Kriza politike në Kosovë: Thaçi i shkruan Kurtit
22 Prill 2020Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sërish i shkroi letër Albin Kurtit kryeministër në detyrë, njëherësh edhe kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, të cilin e paralajmëroi se nis konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re. Disa herë presidenti Thaçi, i ka kërkuar Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes si partia e parë që doli në zgjedhjet e fundit, që të dërgojë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocion mosbesimi më 25 mars në parlamentin e Kosovës. Albin Kurti nga ana e tij nuk ka pranuar të dërgoj ndonjë emër, por ai kërkon që në Kosovë serish të ketë zgjedhje pas pandemisë së COVID-19.
Në letrën që e publikoi presidenti Thaçi, thuhet se ai e ka njoftuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, se "pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t'i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike”. "Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me Vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, shkruan presidenti Thaçi në letër duke e njoftuar Kurtin se "do të veprojë në bazë të kompetencave që garantohen me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014”.
Albin Kurti reagon duke kërkuar zgjedhje të reja pas pandemisë
"Më duhet t'iu rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të institucioneve”, shkruan presidenti. Këtë vendim për konsultime me partitë politike për formimin e qeverisë së re, Thaçi e ka marrë pasi që Albin Kurti dhe Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur atij me emër për mandatar për krijimin e qeverisë së re, pavarësisht tri thirrjeve publike të bëra nga Presidenti më datë 2, 10 dhe 15 prill në adresë të Albin Kurtit.
Por, këtyre thirrjeve të presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, Albin Kurti i është përgjigjur me letra të natyrës tjetër, duke e argumentuar se pse nuk mund të ketë qeveri të re, por vendi sipas tij të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së COVID-19.
"Jo, nuk hezitojmë t'ju përgjigjemi. Jo, nuk e refuzojmë kërkesën tuaj. Por jam i detyruar ta përsëris atë që kam pyetur në letrën time të fundit, e për të cilën nuk kam marrë përgjigje. Shprehimisht kam thënë: E kam të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë të bëhet tani, po sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë. Mirëpo ajo që nuk e kam të qartë është standardi i dyfishte që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni ketë?”, shkroi Albin Kurti në një letër dërguar presidentit Thaçi më datë 17 prill.
Sipas Kurtit, qeveria aktuale në detyrë duhet ta vazhdojë punën deri në përfundimin e pandemisë së koronavirusit dhe më pastaj vendi të shkojë në zgjedhje. Sipas Albin Kurtit formimi i një qeverie të re pa partinë fituese, në këtë rast pa Vetëvendosjen, do ta detyrojë Kurtin që një rast të tillë ta procedojë në Gjykatën Kushtetuese.
Menjëherë sapo presidenti paralajmëroi se do të nisë konsultimet me partitë politike për kalimin e mandatit të një subjekt tjetër politik për formimin e qeverisë së re, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK ) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) filluan takimet në përpjekje për të arritur koalicionit qeverisës. Një takim zhvilluan të merkurën liderët e dy partive, Isa Mustafa (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), ku u tha se "është diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave'. Këtë e bëri të ditur Besnik Tahiri, nga AAK, i cili tha se megjithatë duhet të pritet vendimi i presidentit Hashim Thaçi në lidhje me mandatin kushtetues që duhet t'ia subjektit politik në këtë rast LDK-së si partia e dytë që doli në zgjedhjet e fundit. për formimin e qeverisë. Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën Kosova e Re, të cilat janë deklaruar se mund të jenë pjesë e koalicionit të ri. Po ashtu takime duhen zhvilluar edhe me Listën Serbe si dhe komunitetet e tjera joshumicë që së bashku kanë 20 vende në parlament. Për krijimin e qeverisë së re duhen së paku 61 vota nga 120 deputetë sa i ka parlamenti i Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e udhëhequr nga Kadri Veseli, është deklaruar se ajo nuk do të jetë pjesë e qeerisë së re por do të qëndrojë në opozitë.