Taksa e transaksioneve financiare
12 Janar 2012Për një kohë të gjatë ajo shihej si ide e parealizueshme e idealistëve të majtë, që donin të ndreqnin botën. E ashtuquajtura taksë e transaksioneve financiare. Ndërkohë vetë kryetarët e qeverive evropiane janë për të. Tatimi i transaksioneve financiare – ky me të vertetë nuk është emër i bukur. Përkrahësit e kësaj ideje preferojnë më mirë të flasin për „taksë kundër varfërisë“, apo një „taksë Robin Hood“, kjo tingëllon më njerëzore dhe më pak teknike. Prej më shumë se dhjetë vjetësh kritikët e globalizimit luftojnë për futjen e jë takse të tillë. Këtu bën pjesë edhe Peter Wahl e organizatës joqeveritare WEED – Ekonomia botërore, ekologjia dhe zhvillimi.
Më shumë se dhjetë vjet Peter Wahl është përqeshur nga bankierët dhe politikanët. Eshtë krejtësisht utopike, të vendosësh taksë për blerjen dhe shitjen e letrave me vlerë, aksioneve, obligacioneve dhe derivateve, ishte argumenti i tyre. Sepse po të futej një taksë e tillë në Gjermani, por jo në SHBA, këto veprime do të bëheshin në Nju Jork dhe jo më në Frankfurt. Thënë shkurt: në qoftë se nuk veprojnë të gjithë, atëherë kjo taksë dëmton vetëm ata, që e kanë futur këtë taksë.
Ndryshim i qëndrimit të politikanëve
Por fronti kundër taksës po shkërmoqet. Kancelarja gjermane është po aq për të, sa edhe presidenti i Francës, Nikola Sarkozy dhe komisioni i BE do të dëshironte të fuste taksën në të gjitha 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Peter Wahl, që lufton prej më shumë se dhjetë vjetësh për taksën, sheh arsye për këtë ndryshim. "Nga njëra anë është konstatuar se zgjidhja e problemeve ndërkombëtare është thuajse e pamundur, në qoftë se ju prisni bllokuesin më të ngadaltë dhe më të fundit. Arsyeja e dytë është sigurisht se kriza financiare i ka konfirmuar nga ana empirike shumë nga argumentet tona, që kemi patur më parë: Rrezikun e spekullimeve dhe domosdoshmërinë për të rregulluar në mënyrë të rreptë tregjet financiare.“
Tatime të ulëta, të ardhura të mëdha
Taksa e tatimit është e ulët, në varësi të modelit vetëm ndërmjet 0,1 dhe 0,01 përqind. Kjo do të prekte bankat, sigurimet dhe institucionet e tjera financiare. Megjithë normat e ulëta kjo mund të sillte të ardhura të mëdha. OJQ-të si WEED apo Oxfam llogarisin çdo vit 100 deri 150 miliardë euro, sikur tatimi të futej në mbarë botën. Sikur taksa të vlejë vetëm në BE, komisioni i BE pret të ardhura prej deri në 50 miliardë euro në vit.
Çfarë do të ndodhë me të ardhurat?
Industria financiare, kështu është llogaria, do të përfshihej më në fund në kostot e krizës financiare dhe të borxheve. Se çfarë do të ndodhë me paratë, opinionet janë të ndryshme. Peter Wahl i WEED: "Emri i fushatës sonë është taksa kundër varfërisë. Prandaj ne propozojmë që të ardhurat të ndahen në tri pjesë. Një e treta për luftimin e varfërisë tek ne në vendin tonë. Një e treta për financimin global të mjedisit dhe një e treta për financimin e zhvillimit." Komisioni evropian ka plane të tjera. Ajo do t'i fusë të ardhurat tatimore në buxhetin e BE-së. Ministri gjerman e Financave, Wolfgang Schäuble, megjithatë preferon të vendosë vetë se çfarë ndodh me paratë. Përveç kësaj ligji gjerman për buxhetin ndalon, që të ardhurat nga tatimet me ligj të lidhen me qëllime të veçanta. Pra është e mundur, që nga koncepti „taksë kundër urisë“ të mos mbesë shumë, fundja ka boshelleqe të shumta në buxhet, që duhet të plotësohen.
Pengimi i spekullimeve
Por të ardhurat shtesë janë vetëm një aspekt i tatimit të transaksioneve financiare. Po aq e rëndësishme është për ideatorët qëllimi që të stabilizojnë tregjet financiare, duke i bërë jo interesante spekulimet afatshkurtra.
Stephan Schulmeister punon në Institutin austriak për Studime Ekonomike në Vjenë. Ekonomisti vëzhgon prej vitesh tregtarët në qendrat e mëdha tregtare dhe sheh si funksionon tregtia e mbështetur te kompjuteri. Përfundimi i tij: tregjet financiare janë shkëputur prej kohësh nga ekonomia reale: "Ndërkohë gati 70-fishi i prodhimit real të të gjithë botës realizohet në tregjet financiare. Kjo ka të bëjë në rradhë të parë me teknologjinë e kompjuterit dhe teknologjinë e informacionit. Prej tyre u bë e mundur që lëvizjet e çmimeve në të gjitha bursat e rëndësishme të transmetohen në sekondë në gjithë globin."
Rezistencë e madhe
Megjithatë futja e tatimit për transaksionet financiare në gjithë botën është më se e pamundur. SHBA dhe Britania e Madhe janë kundër, kështu do të mbeteshin pa u taksuar bursat më të rëndësishme, Nju Jorku dhe Londra. Edhe nga tregjet aziatike nuk vijnë sinjale pozitive.
Autor: Andreas Becker/Angjelina Verbica
Redaktoi: Elert Ajazaj