Takimi i parë Kurti-Vuçiq në Bruksel
15 Qershor 2021Takimi në Bruksel mbahet me ndërmjetësimin e Josep Borrell, shefit të diplomacisë evropiane. Përfaqësuesi serb në dialog, Petar Petkoviq për mediat serbe tha në Bruksel se ata janë të shqetësuar për shkak të bashkëpunimit të ngushtë mes BE dhe SHBA, por do të vazhdojnë betejën për interesat e tyre. Nga pala e Kosovës deri tani askush nuk është prononcuar.
Më parë Borrell ka biseduar në takime të ndara fillimisht me delegacionin e Kosovës e më pas me ate të Serbisë.Të martën u takua fillimisht kryeministri Kurti me të ngarkuarin e BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e BE për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosav Lajçak. Më pas presidenti serb, Vuçiq me dy përfaqësuesit e BE dhe në fund filloi takimi trilateral, mes Josep Borrell e Miroslav Lajçak dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Borrell: E dimë se ky dialog nuk do të jetë i lehtë
Para takimit, i ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell publikoi një deklaratë. "Sot bashkë me Miroslav Lajçak do të jemi nikoqirë të një takimi të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Jam i lumtur që po ndodh në kohën kur Bashkimi Europian do të takohet me presidentin Joe Biden këtu në Bruksel. Është kënaqësi të takoj dhe të mirëpres në Bruksel presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo shumë kohë pas vizitës bilaterale në Bruksel.
Borrell theksoi, se i ka inkurajuar të dy që të vazhdojnë me takimet në kuadër të dialogut, pa vonesa, dhe me fokusin për të prodhuar rezultate pavarësisht të gjitha pengesave ekzistuese. "Ne e dimë se ky dialog nuk do të jetë i lehtë, por ky proces dhe përkushtimi i sinqertë nga të dyja palët është i nevojshëm për të mirën e popullit të Kosovës dhe Serbisë. Le të jemi të qartë – dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes europiane për të dyja vendet.”