1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi dhe Vuçiq takohen në Shtëpinë e Bardhë

Bekim Shehu
3 Mars 2020

Presidenti Thaçi dhe Presidenti Vuçiq, u takuan në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e Richard Grenell. Qeveria Kurti thotë se Thaçi po vepron në një hapësirë jotransparente.

Kombo-Bild Kosovo Hashim Thaci und Serbien Aleksandar Vucic
Fotografi: picture-alliance/AA/EU Council

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi konfirmoi mbrëmë vonë se ka zhvilluar një takim me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, takim ky i ndërmjetësuar nga i dërguari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Presidenti Thaçi tha se në takim ka marr pjesë edhe këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit Tramp Robert O'Brien, ku është diskutuar siç thuhet "mundësia e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”. Mbrëmë vonë Thaçi shkroi në Facebook për takimin, ku tha se do të raportojë në detaje në Kuvendin e Kosovës për këtë takim.

Raportimi në Kuvend

"Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O'Brien. Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump. Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t'i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Washington dhe më specifikisht për takimin e sotëm”, shkroi Presidenti Thaçi duke potencuar që siç thotë, "duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë”.

Reagimi i Kurtit dhe qeverisë

Fotografi: Reuters/M. Dalder

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti nuk pati njohuri për këtë takim, prandaj zëvendëskryeministri i qeverisë, Haki Abazi, thotë se "Presidenti po vepron në një hapësirë jotransparente”. "Lajmi për takimin është vetëm përmes mediave. Unë e kam thënë disa herë në ditët e fundit, edhe në Kuvendin e Kosovës, që presidenti është duke vepruar nga një hapësirë jotransparente dhe në mungesë të plotë të koordinimit me institucionet e Kosovës. Ne si qeveri nuk kemi absolutisht asnjë informacion se çfarë është agjenda, për çfarë është duke u diskutuar dhe cilat janë pozicionet që presidenti i ka paraqitur në këto takime në Washington”, reagoi zëvendëskryeministri Abazi. Sipas tij, "Presidenti po i kalon kompetencat kushtetuese, dhe është duke vazhduar me agjendën e tij”.

Mungesa e transparencës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka një javë që po qëndron në SHBA-së, dhe para nisjes kryeministri Albin Kurti e ftoi Presidentin në një takim që siç tha "të ulen dhe të diskutojnë për unifikimin e qëndrimeve në politikën e jashtme, me theks të veçantë për dialogun me Serbinë”. Këtë kërkesë për Presidentin, kryeministri Kurti e përsëriti edhe në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë me qëllim që t'i hapet rruga dialogut.

Fotografi: Facebook/President of Kosovo Hashim Thaci

"Po pres kur të kthehet presidenti nga SHBA-ja dhe le ta bëjmë një diskutim të hapur për politikën e jashtme. Ai ka disa qëndrime, unë kam disa ide, por deri sa nuk isha kryeministër mi shkruante nga dy letra në ditë, tash po ikë", deklaroi Kurti në Kuvend, duke njoftuar se letra për takim u ka dërguar edhe kryetarëve të partive opozitare, por as nga ata nuk ka marrë përgjigje.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018 kur qeveria e Kosovës vendosi tarifë 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Që nga ajo kohë asnjë takim kokë më kokë, ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë për dialogun nuk është zhvilluar. Takimi i mbrëmshëm i Presidentit Thaçi me Presidentin e Serbisë, Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë, shënon një kthesë në dialog, sidomos pas angazhimit të drejtpërdrejt amerikan në këtë proces. Shtetet e Bashkuara dhe i ngarkuari i tyre për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, siguruan dy marrëveshje ndërmjet palëve. Një për rivendosjen e linjës ajrore, Beograd-Prishtinë dhe atë për hekurudhat.