Lindja e Mesme: Në rritje modeli i “vizave të arta”
12 Prill 2023Gazetarja irakiane Hiba Ahmad po kërkonte një rrugë shpëtimi, kur një grup ekstremist i njohur si "Shteti islamik” mori nën kontroll në vitin 2014 pjesë të ndryshme të vendit të saj. "Unë mendova se më duhej të gjeja një vend jashtë Irakut, për të qenë e sigurt,” i tha ajo Deutsche Welles, "Në mënyrë që nëse situata në Irak keqësohet, unë të kem mundësi të largohem.”
Pasi kërkoi në internet, gazetarja e lindur në Bagdad, vendosi të blejë një banesë të vogël në Turqi, ku gjeti një që i pëlqeu për rreth 40 mijë dollarë (36,840 euro), afër një vendi bregdetar, gjysmë ore larg Stambollit. "Shteti islamik” u shpërbë në vitin 2017, megjithatë ajo vazhdon të vijë këtu rregullisht. "Arsyeja pse vij këtu është, sepse në Bagdad bën shumë nxehtë,” shpjegon Ahmad. "Kurse këtu është freskët dhe qetë dhe kur vij unë qëndroj dy ose tre muaj."
Megjithëse Turqia ka rregulla të forta për dhënien e lejes së qëndrimit, Ahmad është në gjendje të qëndrojë këtu, sepse bleu apartamentin në Turqi. Kjo i jep asaj mundësinë të rinovojë kur ka nevojë vizën dyvjeçare. Pa investimin në pasuri të patundshme, ajo do mund të merrte vetëm një vizë turistike njëmujore, tregon Ahmadi. Nëse do të dojë, Ahmadi mund të kërkojë madje të marrë edhe nënshtetësinë turke.
Mundësi të arta imigracioni
Viza turke e Ahmadit është një nga shembujt më të zakonshëm dhe të pagueshëm të asaj që njihet si program për dhënien e lejes së qëndrimit për investime (RBI), shpesh i njohur prej shumë vetëve si programi i "vizave të arta”. Po ashtu ka programe për dhënie nënshtetësie për investime ose "pasaporta të arta”, por këto do kërkonin më shumë para, më shumë dokumenta dhe më shumë kohë.
Në Lindjen e Mesme, motivimi për të dyja versionet e kësaj skeme janë të njëjtat. Vendet që ofrojnë viza të arta ose pasaporta të arta duan të inkurajojnë investitorët dhe të huajt që kanë depozita të mëdha valutash. Për individët që marrin pjesë në këto programe, programet ofrojnë mundësi për një jetë më të mirë, një pasaportë e dytë ofron më shumë mundësi udhëtimi dhe shanse për t'u shpëtuar problemeve politike, trazirave ekonomike ose konflikteve në vendin e lindjes.
Kanadaja, SHBA, Irlanda dhe vende të tjera të BE-së kanë programe të tilla. Por pesë vitet e fundit ideja është bërë popullore edhe në Lindjen e Mesme.
Në fillim të muajit mars, Egjipti bëri lehtësime për të huajt që duan të bëhen egjiptian duke investuar. Vendi kishte një program për dhënien e nënshtetësisë duke investuar, ose CBI, futur në fuqi që në vitin 2020, por për shkak të problemeve ekonomike dhe nevojës për investime ndërkombëtare dhe valuta të huaja, bëri këtë vit lehtësime të kushteve.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pasur një program vizash të arta që nga viti 2019, por bënë përmirësime të tij duke e bërë aksesin më të lirë dhe më të lehtë.
Jordania ka aplikuar programet e vizave për investime që në vitin 2018, dhe Katari filloi në vitin 2020 të ofrojë lejeqëndrime të përkohshme më të gjata, si shpërblim për blerje pasurish të patundshme. Bahrain ka që nga viti 2022 një program për "leje qëndrimi me vizë të artë” dhe bëri të njohur së fundi "licencat e arta” për investime në shkallë të gjerë. Edhe Arabia Saudite ka filluar sivjet me programin e "lejeqëndrimeve si shpërblim”.
