Teknologji e lartë nga Gjermania
23 Mars 2007
Shteti spanjoll do të subvencionojë modernizimin e pajisjeve të energjisë së erës. Pajisjet e vjetra duhen zëvendësuar nga pajisje më efikase, kërkoi ministri i industrisë Joan Clos të martën në Madrid. Prandaj qeveria ka rritur, sipas tij, edhe synimin e kapacitetit të energjisë së erës deri në vitin 2010 me 2.000 megavat në 22.000 megavat. Qeveria po përgatit tani një projektligj, sipas të cilit do të shkurtohen subvencionet për pajisje të vjetra dhe më pak efikase. Në Beneixama në provincën Alicante u përurua të mërkurën centrali më i madh diellor në botë. Centrali është i madh sa 71 fusha futbolli dhe u ndërtua nga një firmë gjermane.
Turistët kalojnë këtej vetëm ngaqë u bie rruga - por prej disa kohësh teknikët preferojnë të qëndrojnë gjatë në fshatin Beneixama në hinterlandin e Costa Blanca-s: Objekti i tyre i interesit nuk mund të gjehet lehtë, sepse centrali më i madh diellor në botë pothuajse nuk bie në sy. 100.000 module diellore me ngjyrë blu në të gjelbër janë mbërthyer në radhë përgjatë një shpati, të rrethuara nga pemë bajamesh dhe ullinjsh. Ndërtimi nuk është më i lartë sesa tre metra, megjithëse mbulon një sipërfaqe sa 71 fusha futbolli.
Lugina e Beneixama-ës është një pozicion ideal, jo vetëm për më shumë se 300 ditët me diell në vit. Ka një detaj befasues për joprofesionistëtist, shpjegon Daniel Zinnecker i firmës City Solar nga Bad Kreuznach-u, e cila e ka ndërtuar centralin.
"Kjo është era, e cila siguron ftohjen e moduleve; sepse në kulmin e verës kur modulet nxehen shumë bie shkalla e efikasitetit dhe era është në gjendje të kundërveprojë disi."
Aspak ftohtë, por me shumë entuziazëm reagoi ndaj parkut diellor fshati me 2.000 banorë, thotë Stephan Brust zëdhënës i firmës City Solar.
"Ne patëm që në fillim fatin e madh që hasëm vërtet në një valë entuziazmi dhe simpatie. Nuk patëm asnjë protestë të vetme, por patëm shumë mbështetje, edhe mbështetje politike që ka shumë rëndësi të komunave të afërme."
Nuk është çudi, sepse centrali energjetik i firmës gjermane të teknologjisë së lartë krijon dhjetë vende të reja pune në rajon, të qëndrueshme. Çdo vit Beneixama prodhon rrymë elektrike të përshtatshme për mjedisin për 12.000 familje - duke punuar krejtësisht pa gazra të dëmshëm. Një matës i madh në hyrje të territorit tregon të dhënat e energjisë së prodhuar dhe të sasisë së kursyer të dioksidit të karbonit. Një central konvencional me të njëjtin kapacitet do të çlironte 30.000 tonë gazra të efektit serë.
Dhe pikërisht vendi i diellit Spanja është shumë mbrapa kur bëhet fjalë për reduktimin e dioksidit të karbonit; objektivat e Protokollit të Kyoto-s janë shumë të largët për të. Vetëm tani ka filluar qeveria të shfrytëzojë burimet e natyrshme energjetike të vendit.
"Është shumë e rëndësishme që të mos kemi të sigurt vetëm kohën me diell, por natyrisht edhe mbështetjen politike. Edhe Spanja po fillon tani me ndjekjen e kësaj politike, kemi ligjin për energjinë e ripërtëritshme, kemi punën tonë në Beneixama, dhe këto janë premisa të shkëlqyera për një fillim të ri."
Energjia ekologjike duhet ende të subvencionohet në Beneixama, por kjo mund të ndryshojë së shpejti. Ministrja spanjolle e mjedisit paralajmëroi një transformim rrënjësor në politikën energjetike: Do të ndërtohen edhe më shumë centrale diellore, ndërtesat e reja duhet ta sigurojnë 30 deri 70 për qind të ujit të ngrohtë prej energjisë diellore - jo vetëm një treg i mrekullueshëm për investuesit, por edhe më shumë vende të reja pune.
"Kjo është e mira, që ndërkohë ka shumë njerëz që u intereson kjo temë dhe që më pas interesohen dhe kërkojnë punë tek ne. Ekziston një nocion i bukur, që quhet 'solateur'."
Punonjësit spanjollë do ta mbikqyrin dhe mirëmbajnë parkun diellor dhe kur të bëjë mot i keq duhet të përdorin mjete të jashtëzakonshme.
"Kur njëherë bie vërtet borë, atëherë natyrisht që duhet të pastrojnë me fshesë modulet."
Kjo do të ishte dhe e vetmja gjë në parkun diellor Beneixama, e cila nuk ka të bëjë me teknologjinë e lartë.