1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tashmë ka shenja të qarta të maturisë së demokracisë shqiptare

Fabian Schmidt12 Shtator 2007

Në bisedë eksluzive me Deutsche Welle-n, ministri i jashtëm i Shqipërisë flet për rëndësinë që ka për Shqipërinë roli i Gjermanisë, si edhe për problemet e shtyrjes në zgjidhjen e statusit.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha në bisedë me drejtorin e programit shqip të Deutsche Welle-s, Fabian SchmidtFotografi: DW
undefined

DW: Zoti ministër cila ka qenë për ju përvoja më e rëndësishme në 20 vitet e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane?

Përgjigje: Mendoj se ka pasur disa momente, të cilat mund të gjykohen në bazë të rëndësisë që kishin për momentin kur ndodhën: Përqasja që Republika federale gjermane i bëri Shqipërisë komuniste, por pa sukses, pastaj roli që Gjermania ka luajtuar në forcimin e institucioneve demokratike dhe stabilitetit politik dhe makroekonomik në Shqipëri nëpërmjet investimeve, të cilat kapin vlerat mbi 700 milionë euro gjatë këtare 17 viteve. Unë besoj që shumë shpejt moment kulmor do të jetë ratifikimi i marrëveshjes së asociim-stabilizimit nga bundestagu gjerman. Shpresojmë votën pro të Gjermanisë për ftesën për t'u pranuar në NATO në Samitin e Bukureshtit. Shpresoj po ashtu që para këtyre dy momenteve ose gjatë këtyre dy momenteve, një moment tjetër kulmor është edhe vizita e kancelares Merkel në Tiranë.


DW: A ka konfirmim zyrtar për datën e vizitës së kancelares gjermane, zonjës Merkel në Shqipëri?

Përgjigje: Zonja Merkel dhe kryeministri Berisha janë takuar në aktivitetet ndërkombëtare, ku kryeministri i ka përsëritur ftesën, të cilën zonja Merkel e ka mirëpritur dhe ne jemi në momentet e diksutimit të axhendave për të përcaktuar kohën e përshtatshme për këtë vizitë.

DW: Në takimin e Bukureshtit do të bëhet fjalë edhe për pranimin e Shqipërisë në NATO. Si po përgatitet Shqipëria për këtë hap?

Përgjigje: Reformat që Shqipëria ka ndërmarrë janë pa dyshim reformat e thella të sistemit, ato janë përqëndruar në luftën kundër korrupsionit në administratë, korruspionit fiskal, forcimit të disiplinës fiskale, por edhe të lehtësimit të procedurave për klientët, konsumatorët dhe biznesin, uljen e vazhdueshme të barrës fiskale dhe bërjen e procedurave më transparente, luftën kundër krimit të organizuar, ku janë shënuar rezultate, të cilat janë përshëndetur nga institucionet ndërkombëtare, siç ka qenë shkatërrimi i afro 140 bandave dhe grupeve të krimit të organizuar dhe arrestimi i mbi 1170 individëve, moratoriumi mbi motoskafet në bregdetin Adriatik dhe të Jonit, i cili ka dhënë rezultate të padiskutueshme në ndalimin dhe në zvogëlimin deri në minimum të trafikut të qënieve njerëzore të lëndëve narkotike dhe të trafiqeve të tjera të paligjshme. Këto reforma janë bërë ndërkohë që Shqipëria ka forcuar transparencën dhe ka zvogëluar barrën e procedurave administrative për bizneset duke rezultuar kështu në një rritje të vazhdueshme të investimeve të huaja, një rritje të kapaciteteve të brendshme prodhuese dhe eskportuese si dhe një rritje progresive të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Këto janë të destinuara sipas prioriteteve të qeverisë në infrastrukturë, në shëndetësi dhe në arsim, dhe kanë bërë të mundur planifikimin e shpenzimit të 2% të prodhimit të brendshëm bruto për qëllime të mbrojtjes duke filluar nga janari i vitit 2008, çka përbën një realizim të marrëveshjes me NATO-n, dy vjet përpara afatit. Reformat janë gjithashtu të përqëndruara në drejtimet e reformës së sistemit të institucioneve, kryesisht në reformën zgjedhor, të cilën shpresojmë që ne së bashku me opozitën ta nisim dhe ta përfundojmë me sukses brënda një kohe sa më të shkurtër si dhe reformën në drejtësi, e cila për nga natyra është një proces kompleks, por që gjithashtu kërkon një bashkëpunim politik midis maxhorancës dhe faktorëve të tjerë politikë. Pa dyshim që në kuadër të demokracisë funksionuese, zgjedhjet e 18 shkurtit, rezultati i të cilave nuk u kontestua nga asnjë forcë politike, por edhe zgjedhja e presidentit në parlament sipas procesit kushtetues, me kontributin edhe të opozitës, janë shenja të qarta të maturitetit tashmë të demokracisë shqiptare. Së bashku me reformat që sapo përmenda, janë hapa që janë vlerësuar dhe do vazhdojnë të vlerësohen deri në momentin e përfundimit të ciklit të nëntë në shkurt ku dhe presim në bazë të përformancës tonë, vlerësime pozitive nga Këshilli i Atlantikut dhe presim ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit.

DW: A keni marrë gjatë takimeve Tuaja në Gjermani sinjale për investime të mëtejshme të Gjermanisë në Shqipëri. Firmat gjermane janë tashmë të pranishme në vend, jo vetëm në ndërtimin e aeroportit të Tiranës. A do të ketë thellim të bashkëpunimit ekonomik?