Europa i jep fund 'vizave të arta'
"Prirja në Lindje të Mesme është e ndryshme nga ajo që shohim në Europë," thotë Jelena Dzankic, profesore në Institutin Universitar Europian në Itali dhe bashkëdrejtuese e Global Citizenship Observatory. Dzankic ka parasysh faktin që në Europë janë duke u mbyllur programet e pasaportave të arta dhe programeve të dhënies së lejeve të qëndrimit ofruar nga Portugalia, Greqia dhe Qipro.
Dzankic shpjegon se në Europë janë duke u bërë "shfuqizime në rritje të shtetësisë dhe lejeqëndrimit dhënë për investime, për shkak të skandaleve dhe rreziqeve të lidhura me këto programe.
Kritikët i përshkruajnë këto programe si kombe që shesin nënshtetësinë tek ai që ofron më shumë para, duke argumentuar se programet kanë hequr pengesat për problemet e mundshme të sigurisë, kanë ulur çmimin real të pasurive të patundshme dhe kanë rritur rreziqet për korrupsion dhe larje parash. Mbas shpërthimit të luftës në Ukrainë, BE i kërkoi të gjitha vendeve anëtare të ndalojnë programe të tilla nga frika se mund të përdoren nga shkelësit e sanksioneve.
"Kështu që unë mendoj se kur një treg, ai europian, mbyllet njerëzit fillojnë të shohin për rrugë të ndryshme alternative,” thotë Dzankic.
Rrugë e shpejtë për të marrë nënshtetësinë
Ideja moderne e nënshtetësisë për investime ka filluar në vitet 1980. Sipas këshillit Investment Migration Council, (IMC) me seli në Zvicër, një organizatë ombrellë e kompanive pjesë e këtij sektori, programi i parë i nënshtetësisë për investime ka filluar në Tonga në vitin 1982, më pas në St. Kitts dhe Nevis në vitin 1984. Shtetet e vogla ishuj, të ndodhura në vështirësitë e periudhës pas koloniale, mund të mblidhnin kështu para duke ofruar nënshtetësinë ose lejeqëndrimin si shpërblim për investime.
Sot, pjesa më e madhe e vendeve ofrojnë rrugë të tilla për investitorët që marrin nënshtetësinë. Por e rëndësishme është të bëhet dallimi midis këtyre rrugëve dhe programeve që diskutohen shpesh, programeve RBI ose CBI që ofrohen në një formë ose në një tjetër nga rreth 80 vende, sipas Këshillit IMC.
Këto programe ofrojnë nënshtetësi ose lejeqëndrimi që jepet menjëherë, ose me proces të përshpejtuar si shpërblim për investime të mëdha. Investimi i nevojshëm fillon nga 100 mijë dollarë në Karaibe, deri në 3,25 milionë dollar (2,96 milionë euro) në Europë. Disa nga programet i kërkojnë investitorit të ndodhet në vend për një numër të caktuar ditësh ose të hapë biznese në vend, ndërkohë që programe të tjera nuk kërkojnë prej tyre as që ta vizitojë vendin.
Siç thotë për Deutsche Wellen Dzankic, e cila ka studiuar këtë sektor prej më shumë se një dekade, kështu është duke u krijuar "një industri nënshtetësie” dhe shpesh kompanitë e përfshira kërkojnë nga autoritetet kombëtare të ofrojnë përfitime më të mëdha.
Vëzhguesit e sektorit thonë se nuk janë vetëm qeveritë e Lindjes së Mesme që janë duke i kushtuar më shumë vëmendje programeve RBI dhe CBI. Vendasit, sidomos individë të pasur nga këto vende që ndodhen në konflikte ose trazira ekonomike si Libani, Iraku, Libia, Siria janë duke përfituar nga programe të tilla jashtë vendit.
Kush kërkon 'vizë të artë'?
