Testi i stresit për marrëveshjen atomike me Iranin
13 Tetor 2017Marrëveshja atomike me Iranin, pas 10 vitesh negociimi të mundimshëm ishte një nga sukseset e pakta diplomatike që e bëri botën më të sigurtë. Por për Donald Trumpin, ajo "ishte marrëveshja më e keqe të gjitha kohërave". E ardhmja e saj tani qëndron në buzë të greminës.
Sfondi: Presidenti Trump është i detyruar të çertifikojë para kongresit amerikan çdo 90 ditë, se Irani e zbaton marrëveshjen plotësisht dhe se kjo marrëveshje i shërben sigurisë së SHBA. Nëse ai e mohon këtë atëherë kongresi ka 60 ditë kohë për të rivendosur sanksionet me Iranin.
Trump e ka çertifikuar dy herë marrëveshjen. Studiuesi për çështjet politike në Universitetin e Harvardit, Sascha Lohmann në intervistë me Deutsche Wellen thekson, se "çertifikimi 90 ditor krijon një situatë shumë të pakëndshme. Kjo, sepse ai shumë shpesh ka folur keq kundër kësaj marrëveshjeje." Të dielën (15.10) mbaron afati tjetër 90 ditor- e kësaj here presidenti amerikan nuk ka lënë dyshime se do të refuzojë çertifikimin. Sipas Lohmann bëhet fjalë për një gjest të politikës së brendshme, e jo mosgarantimin e lehtësimit të sanksioneve.
Trump ia kalon kongresit përgjegjësinë për të ardhmen e marrëveshjes. Ndoshta kjo e shpjegon edhe atë funksionarë të lartë amerikanë kanë folur pozitivisht për marrëveshjen. James Dunford, kreu i shtabit të ushtrisë amerikane theksoi në fund të shtatorit, se Irani i përmbush detyrimet. Ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis para pak ditësh iu përgjigj me Po pyetjes së një deputeti, nëse për momentin aktual është në interesin amerikan ruajtja e marrëveshjes.
Sascha Lohmann thotë se ndërkohë në kongres ka ndryshuar qëndrimi mjaft kritik kundrejt marrëveshjes atomike, sepse ndalimi i pasurimit të uraniumit në tokën iraniane, po shihet si progres në këtë konflikt.
Europa dhe marrëveshja atomike
Europianët po përpiqen me një fushatë të pashembullt të bindin presidentin amerikan dhe administratën e tij për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Ka pasur bisedime në nivel ambasadorësh dhe deputetësh të kongresit. Edhe krerë të qeverive europiane kanë telefonuar me Trumpin, në fund të shtatorit Angela Merkel. Këtë javë e ngarkuara e BE për politikën e jashtme, Federica Mogherini u shpreh, se Europa "ka interes, përgjegjësi dhe detyrim të mbajë marrëveshjen me Iranin". Një ditë më vonë ishte kryeministrja britanike, Theresa May ajo që telefonoi me Trump.
Spirale armatimi në Lindjen e Afërt?
Deputeti i Të Gjelbërve, Omdi Nouripour anëtar i komisionit të politikës së jashtme sqaron në bisedë me DW, se marrëveshja ka rëndësi të posaçme. "Pa marrëveshje nuk ka inspektime në Iran. Një fund i sanksioneve do të ishte rruga më e thjeshtë për bombën atomike. Tjetra shfuqizimi i saj do të forconte përkrahësit e linjës së ashpër në Iran. Një hap pas ky në përpjekjet për paqen në Lindjen e Afërt."
Sipas Nouripour, nëse Irani zotëron bombën atomike kjo do të thoste një spirale e shpejtë e armatimit nuklear në rajon, "jo vetëm Arabia Saudite, por edhe Turqia, e ndoshta edhe Egjipti do të kërkonin të kishin bombën. Kjo do të nuklearizonte konfliktet në Lindjen e Afërt, e me pasoja të tmerrshme, sidomos për europianët që janë në fqinjësi të drejtpërdrejtë."