Thaçi shprehet në Sofie për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë
20 Qershor 2012Kryeministri i Kosovës Hashim Thaç dhe delëgacioni i tij u prit nga kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov, i cili vlerësoi përkushtimin e qeverisë kosovare për dialogun dhe çështjet teknike me Serbinë. “Bullgaria ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe për këtë njohje ka pasur konsensus të lartë të gjithë spektrit politik dhe institucional”, tha në takim kryeministri bullgar. Ai kërkoi që marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë të zbatohen sa më shpejt.
Në konferencë shtypi pas takimit me homologun e tij bullgar Thaçi u shpreh për mundësinë e pajtimit Serbinë. ”Ne duhet ta mbyllim përfundimisht kapitullin e konfliktit. Zgjidhja më e mirë është që Beogradi ta njohë shtetin e Kosovës dhe ne të hapim në ambasadat në të dy kryeqytetet ambasadat”, tha kryeministri kosovar në kryeqytetin bullgar. Ai përforcoi vullnetin e vendit të tij për anëtarësim në NATO dhe BE. Thaçi kërkoi gjithashtu mbështetjen e qeverisë së Bullgarisë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe në UNESCO. Me kryeministrin bullgar Thaçi, nënshkroi një marrëveshje për kthimin e emigrantëve kosovarë ilegalë.
Bullgaria mbështet procesin e njohjes së Republikës së Kosovës
Thaçi u prit me nderimet më të larta shtetërore personalisht nga presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev. Gjatë bisedës mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit bullgar Rosen Plevneliev- u fol për bashkëpunimin mes dy shteteve, për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët dhe për bashkëpunimin rajonal. Presidenti bullgar theksoi se qeveria e Bullgarisë është e përkushtuar për ta mbështetur procesin e njohjes së Republikës së Kosovës nga sa më shumë vende, si dhe për anëtarësimin e saj në të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare.
Presidenti bullgar nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se Bullgaria është e interesuar për paqe të qëndrueshme në rajon. Sipas tij paqja dhe stabiliteti konsiston tek fqinjësia e mirë, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi euro-atlantik. Thaçi foli në konferencë shtypi ndër të tjera edhe për hapat që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës në krijimin e mjedisit të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë. Me këtë rast, ai iu bëri thirrje të gjithë investitorëve bullgarë për të investuar në Kosovë.
Autor: dpsa, afp/Mimoza Kelmendi
Reaktoi: Vilma Filaj-Ballvora