1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Ligj dhe drejtësiEuropë

Hetime në BE: Po i vjen fundi "TEMU" në Europë?

1 Nëntor 2024

Platforma kineze TEMU është zgjeruar me shpejtësi në Evropë duke përdorur një marketing agresiv. Bashkimi Evropian synon që TEMU të përmbushë standardet e BE-së dhe të mos dëmtojë konsumatorët.

Logoja e platformes kineze Temu
TEMU është zgjeruar me shpejtësi në Evropë duke përdorur një marketing agresivFotografi: SOPA Images/Sipa USA/picture alliance

Komisioni Evropian ka hapur një hetim ndaj platformës kineze të blerjeve online TEMU, për të cilin dyshon, se bën shumë pak për të ndaluar shitjen e produkteve të paligjshme.

"Ne duam të sigurojmë që TEMU vepron në përputhje me Ligjin e Shërbimeve Digjitale, sidomos lidhur me garancinë që produktet e shitura në këtë platformë përmbushin standardet e BE-së dhe nuk dëmtojnë konsumatorët," tha në një deklaratë Komisionerja Evropiane për Konkurrencën Margrethe Vestager. TEMU tha se do të bashkëpunojë me BE-në.

TEMU dhe prodhimet e falsifikuara

Bazuar në Ligjin e Shërbimeve Digjitale Komisioni Evropian e klasifikoi në muajin maj TEMU-n si një "platformë shumë të madhe online". Për TEMU-u ky klasifikim sjell me vete edhe detyrimin që si një nga firmat më të mëdha të teknologjisë në botë të bëjë më shumë për të mbrojtur konsumatorët evropianë që blejnë përmes internetit.

Komisionerja Evropiane për Konkurrencën Margrethe Vestager do që TEMU të veprojë në përputhje me Ligjin e Shërbimeve DigjitaleFotografi: Yves Herman/REUTERS

Margrethe Vestager është e shqetësuar për artikujt e falsifikuar që shiten përmes TEMU dhe prandaj dëshiron të dijë se çfarë sistemesh ka TEMU për të goditur "tregtarët mashtrues" që shesin "mallra që nuk përputhen me standardet" dhe për të kufizuar "rishfaqjen" e tyre në këtë platformë.

Komisioni është gjithashtu i shqetësuar për taktikat agresive të shitjesh dhe "dizajnin potencialisht problematik" të platformës TEMU, përfshirë edhe programet e shpërblimit "të ngjashme me lojëra".

Nëse konstatohet se kompania shkel të Ligjin e Shërbimeve Digjitale ajo mund të përballet me gjoba të mëdha, deri në gjashtë për qind të xhiros së saj globale,

Marketing agresiv

TEMU është zgjeruar me shpejtësi në Evropë duke përdorur një marketing agresiv dhe ka tërhequr miliona përdorues përmes sloganit "Bli si miliarder"  si dhe duke ofruar çmime të ulëta për një gamë të gjerë produktesh. Komisioni tha se në shtator TEMU kishte në vendet e BE-së 92 milionë përdorues aktivë mujorë.

Përmes platformës TEMU shiten shumë artikuj të falsifikuar Fotografi: Markus Mainka/picture alliance

"Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me rregullatorët për të mbështetur qëllimin tonë të përbashkët për një treg të sigurt dhe të besueshëm për konsumatorët," tha një zëdhënës i kompanisë TEMU në një deklaratë.

TEMU po mendon gjithashtu t'i bashkohet një grupi platformash tregtare online që bashkëpunojnë për të parandaluar shitjen përmes internetit të prodhimeve të falsifikuara në Evropë. Në këtë grup bëjnë pjesë ndër të tjerë edhe Amazon, Alibaba dhe eBay.