Türken Keupstraße
18 Nëntor 2011Një pasdite krejt e zakonshme në Keupstraße. Dyqanet kanë hapur, restorantet presin klientët për darkën. Kudo dëgjon dhe flitet turqisht. Kjo rrugë ia detyron cilësimin "rruga e turqve në Këln" banorëve të saj turq. Këto ditë ata janë disi të shqetësuar, por edhe të lehtësuar, sepse tani dihet që pas sulmit me bombë para shtatë vjetësh nuk qëndrojnë turq (ashtu siç supozonin disa), po një grup terrorist neonazist. Ata ndiejnë konfirmim dhe thonë, "po ne e thamë atëherë, që ky ishte një akt kundër të huajve, u bëmë thirrje autoriteteve, të hetonin më me kujdes."
Më në fund qartësi
Sulmi ndodhi më 9 qershor 2004 para floktores "Kuaför Özcan". Atëherë u mendua vërtet se ishte fjala për një atentat të grupit terrorist kurd PKK ose për një larje hesapesh brendapërbrenda mafies turke. 22 vetë u plagosën. Të gjithë banorët e kësaj rruge ishin në gjendje shock-u. 23-vjeçarit Öznur Özkocacık i kujtohet mjaft mirë ajo ditë: "Shihje vetëm që kishte njerëz të shtrirë përtokë. Dëgjoje klithma. Shihje që shumë njerëz po qanin. Ekzistonte dyshimi se kishte edhe bombë tjetër dhe askush nuk shkonte dot në shtëpi. Gjithçka ishte e bllokuar. Fillimisht u mendua se ishin kurdë, sepse ata kishin pasur një grindje pikërisht në atë floktore. Mirëpo, më pas na u bë e qartë që nuk kishte të bënte me ta."
Një vajzë e re, cila është rritur në Keupstraße, është tani shumë e kënaqur që më në fund dihet se kush është përgjegjës për këtë sulm. Ajo thotë se nuk ka frikë prej neonazistëve, se ndihet mirë dhe e sigurt në Keupstraße. E vetmja pyetje është: "Përse na e bënë këtë të keqe?"
Yakup Arslan, argjendar në Keupstrasse, gëzohet që është provuar pafajësia e banorëve, sepse asokohe ata konsideroheshin të dyshuar. Atij i kujtohet që berberi Özcan Yıldırım u mor në pyetje për ditë të tëra nga policia. "Atëherë policia e vuri nën trysni të madhe shokun tonë. Ata dëshonin se pas rastit fshihej mafia turke ose PKK-ja, por tani doli që ishte dikush tjetër. Kjo na gëzoi shumë ne banorët dhe tregtarët e Keupstraße-s. Sepse asokohe na shqetësoi shumë që po kërkonin një njeri përgjegjës në radhët tona."
Përgjegjësia e autoriteteve
Shumë banorë në Keupstraße janë të mendimit se në atë kohë autoritetet nuk hetuan mjaftueshëm për t'i gjetur personat përgjegjës për sulmin, sepse në një vend si Gjermania, thonë ata, është e papërfytyrueshme që keqbërësit të mos gjehen. Kjo pyetje i preokupon ata më shumë sesa sulmi me bombë: Përse zgjati kaq shumë zbardhja e nëntë vrasjeve kundër migrantëve dhe e një shpërthimi bombe kur këto janë organizuar nga i njëjti grup?
Përkthyesi Sancak Topal flet fare hapur: "Sepse autoritetet gjermane nuk duan. Kryesorja: të huajt pakësohen. Kjo është e vërteta. Kur gjermanët duan t'i gjejnë vrasësit ose atentatorët, e bëjnë këtë menjëherë, por s'kanë pasur interes, s'janë munduar."
Një i punësuar në një argjendari tjetër, Bahri Kayakıran, shpreh dëshpërim: "Është shqetësues fakti që zgjati kaq shumë. Shumë banorë dhe tregtarë këtu menduan dy vjet pas sulmit, 'Ka persona që nuk duan që ky rast të zbardhet. Kur kurdisësit mbrohen në mënyrë të organizuar, s'kanë për t'u gjetur kurrë'. Shumë vetë kishin përshtypjen se personat përgjegjës mbroheshin." Sipas mendimit të tij, u bënë përpjekje që lagjia të damkosej si mjedis kriminal". "Ne jetojmë e punojmë këtu prej vitesh dhe s'kemi parë të tillë mjedis. Kështu ata duan të largojnë përgjegjësinë nga vetja dhe ta mbyllin çështjen", thotë ai. Frikë nga neonazistët as ai nuk ka, thotë, por armiqësia ndaj të huajve është një fakt në Gjermani dhe bashkësia turke është e përgatitur për sulme edhe shpirtërisht: "Ne e dime se çdo moment mund të ndodhë diçka."
Një rrugë si në Turqi
Në Keupstraße ndihesh si në Turqi. Ka dyqane, restorante, dyqane muzike, kafe burrash, fëmijë në rrugë dhe kudo pamje që të kujtojnë Turqinë. Megjithëse atje flitet më shumë turqisht sesa gjermanisht dhe diskutohet më shumë për politikën turke sesa për atë gjermane, banorët e kësaj rruge duan të trajtohen në mënyrë të barabartë me gjithë të tjerët në Gjermani. Ata e dinë fare mirë që vizita gazetarësh e politikanësh do të kenë vetëm ditët që vijnë, por më pas do të bien në harresë. Një sipërmarrës (që do ta mbajë të fshehtë emrin) thotë: "Nuk duam të instrumentalizohemi. Politikanë dhe gazetarë vijnë vetëm ca ditë, pastaj zhduken përsëri; por problemet e vërteta mbeten të pazgjidhura. Kundër kësaj protestoj." Ai dhe shumë banorë të tjerë kërkojnë veprime të besueshme, drejtësi dhe barazi në trajtim. Pas shtatë vjetësh është e qartë që ata nuk qenë keqbërësit. Megjithatë, se cilët janë keqbërësit e vërtetë, kjo ende nuk dihet saktësisht.
Autor: Başak Özay / Elert Ajazaj
Redaktoi: E. Xhani