus. 

Shqetësime për unitetin në Europë

Por në Granada u ndie shqetësimi, se ky koalicion është duke u thyer pak. Nga Hungaria, Polonia, dhe mbase pas pak edhe nga Sllovakia, dëgjohen zëra kritikë për ndihmën që i është dhënë Ukrainës. Disa diplomatë të BE-së, që nuk duan të përmenden me emër, mërmërisin se klima mund të prishet shpejt, jo vetëm në Europën Lindore dhe Qendrore. Edhe në Spanjë, vendin mikpritës të takimit, dëgjohen zëra kritikë që lëshohen nga qytetarët që pyesin kur dhe si do të marrë fund lufta në Ukrainë.

Samiti i Komunitetit Politik Europian në GranadaFotografi: Ludovic Marin/AFP

Pjesa më e madhe e KPE-së mbështet bashkëpunimin dhe fitoren e Ukrainës kundër Rusisë. Disa shtete premtuan të japin më shumë armë dhe pajisje ushtarake për dimrin. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyj tha duke bërë kujdes se: "Sfida më e madhe që ne shohim është të ruajmë unitetin e Europës, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e shtëpisë sonë të përbashkët europiane". Zelenskyj foli sikur të ishte kryetar i një vendi anëtar të BE-së. Ukraina e shkatërruar nga lufta, kërkon të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur anëtare e BE-së. Para vajtjes në Granada, presidenti ukrainas tregoi siguri se së shpejti do të fillojë me Brukselin bisedimet e pranimit në BE. 

Zgjerim i BE-së deri më 2030?

Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, dha në një intervistë kësaj jave datën e synuar për një pranim të Ukrainës, vitin 2030. Por jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por edhe për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë ngecur prej vitesh në procesin e vështirë të pranimit në BE. Charles Michel pranon njëkohësisht se në situatën e tanishme BE nuk është në gjendje të pranojë asnjë vend të ri anëtar, e aq më tepër popullin 40- milionësh të Ukrainës. Prandaj ditën e premte (6.10.2023) në një takim të nivelit të lartë të 27 kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të BE, që mbahet po ashtu në Granada, do të zhvillohen konsultime për hapat reformues në procesin e marrjes së vendimeven dhe çështjet e buxhetit.

Europës i duhet SHBA në Ukrainë

Në takimin e nivelit të lartë të KPE-së, diskutohet edhe për zhvillimet në SHBA që mund të ndikojnë në Ukrainë. Ndihmat e mëtejshme financiare në nivel miliardash për armatosjen e Ukrainës, mund të mbeten pa u dhënë për shkak të grindjeve për buxhetin që po zhvillohen në Kongresin amerikan. Pa paratë e premtuara nga presidenti amerikan Joe Biden kundrejt aleatëve perëndimorë dhe Ukranës, Ukraina nuk e fiton dot luftën me Rusinë, mendojnë ekspertët ushtarakë. SHBA ka dhënë deri tani 75 miliardë euro për Ukrainën, gati gjysmën e shumës prej 156 miliardë eurosh, të premtuar nga të gjitha shtete europiane bashkë. Pa SHBA nuk mund të bëhet, tha i ngarkuari i BE-së me politikën e jashtme, Josep Borrell. "Ai që kërkon që Putini ta humbasë këtë luftë, duhet të gjejë rrugët që SHBA të vazhdojë të japë ndihmat,” tha kryediplomati i BE-së. Natyrisht që BE mund të japë kontribut më të madh, por "SHBA është si të thuash e pazëvendësueshme në dhënien e ndihmave Ukrainës.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj tha, se është "100 përqind i sigurt” se do të marrë përkrahjen e Shtëpisë së Bardhë dhe dy dhomave të Kongresit.

Azerbajxhani nuk merr pjesë në takim

Krah shumë bisedimeve jozyrtare që u zhvilluan në qendrën e kongreseve të Grandadës, të siguruar sikur të ishte një fortifikatë, dy takime që nuk u zhvilluan tërhoqën vëmendjen. Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, nuk u shfaq në takime. Trupat e tij sulmuan dy javë më parë enklavën e banuar nga armenët në malin Karabah, duke shkaktuar një largim masiv të 120 mijë armenëve. Në Granada ishte planifikuar të mbahej një takim me presidentin armen, Nikol Paschinjan, ndërmjetësuar nga Franca, Gjermania dhe BE, për të biseduar për hapat që duhen hedhur për të arritur paqen. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel, tha se është "i shokuar" për sulmin e Azerbajxhanit dhe i premtoi Armenisë përkrahje më të madhe edhe për strehimin e refugjatëve. BE kërkon ta afrojë Armeninë më shumë me BE-në, pasi ky vend ka qenë deri tani i afërt me Rusinë.

