1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrori: Gjendja e rrezikut e pandryshuar

9 Mars 2017

Tri muaj pas atentatit islamik në Berlin, Mbrojtja Kushtetuese i konsideron të mundura atentate të tjera. Presidenti Maaßen megjithatë shqetësohet edhe për arsye të tjera për sigurinë në Gjermani.

Verfassungsschutz-Präsident Hans-Georg Maaßen
Fotografi: picture alliance/dpa/O. Berg

Pak ditë para natës së Krishtlindjeve ndodhi diçka, të cilën autoritetet gjermane të sigurisë e kishin penguar për një kohë të gjatë - pjesërisht me mbështetjen e shërbimeve të huaja të fshehta: një atentat terrorist me shumë të vdekur. 12 vetëve ua mori jetën islamiste Anis Amri në 19 dhjetor, kur u turr me një kamion të vjedhur në një treg Krishtlindjesh në Berlin. Tani, Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Hans-Georg Maaßen paralajmëron me fjalët: "Në Gjermani ne kemi një gjendje të pandryshuar të rrezikimit".

Si indikator i rëndësishëm atij i shërben numri i madh i sinjalizimeve që merr institucioni i tij nga brenda dhe jashtë vendit. "Ne shohim një ndryshim cilësor të sinjalizimeve që vijnë", thotë Maaßen para gazetarëve. Çdo rast i veçantë shqyrtohet këtu me vëmendje. Vetëm pas atentatit në Berlin, deri në fillim të këtij viti kemi përpunuar 20 të ashtuquajtura sinjalizime të paspecifikuara për rrezikim. Përmes verifikimeve të tilla mund të zbulohen plane konkrete për sulme dhe të pengohen atentate.

Gjithnjë e më shpesh njerëzit i telefonojnë linjës direkte Hotline kundër Terrorit. Si suksese të matshme, në Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës konsiderohen edhe të dhëna, që çojnë në bastisje shtëpish ose arrestime nga policia. Rëndësi gjithnjë e më të madhe fiton në këtë kuadër "Telefoni i sinjalizimit të terrorizmit islamik (HiT)". Numri i kontaktimeve vitin e kaluar ishte 1100 - në këtë mënyrë ai është dyfishuar në krahasim me vitin 2015.

Maaßen konstaton rritje edhe tek islamistët e orientuar te dhuna. Aktualisht, "potenciali islamik-terrorist" sipas Maaß është rreth 1600 vetë. Që Gjermania ndodhet më shumë se kurrë më parë në fokusin e milicisë terroriste "Shteti Islamik" (IS), për të nuk ka asnjë dyshim.

Shkëndija mund të ndizet shpejt

I shqetësuar është Maaßen edhe për shkak të zhvillimit në Turqi. "Prej kohësh shohim që konfliktet në Turqi kanë pasoja edhe në gjendjen e sigurisë në Gjermani". Ekziston rreziku që të shkallëzohen edhe "konflikte me prokurë" midis mbështetësve të Partisë Punëtore Kurde PKK, të kategorizuar edhe në Gjermani si organizatë terroriste dhe turqve nacionalistë ose ekstremistë të djathtë.

Grindja që ka shpërthyer prej ditësh midis qeverive në Ankara dhe në Berlin për fjalimet publike të politikanëve turq në Gjermani mund të bëjë që shkëndija të ndizet shpejt. Kjo është droja e ekspertëve që i njohin këto ambiente. Ose e thënë ndryshe, me fjalët e Maaßenit: "Vijat e ndarjes midis kampeve të ndryshme në Turqi pasqyrohen si në pasqyrë edhe në Gjermani."

 

Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore