1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë në Britani për shkak të Brexit

16 Nëntor 2018

Edhe pas dorëheqjes së një pjese të kabinetit, Theresa May shprehet e bindur se marrëveshja e arritur me BE-në është më e mira për Britaninë e Madhe. Nuk dihet nëse parlamenti do ta miratojë kontratën në dhjetor.

England | PK Theresa May
May në konferencën e shtypit të enjten në LondërFotografi: Getty Images/AFP/M. Dunham

Qeveria e Britanisë së Madhe po kalon një krizë të thellë për shkak të marrëveshjes së Brexit-it. Dy ministra dhanë dorëheqjen dhe një numër i madh zyrtarësh të lartë. Por kryeministrja britanike, Theresa May, e mbrojti të enjten në mbrëmje kursin e saj në një konferencë për media. "Unë besoj me mish e shpirt se kursi që kam paracaktuar, është kursi i duhur për vendin dhe për të gjithë popullin tonë," tha ajo.

May, e cila, më parë e kishte prezantuar dokumentin prej 585 faqeve edhe në parlament, nuk ishte kurrsesi euforike. Po atë ditë nga kabineti i saj ishin dorëhequr dy ministra dhe disa sekretarë shteti e zyrtarë të lartë, në shenjë proteste ndaj draft-marrëveshjes së arritur me përfaqësuesit e BE-së për strategjinë Brexit. Ndër të dorëhequrit ishin ministri i Brexit-it, Dominic Raab dhe ministrja e Punës, Esther McVey.

Theresa May prezantoi të enjten (15.11.2018) në parlament marrëveshjen me BE për Brexit. Fotografi: picture-alliance/empics

Për kryeministren këto dorëheqje janë një goditje e rëndë. Në konferencë ajo shprehu keqardhjen për largimin e tyre. Vetëm të mërkurën (15.11) kishte arritur me shumë sforco ta bindte qeverinë ta miratonte draftin e daljes nga Bashkimi Evropian. Pakënaqësia kryesore e ministrave të dorëhequr kishte të bënte me marrëveshjen për Irlandën e Veriut, ku do të mbeten në fuqi dispozitat e tregut të brendshëm të BE-së. Pra, nuk do të ketë as kontrolle e as dogana. Ministrat kanë frikë se me këtë do të humbasin sovranitetin. 

Edhe në parlament drafti u kritikua aq ashpër saqë tani nuk dihet se a do të jetë në gjendje Theresa May ta kalojë atë në parlament. Votimi pritet të bëhet në dhjetor. Me dhjetëra deputetë kanë paralajmëruar se do të bëjnë qëndresë. Ndër ta edhe deputetët e partisë DUP nga Irlanda e Veriut, të cilët zakonisht e mbështesin qeverinë e May-t. Kreu i opozitës, Jeremy Corbyn, ka paralajmëruar që tani se do të votojë kundër.

Jackob Rees-Moog dëshiron të kërkojë një votë mosbesimi në parlamentFotografi: picture-alliance/empics/PA Wire/S. Rousseau

Por May kërcënohet edhe nga radhët e veta.  Nëkryetari i Partisë, Rehman Chishti, tha dorëheqjen. Një grup i partisë së saj i udhëhequr nga ithtari  më i rëndësishëm i Brexit-it, Jacob Rees-Mogg, ka paralajmëruar se do të kërkojë në parlament një votë mosbesimi. Flitet se janë grumbulluar thuajse të gjitha (48) letrat e deputetëve të partisë Tory që nevojiten për këtë akt. Por kjo kërkesë pritet të mos ketë sukses, sepse deri tani grupi parlamentar i Tory-t duket aq i përçarë, saqë askush nuk mund ta mbledhë të tërin pas vetes.