Tanke gjermane për Katarin
23 Prill 2013Kompania e armëve Krauss-Maffei Wegmann (KMW) ka nënshkruar një kontratë miliardëshe me Katarin. Negociatat për marrëveshjen në fushën e armatimit kishin filluar para pesë vitesh. Të enjten e kaluar (18.04.2013), sipërmarrja nga Mynihu njoftoi më në fund se ka nënshkruar një kontratë për furnizimin me 62 tanke të tipit Leopard 2 dhe 24 armë artilierike me Emiratin e Katarit. Çmimi për këto armë: rreth 1,9 miliardë euro.
Sipas kompanisë Krauss-Maffei Wegmann, Katari posedon tanke luftarake të vjetra dhe armë artilierike me origjinë franceze dhe të Afrikës së Jugut. Vendi tani dëshiron t'i heqë ato nga përdorimi dhe t'i modernizojë forcat e saj ushtarake prej 8.500 burrash me sisteme të reja të kompanisë gjermane të armëve. Por pse është vendosur për tanket luftarake më moderne në botë? Nga raportet e agjencive të lajmeve të cilat kanë cituar "qarqe të prodhuesve të armëve" mësohet se Katari dëshiron të forcohet me armë në rast të një konflikti me Iranin. Këtë e sheh të mundur edhe politologu dhe eksperti për Lindjen e Mesme Werner Ruf. "Sigurisht një prej arsyeve është fakti që Katari është një prej forcave të Gjirit Persik të cilat shohin te Irani një kërcënim të madh, dhe dëshiron të armatoset kundër këtij kërcënimi".
Çfarë qëllimi ka armatosja?
Para së gjithash kur bëhet fjalë për kontrata të tilla të mëdha të armatimit nuk mund të injorohet faktori para, sqaron Ruf në bisedë me Deutsche Wellen. "Bizneset me armë janë tregti e mallërave për shumicën e të cilave paguhen ryshfete. Bëhet fjalë për nëj fitim të mrekulleushëm shtesë të atij që merr vendimin për të porositur këto armë."
Politologu dhe eksperti i Katarit Hamadi El-Aouni nga Universiteti i Berlinit, më tepër beson se shteti i Gjirit Persik dëshiron të mbështesë me tanket Leopard grupet e miqve jashtë vendit. "Nuk përjashtohet mundësia që këto armë do të zhvendosen diku tjetër. Unë mendoj për në Siri përmes Turqisë. Ndoshta edhe në Liban." El Aouni e përjashton mundësinë që Katari dëshiron të mbrohet me këto armë nga një konflikt me Iranin. "Janë dy vende që janë baza ushtarake të SHBA-ve. Bahreini si një bazë detare dhe Katari si një bazë ajrore. Këto janë dy nga bazat më të mëdha ushtarake amerikane në mbarë botën." Pra nëse do të vinte deri tek një konflikt me Iranin atëherë Katari do të ishte nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vend pa liri të shprehjes dhe opozitë
Partitë opozitare gjermane e kanë kritikuar ashpër shitjen e armëve në Katar. Vendi qeveriset në mënyrë autokratike dhe atje shkilen pandërprerë të drejtat e njeriut, thuhet në Partinë Socialdemokrate (SPD) , të Gjelbrit dhe partia E Majta. Me këtë pajtohen edhe politologët Werner Ruf dhe Hamadi El-Aouni. Edhe pse në Katar e ka selinë e tij kanali televiziv arab Al-Xhazira i cili është themeluar për raportim liberal prapëseprapë transmetimet e tij janë kryesisht propagandë e jashtme, thotë Werner Ruf. Forcat opozitare nuk lejohen në Katar, sqaron Hamadi El-Aouni. "Me disa përjashtime nuk ka shprehje të lirë të mendimit. Emiri dhe klani i tij, si dhe krerët e Katarit mbeten tabu."
Po ashtu fakti se Katari kishte ndihmuar shpesh kryengritësit në konfliktet e Revolucionit Arab, nuk dëshmon për mbrojtjen e parimeve të lirisë. Sipas politologut El Aouni më tepër në pyetje ka qenë realizmi i interesave të tyre. "Katari nuk e ka mbështetur revoltën e të rinjve në mënyrë që demokracia të instalohet në vendet si Tunizia, Libia dhe Egjipti". Katari ka pritur që nga revolucioni të krijohen shtete dhe bashkësi islamike. Kjo do të thotë se Katari ka luajtur këtu rolin e një fuqie anti-demokratike me një maskë demokratike.
Qasja pseudo-demokratike reflektohet edhe në politikën e jashtme, thekson Werner Ruf. Është karakterisitike si Katari ka reaguar ndaj kryengritjes në Bahreinin fqinj. "Ndërkohë që Al Xhazira vlerësonte lartë revoltën arabe, në Bahrein u dërguan tanket. Me këto armë, nën drejtimin e Arabisë Saudite, kryengritja e Bahrainit u përmbyt në gjak."