Takimi Kurti-Vuçiq përfundon pa sukses
14 Shtator 2023Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha pas takimit: "ne të gjithë kemi propozimet tona, shqiptarët kanë të tyret, ne kemi tonat. Ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së, por Kurti nuk ka dashur ta pranojë”, tha Vuçiç për gazetarët.
"Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk largohet nga detyrimet e saj”, shtoi ai.
Takimi Vuçiç-Kurti, që synon përmirësimin e marrëdhëniet të tensionuara mes dy vendeve, ishte i pari pas më shumë se katër muajsh pushimi.
Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Raundi i fundit i dialogut në qershor përfundoi pa prodhuar asnjë rezultat të dukshëm. Vuçiq dhe Kurti refuzuan të takoheshin personalisht dhe Borrell, i cili zhvilloi me ta bisedime veçmas, tha se ata kanë "interpretime të ndryshme rreth shkaqeve, fakteve, pasojave dhe zgjidhjeve”.
Gjendje e acaruar dhe e mbarsur me potencial për konflikte
Javën e kaluar, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia paralajmëroi se forcat e tij "po kalojnë një periudhë ku u duhet të manaxhojnë në mënyrë të vazhdueshme krizat. Ai tha se tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës janë aq të acaruara, sa që edhe "ngjarja më e parëndësishme mund të krijojë një situatë të vështirë”.
Bashkimi Evropian bën përgjegjëse qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar në veri dhe ka kërkuar prej saj që t'i ulë tensionet duke pezulluar operacionet policore, duke i zhvendosur kryetarët e komunave në zyra alternative dhe duke shpallur zgjedhje të reja.
Kurti: Perëndimi nuk është homogjen
Qeveria e Kosovës ka përgjysmuar tashmë praninë e njësive policore në ndërtesat komunale në veri dhe ka shprehur gatishmërinë për organizimin e zgjedhjeve të reja. Për këtë qëllim ajo ka nxjerrë edhe një udhëzim administrativ, i cili sipas njohësve të çështjeve zgjedhore vështirë se mund të çojë në proces të ri zgjedhor.
Në një intervistë për DW, Kurtitha se perëndimi nuk është homogjen ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe ka qëndrime shumë të ndryshme lidhur me çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të bëhet "por nuk duhet të harrojmë edhe faktin që ne kemi qenë të gatshëm ta nënshkruajmë marrëveshjen me 27 shkurt në Bruksel, ndërsa më 18 mars gjithashtu edhe në Ohër dhe është pala serbe ajo që e ka refuzuar nënshkrimin."