Përgjigje: Sigurisht që komponenti i bashkëpunimit ekonomik ka një rëndësi të veçantë në marrdhëniet mes dy vendeve tona. Kjo ka ardhur gjithmonë në rritje dhe në forcim. Ju përmendet koncesionin e aeroportit, ku një nga aksionerët kryesore është kompania gjermane Hochtief, e Dyseldorfit e cila ka shënuar një sukses jo vetëm ekonomik e financiar, por edhe të menaxhimit duke dhënë një shembull unik në Gadishullin ballkanik, në Europën juglindore, të një koncesioni të sukseshëm, të një pjese kaq të rëndësishme të infrastrukturës siç është aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza".

Po kështu investimet gjermane në Shqipëri shtrihen në shkallë të ndryshme, pothuajse në çdo degë të industrisë, me një tendencë rritjeje dhe kjo vihet re edhe në tendencën e përgjithshme të rritjes së investimeve, të cilat në vitin 2006 ishin tre herë më të larta së në vitin 2004 dhe tendenca e rritjes vazhdon, me sa shohim edhe në statistikat e tre-mujorit të parë të vitit 2007. Pa dyshim që klima që po krijohet në Shqipëri me uljen e barrës fiskale, duke filluar nga 1 janari 2008 kompanitë do të paguajnë vetëm 10% si taksë korporate, ndërkohë që qysh prej 1 korrikut të 2007, taksa mbi të ardhurat personale është 10%. Do të kemi një ulje progresive, të të ardhurave për kontributet shoqërore. Kemi marrë edhe masa për të përmirësuar infrastrukturën publike, rrugë të reja, autostrada, porte, të cilat pa dyshim luajnë një rol të veçantë dhe të rëndësishëm për investitorët e të gjitha llojeve, si dhe përpjekjet serioze të qeverisë për një program efikas për t'ju kundërvënë problemeve të energjisë që ka Shqipëria si vend me burime hidrike.

DW: A mendoni se programi Shqipëria 1 euro nxit vërtet interesin e investitorëve të huaj për Shqipërinë?

Përgjigje: Jo vetëm përshtypje, por edhe shifra kam për këtë. Para këtij takimi isha me përfaqësues të shoqatës gjermane të biznesit Gjermani -Shqipëri, të cilët më thanë se kanë një rritje prej 50% të anëtarësisë të tyre në këtë shoqatë dhe që tani po bëhen gati të organizojnë të njëjtën organizëm në një dhomë tregëtie shqiptaro-gjermane në Shqipëri. Pra kemi një rritje të vazhdueshme të interesit të biznesit gjerman në Shqipëri, një rritje të vazhdueshme të investimeve gjermane, kemi veçanërisht rritje të interesit në sektorin e turizmit, ku kompani të fuqishme gjermane, aksionerë dhe private janë ofruar dhe po shohin mundësitë e investimit në bregdetin shqiptar apo në sektorin e shërbimeve mendoj se edhe përpjekjet për t'i dhënë formë programit Shqipëria 1 euro, do të kenë rolin e tyre në të ardhmen.

DW: Ndërrojmë temë. Sikur procesi i trojkës ndërkombëtare për Kosovën të mos përfundojë me një marrëveshje, si mund të vazhdohet sipas mendimit të diplomacisë shqiptare?

Përgjigje: Ne jemi të shqetësuar se procesi i vonesave dhe shtyrjeve të njëpasnjëshme dhe të përsërituara mund të vazhdojë deri në atë moment ku do të jetë tepër vonë. Prandaj duke ndarë qëndrimin e shprehur së fundmi edhe nga qarqet diplomatike perëndimore, nga Uashingtoni në Bruksel, apo të kryeqyteteve të ndryshme europiane, ne mendojmë se pas kësaj periudhe duhet të kemi veprime enrgjike nga Bashkimi Europian, nga NATO për të implementuar paketën Ahtisari në tërësinë e saj në Kosovë dhe për t'i hapur rrugë kështu jo thjesht një shteti të ri, sovran, demokratik që ka të gjitha garancitë më të gjëra për minoritetet, duke përfshirë edhe minoritetin serb, por duke i hapur rrugë përfundimisht, një procesi të përshpejtuar të europianizimit dhe rrjedhave euroatlantike për gjithë vendet e rajonit, duke përfshirë Kosovën e pavarur dhe Serbinë.

DW: Po realizimi në praktikë i planit Ahtisari varet formalisht prej miratimit në Këshilin e Sigurimit. Si mund të zgjidhet problemi i sovranitetit?

Përgjigje: Në rradhë të parë nuk duam të paragjykojmë bisedat e pritshme midis palëve për të cilat është angazhuar edhe Trojka. Së dyti shpresojmë që në fund të këtij procesi, paketa Ahtisari mund të sanksionohet në Këshillin e Sigurimit, por jemi të bindur, se nëse kjo nuk ndodh, për shkak të bllokimit të njëanshëm të KS-it nga Rusia atëhere me veprime dinamike duhet një përgjigje shumëpalëshe, thelbi i së cilës është, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe ne besojmë se kjo përgjgije është zbatimi në terren i paketës Ahtisari në tërësinë e tij nga NATO-ja dhe BE-ja, duke garantuar vazhdimësi të komponentit ushtarak të KFOR-it dhe një administratë të BE-së në përputhje me rekomandimet e paketës Ahtisari për të ndihmuar Kosovën e pavarur në rrugëtimin e saj, i cili pa dyshim do të jetë një rrugëtim europian dhe euroatlantik.