Është e vështirë të gjesh të dhëna të sakta se kush janë ata që aplikojnë për pasaportat ose vizat e arta, ose sa është numri i tyre. Programet shtetërore nuk janë trasparente ose janë të ngadalta në publikimin e statistikave.
"Megjithëse nuk ka të dhëna të fundit për nënshtetësinë ekzakte të investitorëve që marrin pjesë në programe të tilla në Lindjen e Mesme, ekzistojnë disa modele,” i tha Deutsche Welles David Regueiro, një përfaqësues rajonal i Investment Migration Council.
Nga njëra anë, investitorët e Lindjes së Mesme "janë disa nga konsumatorët më aktivë të këtyre programeve në botë,” thotë ai, ku disa vende marrin tre të katërtat e gjithë aplikuesve të programeve CBI në rajon.
"Sa i përket nacionaliteteve specifike, investitorët nga vende si Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahrain, Libani, Siria dhe Irani janë nga më aktivët,” thotë Regueiro.
Pjesa më e madhe e investitorëve imigratë janë të pasur me një pasuri me vlerë nga 2 milionë dollar deri në 10 milionë dollarë. Por një e katërta e tyre kanë më pak se kaq, vëren konsulenti për çështjet e emigracionit. "Ndërkohë që është e vërtetë që individët e pasur janë investitorët më aktivë, interesimi është në rritje edhe tek njerëzit me të ardhura të mesme,” thotë Regueiro.
Kështu ka mundësi që sa më pak i shtrenjtë të jetë programi aq më i arritshëm të bëhet, si përshembull programi CBI i Egjiptit ose programi i Turqisë për dhënien e lejeqëndrimit me blerje në pasuri të patundshme, dhe sa më shumë të vështirësohet gjendja në vendlindje për shkak të rënies ekonomike ose ndryshimeve të klimës, aq më shumë jomilionerë do të mendojnë të bëjnë një lëvizje të tillë. "Ka shumë njerëz që nuk mund t'i përballojnë programet tradicionale CBI,” thotë Jeremy Savory, kryetar i firmës së konsultimit për çështjet e emigracionit me bazë në Dubai, Savory & Partners. "Mbase ekziston në treg një e boshllëk për ata njerëz që fillojnë me 50 mijë dollarë dhe sjellin përfitime të mëdha duke spekuluar", thotë ai.
E ardhme e pasigurt
Ekspertët thonë se pritet të shihet nëse programet aktuale të Lindjes së Mesme do të jenë më të suksesshme se ato që kanë qenë më parë. Regueiro mendon se më shumë programe të reja do të vazhdojnë të futen në Lindje të Mesme. Por, ai sugjeron se "një prurje tjetër mund të shihet në rritjen e nivelit të kontrollit të këtyre programeve.”
"Përgjigja e thjeshtë është vëmendje dhe besim tek procesi,” thotë Savory duke argumentuar se këto programe kanë ecur me dekada në vende si Karaibet, për shkak se janë konsideruar si të besueshëm.
"Lindja e Mesme është një treg i ri në këtë fushë, kështu që çfarë fati i këtyre programeve do të varet nga shumë faktorë,” thotë Dzankic. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohen kërkesat dhe se si reagon "industria e nënshtetësisë” siç e quan ajo. Ndërkohë në që vendet e BE-së kontrolli bëhet nga vendet anëtare, në Lindjen e Mesme nuk ekziston një kontroll i tillë. "Kështu presioni që lidhet me demokracinë dhe qeverisjen e mirë mund të jetë më i ulët,” thotë ajo. "Me kalimin e kohës, shqetësime të tjera mund të krijohen për këto programe.” Për shembull vitin e kaluar BE ua ndaloi hyrjen e lirë në Europë qytetarëve të lejuar të Vanuatusë për shkak të shqetësimeve lidhur me programin shumë të çlirshëm CBI të këtij vendi të Paqësorit. "Atëherë varet nga mënyra se si shtetet e zgjidhin këtë problem,” thotë Dzankic.