1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrori është kthyer në Algjeri

Auron Dodi12 Prill 2007

Atentatet në Algjeri, që kërkuan jetën e të paktën 24 vetëve dhe për të cilat përgjegjësinë e mori organizata terroriste Al Kaida komentohen sot në shtypin gjerman.

Gra me perçe në Algjeri
Gra me perçe në AlgjeriFotografi: AP

Nga gazeta STUTTGARTER ZEITUNG për këtë temë shkëpusim:

"Atentati është drejtuar drejtpërdrejt kundër qeverisë, e cila përpiqet të arrijë një pajtim kombëtar në Algjeri. Sepse atje, islamistët dhe kundërshtarët e tyre kanë zhvilluar prej vitesh një luftë mizore. Ashtu si në Irak, mijëra vetë kanë humbur jetën; të vrarët nuk janë numëruar kurrë. Mbështetja për fundamentalizmin islamik të gatshëm për dhunë, në të gjithë botën u shtua në ato vite, kur Perëndimi përmbysi në Afganistan më parë sundimin e talibanëve dhe pas kësaj SHBA dhe aleatët e tyre marshuan në Irak. Që atëherë, kudo janë krijuar trupa rajonale terroriste, të cilat nxisin njëra-tjetrën dhe që veprojnë në mënyrë të pavarur. Osama bin Laden-i nuk është ai që lëviz fijet. Por ai mishëron mitin e luftëtarit të pamposhtur."

"A po u bie El Kaida edhe në Magreb burive të sulmit në front të gjerë?" pyet gazeta e Bonit, GENERAL-ANZEIGER.

"Kjo është e mundur, po nuk duhet të jetë patjetër e mundur. Vendimtarja është: terrori është kthyer në Algjeri, strategjia e presidentit Buteflika për pajtimin kombëtar, e cila synonte t'i sillte vendit qetësi, pas më shumë se 200 mijë të vrarëve dhe më shumë se 10 vjetëve dhunë, tani ndodhet para shkatërrimit. Më shumë se 100 viktima kanë kërkuar atentatet në Algjeri që prej fillimit të vitit. Me forcën e mirënjohur ushtria godet, drejtësia shqipton dënime me vdekje. "Gjithçka nën kontroll", deklaroi ministria e brendshme para pak kohësh. Një gabim me pasoja të rënda, siç tregon atentati në qendër të Algjerit"

LANDESZEITUNG që botohet në Lyneburg është e mendimit:

"Atentatet e përgjakshme zgjojnë në Algjeri kujtimin e një kasaphane, viktimë e së cilës janë bërë 100 mijë vetë. Perëndimi do të bënte mirë, që këtë herë të mos e injoronte dhunën, siç bëri në një masë të konsiderueshme midis viteve 1992 dhe 1999. Atëherë, në Algjeri vlonte lufta për pushtet midis islamistëve dhe shtetit. Sot, terroristë islamikë që veprojnë në mënyrë globale përpiqen të krijojnë një bazë mbështetëse në Afrikën e Veriut, prej së cilës të vihet në shënjestër Evropa. Degët magrebinase të El Kaidës kanë vënë deri tani në shënjestër vetëm organet represive shtetërore dhe shpresojnë për një efekt-Robin-Hudi te popullata pa orientim. Këtë, BE mund ta pengojë, po të krijojë një partneritet euro-mesdhetar- krijimin e një hapësire të sigurtë të mirëqënies rreth Mesdheut."

Ja edhe mendimi i WESER-KURIER, që del në Bremen:

"Një amnesti e gjerë për islamistët e arrestuar synonte të rivendoste paqen e brendshme- kjo ishte shpresa, e cila për një periudhë të gjatë kohe madje u duk e justifikuar. Por tani bëhet e qartë me të gjithë brutalitetin, se nuk mund të ketë paqe negociuese me njerëz që vrasin në emër të një feje duke flakur për këtë edhe jetën e tyre. Cifti i fjalëve "negociata" dhe "sukses" nuk ekziston për islamistët- ata njohin vetëm kombinimin "negociata" dhe "tradhti". Dhe për të marrë hak për atë që ata e quajnë "tradhti" ata nuk pyesin për asnjë viktimë të pafajshme: as për fëmijë, as për gra shtatzëna, as për pleq...Dëme kolaterale, anësore në emër të Allahut të keqkuptuar vrasërisht"

Së fundi, nga gazeta WESTFÄLISCHE NACHRICHTEN që del në Mynster shkëpusim:

"Shenjat në Afrikën e Veriut tregojnë furtunë. Në shtetet e Magrebit, Marok, Tunizi dhe Algjeri po krijohet me sa duket një front i ri i terrorizmit ndërkombëtar. El Kaida përpiqet t'u japë jetë të re organizatave të atjeshme të dobësuara. Synim i vrasjes masive nuk ishin turistët perëndimorë, si dikur në Xherba të Tunizisë. Synim i sulmit ishte rezidenca qeveritare, pra kishim të bënim me një demonstrim force. Kjo deklaratë duhet të kuptohet si shpallje lufte shtetit algjerian. Edhe Evropa në kufi po përfshihet gjithnjë e më shumë nën darën mbytëse të komandave të vrasësve. Para së gjithash në Spanjë dhe në Francë po bien këmbanat e alarmit. Atentati në metronë e Madridit mbetet një paralajmërim këmbënguklës. Evropa nuk shijon rol të sigurtë spektatori."