Thaçi, Kurti dhe LDK pa qëndrime unike
5 Mars 2020Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas kthimit të tij nga SHBA-së tha se takimi i tij me Presidentin serb Alaksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë, paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas letrës dërguar Presidentit Donald Tramp, letër u ka dërguar dhe krerëve të Bashkimit Evropian, të cilët i njofton me prioritetet e qeverisë së tij, por edhe për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas kthimit nga SHBA-së në një konferencë për medie tha se ai "do të jetë i angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme dhe paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë”.
"Momenti i kthesës"
"Takimi i Washingtonit në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë besoj se do të jetë takimi dhe momenti i kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e SHBA-së dhe lidershipit të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, theksoi Thaçi. Takimin në Shtëpinë e Bardhë ai e cilësoi si "inkurajues për të dy palët që paraqet vullnet të mirë për paqe në Kosovë dhe Serbi”.
"Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Washingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti i Kosovës, duke shtuar se "është e rëndësisë jetike për procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, që të dy palët të kenë besim në lidershipin e SHBA-së deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare”.
Vuçiq: "S'ka marrëveshje"
Nga ana tjetër edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në të njejtën ditë në një konferencë për media në Beograd, foli për takimin që kishte me Thaçin në Washington, duke hedhur poshtë, siç tha, "disa informacione jozyrtare se Serbia ka rënë dakord me Perëndimin për një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kosovës”. "Ditëve të fundit ka pasur shumë lajme të rreme për atë se si bëhen marrëveshjet e mëdha dhe për atë se si plani tashmë është hartuar. Nuk ekziston asnjë plan i madh dhe asnjë marrëveshje e madhe”, tha Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se kushti i Serbisë për vazhdimin e dialogut me Kosovën vazhdon të jetë heqja e tarifës 100% nga Kosova për mallrat e Serbisë.
"Sa u përket çështjeve taktike, në Washington kemi diskutuar për të ashtuquajturin minishengen, lëvizjen e shpejtë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si dhe për ndërtimin e autostradës dhe vendosjen e linjës hekurudhore dhe ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, është shprehur Vuçiq, citojnë mediet në Serbi.
Kosova pa politikë unike ndaj tarifave
Në anën tjetër brenda Kosovës akoma nuk ka një politikë unifikuese në raport me dialogun me Serbinë dhe heqjen e tarifës që me ngulm po e kërkon SHBA-së. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u nisi letra presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesit të lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për t'i njoftuar me prioritetet e Qeverisë së re të Kosovës dhe rëndësinë e dialogut. Këtë letër Kurti ua dërgoi përfaqësuesve të BE-së pasi që një letër të ngjashme tri ditë më parë Kurti i kishte dërguar edhe Presidentit amerikan Donald Tramp dhe sekretarit Pompeo. Pos prioriteteve të qeverisë së tij, Kurti ka folur edhe për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi.
Kurti kërkon integrimin e Kosovës
"Arritja e një marrëveshjeje politike mes dy shteteve tona do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE dhe si mjet për arritjen e paqes afatgjate dhe stabilitetit në rajon”, është shprehur mes tjerash në letër. Kurti edhe njëherë informoi zyrtarët evropianë se që nga 15 marsi do të heqë tarifën 100% në lëndën e parë që vjen nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, ndërsa kërkon edhe hapa konkret nga ana e Serbisë.
"Kjo është shenjë e vullnetit të mirë diplomatik dhe e angazhimit tonë për rifillimin e dialogut me Serbinë. Shpresojmë që Serbia t'i përgjigjet në mënyrë reciproke këtij vendimi dhe në këmbim të kësaj presim që Serbia t'i heqë të gjitha barrierat e mbetura jotarifore për tregti me Kosovën, si dhe t'i jap fund fushatës së saj të çnjohjeve kundër Kosovës”, ka shkruar Kurti në letrën e tij. Kryemnistri Albin Kurti u bënë thirrje si autoriteteve evropiane edhe atyre amerikane që të krijojnë mekanizma për monitorim dhe sanksionim, ashtu që të dyja palët Kosova dhe Serbia të përmbushin premtimet që kanë bërë nëpër marrëveshjet që tani ekzistojnë.
Mospajtimet VV-LDK
Por, brenda qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka mospajtime me partnerin e koalicionit Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ashtu sikurse SHBA-së po kërkon që tarifa ndaj mallrave të Serbisë të hiqet tërësisht dhe t'i hapet rruga dialogut me angazhimin e drejtpërdrejt të SHBA-së. Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti që vjen nga LDK, tha sot se "angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës është sistematik, që tregon se ajo është kundër marrëveshjes për normalizim. Kjo nuk është gjë e re”.
"I ri është konteksti politik në Kosovë, ku institucionet e reja që kanë legjitimitet të plotë qytetarë tani marrin përsipër agjendën e dialogut dhe politikës së jashtme. Është e qartë se kjo agjendë e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE. Paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës karshi këtyre temave për shkak të kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na shpie në getoizim”, shkroi në profilin e tij social Hoti, duke ritheksuar se LDK, "nuk do të lejojë getoizimin e Kosovës”, sepse sipas tij "kjo i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës”.