1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tentativë vrasjeje ndaj një gjermano-etiopiani në Pocdam

Stephan Zimmermann19 Prill 2006

Prokurori i përgjithshëm gjerman, Nehm nis hetimet. Viktima vazhdon të jetë i shtruar me plagë të rënda në kokë dhe në gjendje kome

Demonstrues protestuan të hënën në Pocdam kundër sulmit me prapavijë të supozuar raciste
Demonstrues protestuan të hënën në Pocdam kundër sulmit me prapavijë të supozuar racisteFotografi: picture-alliance/dpa

Pas tentativës për vrasje me motive raciste ndaj një gjermani me prejardhje afrikane në Pocdam prokuroria federale mori tani përsipër hetimet. Arsyetimi është ky: akti është i tillë që mund të rrezikojë sigurinë e brendshme të RF Gjermane. Prokurori i përgjithshëm Kay Nehm ngarkoi policinë e Pocdamit me hetimet e mëtejshme në emër të tij.

Deri tani nuk ka asnjë gjurmë të dy keqbërësve që sulmuan dhe plagosën për vdekje 37 vjeçarin. Viktima vazhdon të jetë i shtruar me plagë të rënda në kokë dhe në komë artificiale në një klinikë në Pocdam. Gjendja e tij është e qëndrueshme, por mjekët nuk janë ende të sigurt që babai 37 vjeçar do të mbijetojë. Për këtë shprehet shefi i klinikës së Pocdamit Hubertus Wenisch:

"Pozitivja është se deri tani gjendja e tij ka qenë stabile, në fakt që prej mbërritjes në klinikë, dhe nuk janë shfaqur komplikacione, gjë që duhet vlerësuar si ogur i mirë. Por siç e dini në raste kritike ecuria individuale nuk është gjithnjë e parashikueshme."

Megjithatë kaq dihet: Sikur gjermano-etiopiani ta mbijetojë sulmin do të zgjasë shumë derisa ai të jetë përsëri shëndoshë. E shoqja dhe fëmijët duhet t'ia dalin vetë mbanë për aq kohë; por qyteti i Pocdamit dëshiron ta ndihmojë familjen me çdo kusht. Këtë e garanton kryebashkiaku Jan Jakobs:

"Ne i kemi ofruar asaj mbështejtje psikologjike si edhe për përkujdesjen për fëmijët. Në rast se do të ketë probleme materiale, atëherë do të ndihmojmë edhe në këtë drejtim. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë, por është edhe e rëndësishme."

Dhe ky nuk do të jetë gjithë reagimi i qytetit. Të martën kryebashkiaku Jakobs dhe krerët e fraksioneve në parlamentin e qytetit u këshilluan për aksionet e mundshme. Synimi i përpjekjeve: të gjithë qytetarët duhet të ndiehen sërish të sigurt në qytet, pasi sulmi u ka futur frikën shumë prej tyre.

Ata shprehin keqardhje dhe kanë planifikuar një shërbesë fetare në mbrëmje në Kishën e Paqes Sans-Souci për viktimën dhe të afërmit. Deri tani policia nuk i ka ka kapur keqbërësit. Ajo ka gjetur në vendngjarje shenjat e gishtërinjve dhe të këpucëve. Hetuesit kanë shpresa edhe nga një regjistrim. Viktima donte t'i telefononte gruas, por me aktivizimin e mailbox-it skena u regjistrua.