Serbia dhe Kosova nuk flasin me njera-tjetrën 

Një takim tjetër që mund të zhvillohej në Spanjë për një konflikt akut, ishte ai midis Serbisë dhe Kosovës, përfaqësuar në takimin e KPE me presidentët e tyre. Por presidentja kosovare Vjosa Osmani tha, se Kosova është viktimë e sulmeve serbe. Nuk ka kuptim të takosh "agresorin” Aleksandar Vuçiq. BE duhet të vendosë më parë sanksione kundër Serbisë. Vuçiq tha në anën tjetër të Qendrës së Kongreseve, se kriza do të zgjidhet. Por ai kërkon të bisedojë vetëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mori pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian në GranadaFotografi: Bernd Riegert/DW

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja Osmani ka detyra kryesisht përfaqësuese. Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shihet nga Beogradi si pjesë e ndarë nga vendi, janë rritur shumë javët e fundit. 30 milicë serbë sulmuan një fshat në veri të Kosovës. Gjatë sulmit u vra një polic kosovar. Serbia ka dërguar trupat në kufi me Kosovën. NATO përforcoi trupën e KFOR-it të përbërë nga 3400 burra dhe gra, për të përballuar tensionet. Politikisht në Granada pati heshtje të palëve.

Një shans i humbur

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, paralamëroi në fillim të kësaj jave, se: "Nuk duhet të ketë përshkallëzim tjetër të ngjarjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Procesi politik duhet të vazhdojë." Baerbock i drejtoi një apel Serbisë që të reduktojë numrin e trupave në kufi. Nga pala serbe thuhet se trupa ka arritur sërish në nivel normal. Ministrja e Jashtme kosovare, Donika Gervalla-Schwarz tha në një intervistë se nëse BE dhe NATO durojnë ende mënyrën si sillet Serbia, atëherë një luftë e re do të shpërthejë në Ballkan. Fjalë këto që nuk u përdorën sot në Granada edhe nga presidentja e Kosovës. Serbia dhe Kosova duan të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Serbia është duke zhvilluar bisedimet e pranimit në BE. Kosova është vetëm një vend i mundshëm kandidat për pranim, edhe sepse jo të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, e njohin Kosovën si shtet, mes të cilave edhe Spanja vetë.

Edhe Turqia nuk merr pjesë në takim 

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan nuk mori pjesë në takimin e Granadës. Mendohet se atij do i jetë prishur qejfi, që BE nuk donte ta bënte pjesë të bisedimeve me Azerbajxhanin dhe Armeninë për konfliktin në malin Karabah. Pjesëmarrjen e Turqisë e kish kërkuar Azerbajxhani, i cili tradicionalisht ka marrëdhënie të mira me Turqinë. Nga zyra e shtypit të presidentit turk bëhet e ditur se ka pasur vështirësi me organizimin e takimeve. Prandaj nuk u zhvillua edhe një takim i politikanëve të BE me Turqinë, vend kandidat për t`u pranuar në BE. Turqia është duke zhvilluar bisedime me BE që nga viti 2005. Së fundi Erdogan pati kërcënuar me ndërprerjen plotësisht të bisedimeve, të cilat kanë ngrirë prej vitesh për shkak të tendencave autokrate të presidentit dhe keqësimit të marrëdhënieve me BE.

Kanë vlerë takime të tilla? 

Megjithë sukseset e pakta konkrete, eksperti i politikës Steven Blockmans nga instituti "Centre for European Policy Studies" me qendër në Bruksel, mendon se formati pa detyrime të forta i Komunitetit Politik Europian, ia vlen. "Vetëm fakti që njerëzit vazhdojnë të takohen, mbajnë të hapura mundësitë për takime të tjera dhe qasje mundësisht konstruktive, është pozitiv. Pa takime të tilla mundësi të tilla nuk do të ekzistonin fare. Kjo është ajo që thonë përkrahësit e KPE,” thotë Steven Blockmans në bisedë për Deutsche Wellen. Takimi tjetër i KEP do të mbahet me siguri, dhe kësaj radhe në Britani të Madhe. Dita dhe vendi nuk janë bërë ende të ditura. 

 

Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE