Takimi i ministrave të jashtëm në Luksemburg - priten vendime edhe për Ballkanin
28 Prill 2008Qëndrimi ndaj Serbisë
Hollanda dhe Belgjika deri tani kanë insistuar në bashkëpunimin e plotë të Serbisë me Tribunalin e Hagës, para nënshkrimit eventual të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me BE. Mirëpo njoftohet se ditët e fundit këto dy vende i kanë zbutur qëndrimet e tyre dhe nuk e përjashtojnë mundësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes, por me kushte të caktuara. Ekziston mundësia që ministrat të ofrojnë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizimit Asociimit me Serbinë, edhe pa bashkëpunimin e plotë me Tribunalin e Hagës.
Brukseli dhe Haga janë të mendimit se Marrëveshja duhet të nënshkruhet me 16 qershor, ndërkohë që vendet e tjera kanë qëndrimin se dokumenti duhet nënshkruar para zgjedhjeve të 11 majit, me qëllim stimulimin e forcave proeuropiane në Serbi. Kjo çështje do të jetë në rend dite të martën.
Perspektivat e zgjerimit në Ballkan
Përsa i përket zhvillimeve në Evropën Juglindore, ministrat do të miratojnë edhe konkluzionet për zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë, e cila do të marrë lëvdata për shkak të vendimit për reformën e policisë dhe nxjerrjen e dy ligjeve për policinë. Në Bruksel thuhet se zbatimi i plotë i kësaj reforme do të jetë një prej kushteve kryesore për afrimin e mtëutjeshëm të Bosnje - Herceovinës me BE. Pritet që në Luksembug të fillojë edhe dialogu për lehtësimin e regjimit të vizave me këtë shtet dhe me disa vende të tjera të rajonit. Në veçanti për lehtësimin e kushteve për studentë.
BE ka theksuar edhe në takimin e fundit të zhvilluar në Slloveni, vendosmërinë për zgjerimin e perspektivës për shtetet e Ballkanit perëndimor. Në këtë kuadër pritet të zhvillohet edhe një takim me përfaqësuesit e Kroacisë, ku në rend dite do të jetë plotësimi i kushteve për anëtarësim dhe gjendja e sigurisë në rajon.